Sot në orën 20:45 në finalen e madhe të Kievit nuk do të vendoset vetëm fituesi i trofeut të kompeticionit, por me shumë mundësi edhe ai i “Topit të Artë” për vitin 2012. Në garë janë për të fituar tre futbollistë sipas mediave iberike, përkatësisht dy spanjollë, kapiteni Casillas dhe Iniesta dhe italiani Andrea Pirlo.

Fituesi mund të përcaktohet nga ekipi që do të shpallet kampion. Casillas ka bërë një edicion fantastik me Realin e Madridit dhe me kombëtaren ka realizuar një paraqitje shumë të mië duke pësur vetëm dy gola në finalet e Europianit.

Një tjetër kandidat potencial është edhe Iniesta. Sakaq në kampin e Italisë është vetëm Pirlo, i cili ka spikatur me lojën e tij duke e dërguar Italinë në finale. Nga lista për momentin është fshirë Kristiano Ronaldo pas eliminimit të Portugalisë nga Spanja, por askush nuk mund të mohojë edicionin e jashtëzakonshëm të luzitanit me Realin e Madridit.