TIRANË - Policia e Tiranës ka vënë në pranga një çift bashkëshortësh për gjobvënie. Sipas policisë Niko Smaqi dhe Elinela Smaqi i kanë marrë 8.7 milionë lekë një biznesmeni.

Niko Smaqi aktualisht është duke vuajtur një dënim për vjedhje me dhunë dhe ishte nën hetim për gjobvënie ndaj të njëjtit person, dhe sërish kur ka dalë me leje nga burgu ka shantazhuar biznesenin për t'i marrë sërish lekë.

Bëhet e ditur se në bazë të kallëzimit dhe verifikimeve në kuadër të këtij hetimi ka rezultuar se, në vitin 2010, biznesmeni i joshur nga Elinela Smaqi, ka krijuar një miqësi të ngushtë me të.

Por, shumë shpejt, ka arritur të kuptojë se ky raport ka qenë një kurth i ngritur nga bashkëshortët Smaqi, pasi, që në fillim të shoqërimit ndërmjet tyre, bashkëshorti i saj, Niko Smaqi “ka zbuluar” lidhjen mes tyre dhe e ka kërcënuar atë se do të vinte në dijeni familjen e tij nëse nuk i paguante një shumë parash.

Kjo “pagesë” është kryer fillimisht nga biznesmeni në vitin 2010 dhe ka vijuar, me shuma të ndryshme, deri në vitin 2012. Në këtë kohë, shtetasi E. Smaqi arrestohet dhe më tej dënohet nga gjykata e Tiranës për një vepër tjetër penale “vjedhje me dhunë” dhe dënohet me 5 vjet burgim.

Në maj të vitit 2014, shtetasi N. Smaqi merr leje nga burgu dhe, kontakton sërish me biznesmenin, duke i marrë sërish para, nën presionin se do t’i tregonte familjes së tij për raportet me E, Smaqi, ka arritur t’i marrë një shumë tjetër parash. Në këtë kohë, kallëzuesi është paraqitur pranë Prokurorisë për Krime të Rënda në qershor 2014 dhe ka bërë kallëzimin.

Gjatë kohës që po kryheshin hetime për këtë rast, Niko Smaqi merr sërish leje nga burgu në shtator 2014 dhe vijon sërish kërcënimet ndaj biznesmenit.

Në këtë mënyrë, Prokuroria për Krime të Rënda krijoi bindje të arsyeshme se nga ana e dy shtetasve bashkëshortë, janë kryer elementët e veprës penale për të cilën akuzohen. Nga verifikimet e deritanishme, rezulton se bashkëshortët, me anën e kërcënimit, i kanë marrë në total rreth 8.7 milionë lekë të reja.

Arrestimi i çiftit Smaqi është kryer vetëm pasi gjykata ka vendosur masën e arrestit në burg me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Vendimi i gjykatës është zbatuar pasditen e sotme nga forcat e Policisë së Tiranës. Hetimi ka filluar në bazë të kallëzimit të një shtetasi, dorëzuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)