Një pjesë e punëve të këtij autori ndodhen të vendosura në mjedise të hapura publike siç është relievi në ballinën e radio Kukësit apo buste personalitetesh te historisë që ndodhen në Prizren etj.
Në veprat e skulptorit Hoxha veçohet dukshëm sensibiliteti dhe finesa estetike në trajtimin e relievit.
Në veprat e Hilmiut ka një dimension njerëzor dhe elegancë në shprehjen e formës, me stilizimin e figurave ai zbulon tendencën drejt ornamentit të cilin e modelon duke e bërë pjesë e relievit të ulët që na kujton elegancën e dekorativitetit të trashëgimisë popullore.
Autori na shfaqet edhe me vepra të karakterit monumental ku përsëri gërsheton dekorativitetin me plasticitetin, që është tipik për skulpturën.
Në këtë ekspozitë vjen e sintetizohet një përvojë krijuese më shumë 40 vjeçare e Hilmi Hoxhës i cili asnjëherë nuk i kushtoi vëmendje promovimit të vetvetes.
Skulptori Hoxha më herët ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme kolektive brenda e jashtë vendit ndërsa kjo ekspozitë është vetëm një pjesë e punës së tij, gjurmë të një përvoje të gjatë të etapave të ndryshme artistike.
Gjatë kohës kur Hilmi Hoxha ka qenë student, ka ekspozuar në Kajro punime të tij në qeramikë, me të cilat është prezantuar suksesshëm.
Në ekspozitë janë vendosur katër buste të personazheve të njohur dhe një vajze të derdhura në allçi e bronx, si vepra që përçojnë ndjeshmëri njerëzore.
Cikli me punime “Pjata dekorative të glazuruara” na zbulon natyrën poetike të autorit, dhe ndjeshmëritë e tij për ngjyrën.
Dy maskat si dhe “Vrapuesja e Prizrenit” vijnë si inspirime nga vlerat më të spikatura të trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Cikli “Zogjtë” dhe “Familja” janë punime të një shprehje ku figurat abstragohen nëpërmjet gjeometrizimit deri në atë masë sa ruhen imazhet e ndërtuara me elementë gjeometrikë që na përçojnë ndjeshmërinë e përmbajtur emocionale dhe intelektuale të artistit.
Hilmiu modelon edhe një seri veprash të shprehjes abstrakte ku tenton dhe mbërrin tek gjuha e pastër e shprehjes plastike.
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)