Super Sfida Çelsi - Juventus e zhvilluar në stadiumin "Stamford Bridge" nuk ka fitues, pasi ka përfunduar në barazim 2 -2. 90' minutat kanë dhuruar mjaft emocione për të pranishmit në shkallët e stadiumit. Pavarësisht se lojën e ka kontrolluar ekipi londinez, "Zonja e Vjetër" arriti që të merrte një pikë mjaft të vlefshme. "Blutë" e Londrës e kanë nisur mjaft mirë ndeshjen duke rrezikuar në minutat e para me Torres dhe Oscar, por mbrojtja mike ishte rreshtuar në vijë të drejtë duke neutralizuar sulmet. Nuk kalojnë shumë minuta pas sulmeve intensive dhe braziliani Oscar zhbllokon sfidën në minutën e 31' pas një goditje jashtë zone. Sfera përfundoi në rrjetë edhe me ndihmën e Bonucit që devijoi topin fatalisht duke nxjerrë jashtë loje portierin Buffon. Goli çorienton bardhezinjtë që pësojnë edhe golin e dytë pas dy minutash përsëri me të njëjtin autor, të riun Oscar, këtë herë me një super gol duke shokuar italianët. Disavantazhi i shpejtë nuk dekurajon miqtë që hidhen në sulm për të ngushtuar diferencën. 5 minuta pas pësimit të dopietës nga Oscar, Juve gjen forcën dhe ngushton rezultatin me Arturo Vidal, i cili edhe pse i dëmtuar në kavilje godet fuqishëm nga jashtë zone duke shtangur portierin Ceh. Me këtë rezultat do të mbyllej edhe pjesa e parë. Në fraksionin e dytë të sfidës, Juvetusi bëhet më agresiv duke barazuar përqindjen e mbajtjes së topit. Si rezultat i lojës së mirë, "Zonja e Vjetër" barazon shifrat 10' minuta nga fundi i kohës së rregullt me të sapo futurin në fushë, sulmuesin Kualiarela, i cili pas një topi të bukur të Marcisios dërgon topin në rrjetë përmes këmbëve të Ceh duke i dhënë një pikë të rëndësishme Juventusit. Çelsi reagon, por deri në fund nuk gjen golin e fitores.


Grupi E, Çelsi 2 - 2 Juventus, Shaktar 2 - 0 Nordsjaelland

Grupi F, Bayer M. 2 - 1 Valencia, Lilë 1 - 3 Bate Borisov

Grupi G, Barcelona 3 - 2 Spartak M, Celtic 0 - 0 Benfica

Grupi H, Braga 0 - 2 Cluj, Man. United 1 - 0 Gallatasarai


(d.b/shqiptarja.com)