Çështje parimi
dhe juridiksioni

Çështje parimi<br />dhe juridiksioni
Dy nga tetë temat më të nxehta që kanë pështjelluar së tepërmi politikën e brendshme në Shqipëri, pa dyshim që janë ato të Ligjit “Për nëpunësin civil” dhe shkarkimi i Inspektores së Përgjithshme të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Këto spikatën edhe në fjalën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e së mërkurës së kaluar të grupit parlamentar të kësaj Partie, ku i konsideroi si kushte për takimin “sy më sy” me kreun e Partisë Socialiste dhe Kryeministër i vendit, Edi Rama, për afrimin e mundësisë së dakordimit të dy krahëve të politikës, për kryerjen e reformës administrative – territoriale, si një nga prioritetet kryesore për dhënien Shqipërisë të statusit së Shtetit kandidat për në BE. Këto dy tema zhurmuan edhe një ditë më pas, që në fillimin e seancës plenare të rradhës në Kuvendit të Shqipërisë, duke u shfrytëzuar si ‘lëndë e parë’ për largimin e paralajmëruar (sikurse edhe herë të tjera) nga salla të grupit demokrat.

Interpretimin në dy drejtimet e mësipërme, opozita dhe Presidenti i Republikës ia kanë besuar Gjykatës Kushtetuese, me anë të kërkesave ankimore që i kanë drejtuar këtij organi. Në rastin e parë, pra, për shtyrjen që i bëri mazhoranca parlamentare hyrjes në fuqi të Ligjit për nëpunësin civil, me anën e votimit me shumicë të cilësuar të nismës legjislative që paraqiti Qeveria në Kuvend, çështja nuk u zgjidh menjëherë. Pak kohë pas administrimit të ankimit të paraqitur dhe gjykimit të çështjes, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë objektin e parë të kërkesës ankimore, që kishte të bënte me pezullimin e efekteve të hyrjes në fuqi të Ligjit të miratuar në Kuvend aty nga fundi i shtatorit të vitit të kaluar dhe që, pas vetos pezulluese të ushtruar prej Presidentit të Republikës, mazhoranca nuk reagoi ndryshe, përveçse e rimiratoi ligjin pa asnjë ndërhyrje në tekstin e tij.

Që atëhere u desh të kalonin disa muaj, kur Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin për objektin e dytë të kërkesës së Partisë Demokratike, duke e shfuqizuar ligjin mbi nismën e Qeverisë, si një akt normativ që binte me ndesh me frymën e Ligjit Themelor të Shtetit. Dhe, me hyrjen në fuqi të vendimit të organit të rishikimit kushtetues, pas botimit në Fletoren Zyrtare, mazhoranca qeverisëse pezulloi efektet e masave kryesisht teknike, që duhej të ndërmerreshin për zbatimin e efektshëm të Ligjit të miratuar me konsensus të gjerë në majin e vitit të shkuar, vetëm pak javë përpara zhvillimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare. Mirëpo, opozita vazhdon të ngrejë tonet e zërit të saj, duke u shprehur se Qeveria duhet t’i kthejë në punë të gjithë ata që i shkarkoi nga detyra që prej 1 tetorit deri më sot. Ndërkohë, ndonëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare, në të vërtetë nuk kanë fuqi prapavepruese. Një parim ky, që mund të devijojë vetëm kur ligji përcakton ndryshe. Në këtë kontekst, pretendimi i opozitës për t’iu imponuar mazhorancës duket i pajustifikuar.

Në rastin e dytë, puna qëndron ndryshe. Për shkarkimin e Zana Xhukës, si Inspektore e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Paurive dhe të Konfliktit të Interesave, Gjykata Kushtetuese ende nuk është shprehur. Sidoqoftë, ankimi për këtë akt të Kuvendit vështirë se mund të shqyrtohet nga “legjislatori negativ”. Vështirë se mund të shqyrtohet për vetë faktin që ky Inspektoriat nuk është organ kushtetues, siç e cilësojnë liderë të opozitës në disa deklarata të tyre. Këtu është vendi të sqarojmë lexuesin, se cilat janë saktësisht këto organe. Me institucione kushtetuese kuptohen të gjitha organet shtetërore, për të cilat në Kushtetutë gjenden dispozita që përcaktojnë krijimin, kompetencat dhe funksionimin e tyre.

Të tilla janë Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Këshilli i Ministrave (kryeministri dhe ministrat), Gjykata Kushtetuese, gjykatat e të gjitha niveleve, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Prokuroria, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Banka e Shqipërisë dhe organet e qeverisjes vendore.
Ndërsa, përpos tyre, institucione të tjera të quajtura thjesht ‘të pavarura’ konsiderohen ato që nuk duhet të ndikohen nga faktorët politikë dhe nga presionet partiake gjatë veprimtarisë së tyre. Se sa dhe si janë ndikuar këto organe në këto 20 e kusur vjet, ndoshta nuk ia vlen të zgjatemi. Por, nuk mund të injorojmë parimin që pavarësia e tyre është një kusht për funksionimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës.  Këtij kushti i shërben edhe raportimi periodikisht i drejtuesve të këtyre institucioneve në Kuvend, për gjendjen e paraqitur në spektrin e problematikës që zgjidhet apo rregullohet prej tyre. Madje, këtë detyrim e kanë edhe titullarët e organeve kushtetuese. Për shembull, sipas nenit 149/4 të Kushtetutës, “Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit”.

Kurse Zana Xhuka nuk i përgjigjej thirrjes së Kuvendit për raportim para tij dhe as nuk pranoi që të lejonte një grup deputetësh të mazhorancës për kontroll në institucionin që drejtonte, megjithëse në nenin 80/3, Kushtetuta urdhëron që: “Drejtuesit e institucioneve shtetërore, me kërkesë të komisioneve parlamentare, japin shpjegime dhe informojnë për çështje të ndryshme të veprimtarisë së tyre për aq sa e lejon ligji”. Pra, motivet e shkarkimit të kësaj zonje “të papërkulur” janë të qarta dhe vendimi për këtë shkarkim i drejtë.
Sa për marrje të kompetencave të Presidentit të Republikës, shqyrtimi i ankimit të tij në Gjykatën Kushtetuese, për emërimin e kreut të ri të ILDKP, mund të kërkojë diskutim. Mund të kërkojë diskutim, për vetë faktin se Kuvendi në këtë rast u kthye në “pikën zero”, duke iu përmbajtur propozimit të vjetshëm për dy kandidaturat në këtë post: Xhukës dhe Ganajt, prej të cilëve u mazhoranca e atëhershme votoi të parën.

Ndërsa tani, mazhoranca aktuale krahas shkarkimit të Xhukës votoi për ta zëvendësuar atë pikërisht rivalin e vjetshëm Ganaj, pa ndjekur procedurën e parashikuar. Sidoqoftë, për arsyen që përmendëm më lart, Gjykata Kushtetuese me shumë gjasa nuk do të marrë vendim pro apo kundër objektit të ankimit, sepse çështja del jashtë jurdiksionit të saj, ngaqë mund të shqyrtohet në bazë të shkeljes apo jo të ligjit, nga çka zakonisht ndiqet rruga e gjyqësorit të juridiksionit të zaakonshëm. Tek e fundit, edhe nëse struktura e normës kushtetuese lë shteg për interpretime, atëherë kjo krijon një hapësirë vlerësimi, për të cilën duhet të shprehet vetë ligjvënësi.

Në këto situata, kushtet e vëna nga opozita janë më së shumti mjete për të bllokuar reformat e domosdoshme të vendit dhe në përgjithësi zhvillimin e tij, për t’i vënë shkopinj nën rrota qeverisjes së re. Prandaj, po bëhet çdo ditë e më e qartë për shumëkënd, se takimi i Bashës me Ramën, sipas kërkesës së këtij të fundit, për të arritur konsensusin midis dy krahëve të politikës, së paku në realizimin e reformës administrativem – territoriale, nuk duket veçse si një iluzion. Dhe, vërtet që për disa, siç është thënë shpesh herë, një iluzion i këndshëm është më i mirë se sa një realitet i ashpër, por jo për të gjithë. Për shqiptarët, bie fjala, ky iluzion nëse humbet do të pasohet ndoshta me mosdhënie të statusit të shumëpritur në qershor, duke trashur edhe më shumë frymën e konfliktualitetit. Këtu jemi, do të shohim e dëgjojmë!          

Shkrimi u publikua sot (29.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin