Vitin e fundit, i ashtuquajturi Shtet Islamik ka qenë pa diskutim, në vëmendje të mediave. Edhe pse bëhet fjalë për një numër të kufizuar luftëtarësh, ku sipas vlerësimeve në media flitet për afro 50 mijë, ISIS-i ka arritur që të imponohet në rrafshin mediatik duke përhapur terror tek kundërshtarët e tij, dhe tërhequr përkrahës të rinj.

Kohët e fundit, historia e 3 vajzave të reja, që u nisën nga Perëndimi, për të shkuar në atë zonë lufte, ka shkaktuar ndjesi të ndryshme. Sidomos për ne, është e vështirë të kuptojmë, sesi një vajzë e emancipuar, sipas modelit perëndimor, dëshiron të udhëtojë në një zonë lufte, ku gratë vuajnë pasojat e pushtetit mashkullor.

Pikë së pari, duhen analizuar marrëdhëniet midis individualizmit, dhe ndjesisë së përkatësisë në një komunitet të caktuar. Në Perëndim në shekujt e fundit, i është dhënë gjithnjë e më shumë rëndësi individit, i cili duket të jetë bartës i dëshirave të veta, dhe që kërkon të ruajë të drejtën, për të kërkuar lumturinë e tij personale.

Njeriu perëndimor ndjehet vetëm pak pjesë e një komuniteti fetar, politik apo territorial dhe gjithnjë e më tepër pjesëtar i një bote globale, në të cilën, i vetëm, duhet të kërkojë hapësirën e tij të jetesës. Përkundrazi, ai i ISIS-it, është një mesazh që i drejtohet një komuniteti të padiferencuar.

Është e vërtetë se ka një Kalif, por sikurse ndodh në realitetet fisnore, udhëheqësi kryesor është pjesë e masës, që nga ana e saj shfaqet e padiferencuar dhe e shkrirë së bashku. Pamja e tyre me fytyrat e mbuluara, vizualisht shpreh imazhin e grupit në përgjithësi, në të cilën të gjithë të ndjehen pjesë e një homogjeniteti unik.

Është e qartë se, veçanërisht në adoleshencë, mesazhi i përkatësisë ka një joshje të madhe. Edhe në Perëndim, adoleshentët kërkojnë ndjenjën e përkatësisë; nganjëherë fiziologjikisht, të gjithë të veshur në të njëjtën mënyrë, apo duke marrë pjesë në të njëjtin koncert. Por ndonjëherë edhe patologjikisht, duke iu bashkuar bandave të rrugës ose drogës, apo ndonjë lëvizjeje ekstremiste.

Forca tërheqëse e Shtetit Islamik qëndron tek sigurimi, kryesisht tek adoleshentët, i një pike referimi, që ofron siguri në krahasim me pasigurinë e individualizmit dhe sfidat, të cilat të qënurit të vetëm kundër botës, i vendos para jetës tonë. Pika e dytë, e cila është e lidhur me të parën, ka të bëjë me dinamikën e grupit.

Sipas psikoanalistit të famshëm W.Bion çdo individ, kur bëhet pjesë e një grupi, ka disa “supozime themelore”, që përputhen me një mentalitet, impulset irracionale, mendimet dhe dëshirat. Një nga supozimet themelore më të zakonshme, është ajo e domosdoshmërisë për të luftuar kundër një armiku.

Shoqëria e konsumizmit bazohet tek nevoja që konsumi të rritet vazhdimisht. Përkundrazi, mesazhi themelor i Shtetit Islamik, është ai i thjeshtësisë dhe i delegimit të dëshirës për diçka që të tërheq, siç mund të jetë imazhi i Zotit dhe triumfi i një ideje mbi botën.

Forca që shpreh, shfaqet në mundësinë që një individ, për të mirën e përbashkët, vendos të humbasë jetën e tij, duke u bërë një kamikaz. Përballë butësisë së të riut perëndimor, që dëshiron iPhone 6, ai qëndron si një gjigant, që është i gatshëm të rrezikojë jetën e vet, për një të mirë më të madhe të përbashkët.

Njerëzit perëndimorë, që i bashkohen rradhëve të ISIS-it, në përgjithësi nuk janë të sëmurë mendorë. Ata mund të kenë tipare problematike të personalitetit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)