Sjellja atipike e Liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës qyshkur u shpall i pafajshëm nga Tribunali i Hagës - diçka që kishte ndodhur me njerëzit e partisë së tij javë më parë - lehtësisht mund të shndërrohet në fundosje të projektit të tyre politik.
Ata, nga një parti ekstremisht opozitare, brenda pak ditësh janë shndërruar në parti ekstremisht konstruktive - njëjtë si Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit në kohën kur Partia Demokratike qeveriste me Lidhjen Demokratike.
Krejt e dimë se çfarë ndodhi me AKR’në në zgjedhjet e vitit 2010, e cila po të mos ndërtonte koalicion parazgjedhor me Partinë e Drejtësisë, Grupin e Ekspertëve dhe Partinë Socialdemokrate, tashmë do t’u bashkohej subjekteve që kanë mbetur jashtë Parlamentit.
Si në gjithçka tjetër, edhe në politikë është i rëndësishëm momenti kur ti zgjedh të afrohesh me një parti apo kur ti ofrohesh si kandidat për një post të caktuar.
Pikërisht këtu qëndron edhe problemi i Ramush Haradinajt.
Momentumi politik është kundër kandidaturës së tij për Kryeministër.
Sot Hashim Thaçi i ka partnerët në Qeveri. Pavarësisht se ka një grup të keq parlamentar, ai është kompakt dhe stabil, e çka është më e rëndësishmja, Shtetet e Quintit ia kanë siguruar atij votat e krejt partive opozitare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, për ta çuar përpara projektin kryesor të Qeverisë së tij: dialogun politik me Serbinë.
Sigurisht se ju kujtohen sjelljet e LDK’së së Isa Mustafës përpara se Hillary Clinton ta vizitonte Kosovën. Ismet Beqiri fliste njësoj si Alma Lama për dialogun me Serbinë. Po ashtu, para kësaj vizite, Hashim Thaçi kishte një grup parlamentar jashtëzakonisht të zhurmshëm dhe nuk mund të llogariste në ta pothuajse për asgjë që lidhet me bisedimet.
Sot është ndryshe.
Deputetët e LDK’së, pa kushte, do ta ngrenë dorën sa herë që të kërkohet prej tyre, duke i krijuar kështu Hashim Thaçit komoditet të jashtëzakonshëm.
Atëherë pse ai duhet t’ia lëshojë vendin Ramush Haradinajt?
Në këtë pyetje, madje as në AAK nuk mund të japin përgjigje bindëse.
Për hir të stabilitetit politik?
Për ta dinamizuar qeverisjen?
Për ta zgjidhur problemin e Veriut?
Nuk besoj.
Apo për hir të një ëndrre të parealizuar të Ramush Haradinajt që ta udhëheqë Qeverinë e Kosovës?
Kjo ka logjikë.
Megjithatë, duhet thënë se Hashim Thaçi nuk është njeri dorëlirë, ai bën gjithçka për t’i plotësuar ëndrrat dhe synimet e tij, por jo edhe ëndrrat dhe synimet e të tjerëve, aq më shumë në rastin e Ramush Haradinajt me të cilin ka ndërtuar raporte mosbesimi ndoshta që nga kohërat e luftës dhe sidomos pas vitit 2004, kur Lideri i AAK’së ia shtriu dorën Ibrahim Rugovës dhe u bë Kryeministër i Kosovës.
Në këtë kontekst, pyetja që shtrohet është çka nëse Hashim Thaçi thotë se - jo që nuk dua ta lëshoj karrigen e Kryeministrit Ramush Haradinajt, por as që dua të ndërtoj partneritet qeverisës me AAK’në?
A mundet Ramush Haradinaj t’i kthehet sërish jetës së tij prej politikani opozitar: Blerim Shala të tërhiqet nga pozita e Koordinatorit Politik në dialogun me Serbinë, Ardian Gjini t’u kthehet deklaratave për Qeveri të kapur nga strukturat kriminale të SHIK’ut, Daut Haradinaj të kërkojë dorëheqjen e Kryeministrit Hashim Thaçi derisa të sqarohen pohimet e Senatorit zviceran, Dick Martyt për trafikim organesh apo Ahmet Isufi të flasë sërish për polici të korruptuar.
Ndoshta edhe mund ta bëjnë këtë.
Këto ditë ne kemi parë Burim Ramadanin, i cili para disa javësh kërkonte hetime për veprimtarinë e SHIK’ut, teksa mbronte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Vlora Çitakun, Sami Lushtakun dhe Adem Grabovcin nga skandali i përgjimeve. Pra, “kundërshtari i përbetuar” i PDK’së fliste njësoj si anëtari i Kryesisë së PDK’së, Xhavit Haliti. Ndoshta, po Burim Ramadani pas disa javësh për të njëjtën çështje do të flasë me gjuhën që sot përdor deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Jam i bindur se elektorati nuk do ta përpijë këtë situatë, gjithnjë nëse Ramush Haradinaj synon të mbledhë vota edhe jashtë Zonës së tij Operative të Dukagjinit.
Megjithatë, edhe në politikë ka pak moral.
marrë nga Gazeta Express
(ad.ti/shqiptarja.com)