TIRANE - Organizatat për mbrojtjen e fëmijëve e cilësojnë raportin e fundit të INSTAT si një raport që duket serioz dhe për këtë duhet të merren masa të menjëhershme. “Studimi i fundit i INSTAT ndryshe nga studime të ngjashme të tjera të bërë më parë është më serioz, metotologjia e përdoruar për të është me një kampion, janë cilësorë dhe seriozë.

Prandaj duhet të merren masa të menjëhershme. Oranizatat e shoqërisë civile kanë disa vite që për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, kanë ngritur zërin në lidhje me përmirësimin e legjislacionit” thotë Belioza Çoku e organizatës për mbrojtjen e fëmijëve CRCA.

Çoku shprehet se “Nuk janë marrë masa si duhet për përballimin e krizës dhe familjet e varfra kanë shkuar akoma edhe më në fund. Kjo ka bërë që fëmijët e tyre të dalin në punë me prindërit. Ata janë të detyruar të mbledhin krom, apo edhe të bëjnë punë të tjera.

Nuk janë marrë masa për këto familje, që t’u ofrohet ndihmë ekonomike, në mënyrë që fëmijët mos të shfrytëzohen për punë. Por mbi të gjitha mos të detyrohen fëmijët të braktisin shkollën dhe po përgatisim një brez që është një minë me sahat për të ardhmen” shprehet ajo.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 14.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)