Një protestues me flamur në dorë, i cili shihet shpesh gjatë protestave thotë se arsye për protestat janë çmimet e larta dhe ndihmat e ulëta sociale, duke sjellë si shembull të atin.
“Si fillim, dola për pensionin e babit, çmimet e larta. Pensioni 120 mijë lekë pë rbabin, nuk i del për kafen, naftën, ushqimet e larta. Unë shpërndaj ujin nëpër Tiranë. Po u ngritën çmimet, s’ngre as rrogën ai”, tha ai.
Kohën për të dalë në protestë me flamur, e ndan mes punës dhe përkujdesjes ndaj babait.
“Kur ishte protesta para një jave, vija çdo darkë. Tani e gjej kohën, mbarova punën në 1 e gjysmë, jetoj vetëm me babin dhe përkujdesem për të, i bëra ushqimin gati se mund të rri edhe në 10-11”, vijon protestuesi.
Prania e tij me flamur e ka bërë të identifikohet edhe si ‘djali i flamurit’, gjë për të cilën s’e fsheh krenarinë.
“Kjo është e shkruar. Ishim dy çuna, po e valëvisnim në të dy bordurat. Më pas ai iku në ditën e tretë, s’di nga u zhduk dhe më ngeli flamuri mua. Jam me fat që e kam flamurin në dorë”, thotë ai.
Sipas tij, rruga drejt dialogut s’mund të jetë me karrige në bulevard, por me një takim të vërtetë në zyrën e kryeministrit.
“S’jam për dhunë, por edhe ai duhet të dialogojë me ata që është për të dialoguar. Jo të tallet me ne duke nxjerrë karrige. Aty është oborr, jo zyra e tij. Të dialogojë me studentët, pedagogët”, përfundoi protestuesi.
Lajmi kryesor:
Protesta në ditën e nëntë/ 2 orë e gjysmë pa asnjë akt dhune te Ministria e Arsimit, një grup protestuesish në bulevard (PAMJE ME DRON)







