TIRANË, 29 Shtator /ATSH/ -Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Kori, Solistët dhe Trupa e Baletit, në një produksion madhështor dhe në muzikën sugjestionuese të Carl Orff, do të ngjiten në skenën e TKOB-së në datat 4,7 dhe 8 tetor ora 19:00 me "Carmina Burana", baletit vënë në skenë nga Youri Vamos.
Në koreografinë dhe skenografinë e hungarezit Youri Vàmos, as/koreografe Joyce Cuoco, dirigjentit Desar Sulejmani, dirigjentit të korit Dritan Lumshi, ndriçimin e Klaus Gärditz, baletmaestër Alisa Gjoni, dhe korit të vajzave drejtuar nga Bujar Alliu, një nga produksionet më të rëndësishme të këtij viti në TKOB, premton suksesin e radhës.
Koreografi Youri Vamos
Në këtë shfaqe do të interpretojë kolonia e artistëve si solistët sopranoja Eriona Gjyzeli, baritoni Carlo Checchi, kontratenori Safet Berisha, dhe balerinët Balerinët Adela Muçollari, Ledia Sulaj, Kristi Dalipi, Ervis Nallbani, Kristi Dushmani, Erald Zela, Eltjon Merja, Besi Skura, Dion Gjinika, Jonida Onuzi dhe Rovena Shqevi .
Sipas koreografit Vamos tema qëndrore e koreografisë është qëndrimi i njeriut ndaj ligjeve të natyrës. Ai që ngrihet kundër harmonisë që jeton në të, është i destinuar të dështojë.
Në konfliktet mes burrit e gruas, në rendje të përjetimeve erotike - mes dhunës dhe gënjeshtrës - ajo që do të mbijetojë është vetëm dashuria e sinqertë.
Në luftën e vazhdueshme mes burrit e gruas, në rendje të përjetimeve erotike - mes dhunës dhe gënjeshtrës - ajo që do të mbijetojë është vetëm dashuria e sinqertë.
Carl Orf
Koncepti i Vamos shfaqet përmes gjuhës së baletit/
Ai thote se, tek kjo vepër jam frymezuar nga muzika pavarësisht tekstit të këngëve. Është rastësi që disa skena baleti përkojnë me tekstin. Ky fakt dëshmon edhe njëherë për karakterin sugjestionues që ka muzika e Orff.
Youri Vamos koreografi me origjinë hungareze i cili zhvillon aktivitetin e tij në Gjermani, ka mahnitur gjithmonë audiencën me versionet shumë interesante që ai i ka bërë kryeveprave klasike. Puna e tij dallohet për kreativitetin, inteligjencën, dramacitetin dhe muzikalitetin e lartë.
Suksesi i tij i vazhdueshem është edhe në sajë të ruajtjes së këtyre subjekteve tradicionale duke i mbajtur ato gjithmonë të reja për kohën.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit
Sinopsi
O Fortuna! Në këtë thirrje ndaj perëndeshës së fatit shfaqet lutja për dashuri e fat, aq vitale për ekzistencën. Rrota e fatit është simboli që përcakton uljet dhe ngritjet në jetën e njeriut, me ciklet e tensioneve që krijohen në marredhëniet mes burrave dhe grave, mes të rinjve e të moshuarve. Këto ndërveprime i përjetojmë edhe në baletin e Youri Vàmos nën tingujt e muzikës së Carl Orff.
Carmina Burana konsiderohet një ndër klasikët e parë në historinë e muzikës. Brilant në gjithë thjeshtësinë që e karakterizon, ritmikisht potent, me një tematikë gjithnjë aktuale, ky balet të zgjon fantazinë si asnjë vepër tjetër e shekullit të 20-të.
Këtij pushteti sugjestionues që përcjell muzika e Orff, koreografi Vamos i përgjigjet me një skenografi veçanërisht të thjeshtë. Vetë skena kornizohet nga siluetat e korit dhe orkestrës. Nën këtë sfond dhe nëpërmjet një koreografie mbresëlënëse ai shpalos një himn ngazëllyes për dashurinë e sinqertë. Carmina Burana do të jetë një eksperiencë e cila s'do të mund të ç'rrënjoset me lehtësi nga kujtesa, një vepër që ka lënë pa fjalë audienca për 20 vite me rradhe. Kjo vepër, do te ngjitet në skenë për publikun në datat 4, 7 dhe 8 tetor ora 19:00.











