Debitorët më të mëdhenj të kompanisë “CEZ Shpërndarje” vazhdojnë të jenë institucionet publike buxhetore dhe jo buxhetore, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve etj. Problematika e zgjidhjes së borxhit që këto institucione i kanë kompanisë daton që nga administrata e mëparshme.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, kompania u detyrua të merrte masa për ndërprerjen e energjisë ndaj të gjitha institucioneve dhe ujësjellësve, por hasi reagimin e menjëhershëm të qeverisë, sipas së cilës, nuk do të lejohej ndërprerja e furnizimit me energji e të gjitha ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve që rezultonin debitore. Borxhi në atë kohë që këto institucione i detyroheshin CEZ arrinte në 38 milionë euro dhe kompania kishte bërë apelime të shpeshta për shlyerjen e detyrimeve.
Dy ditë më parë, kreu i “CEZ Shpërndarje”, Sahit Dollapi, bëri të ditur nisjen e importit të energjisë nga ana e kompanisë në një vlerë prej 200 milionë kilovatorë për të mbuluar humbjet e muajit gusht. Situata financiare për CEZ pritet të vështirësohet edhe më tej me afrimin e stinës së ftohtë që sjell edhe rritje të konsumit energjetik dhe rrjedhimisht një rritje të humbjeve në rrjet e shoqëruar kjo dhe me çmime energjetike më të larta.
Shkrimi u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.03.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)