VARSHAVË, Poloni - Trajneri Jan Urban i Polonisë ka folur në prag të ndeshjes kundër Shqipërisë, e vlefshme për gjysmëfinalen teke të play-off-it të Kupës së Botës 2026. Nesër në orën 20:45 në 'PGE Arena' të Varshavës pritet një duel i fortë, me trajnerin vendas që ka pranuar se Shqipëria përherë u ka shkaktuar probleme.
Trajneri përsëriti vazhdimisht se nuk donte të thoshte shumë për ekipin e tij, duke paralajmëruar se çdo fjali që shqiptonte po "përgjohej" nga Sylvinho , trajneri i Shqipërisë.
"Ne kemi një plan loje për këtë ndeshje, kemi pasur shumë kohë për të analizuar skuadrën shqiptare dhe për të vëzhguar lojtarët kryesorë. Mund të them se pres një ndeshje mjaft të hapur, edhe pse Shqipëria është e fortë në mbrojtje. Në secilën prej ndeshjeve tona të fundit, ata na kanë shkaktuar shumë probleme", tha ai.
Ai foli edhe për lojtarët e rinj që ka në ekip.
"Do të doja që ne ta kontrollonim këtë ndeshje. Do të përpiqemi të luajmë në mënyrë që ata të sillen ashtu siç duam ne. A do të arrijmë ta bëjmë këtë? Do ta zbulojmë nesër", shtoi ai.
Polonia vjen në përballjen me Shqipërinë dukshëm e dobësuar, pasi Nicola Zalewski u skualifikua për këtë ndeshje. Problemi më i madh për ekipin polak është mungesa e portierit Lukasz Skorupski, i cili ka një problem në kofshë dhe nuk do të kthehet deri në maj. Mungesa tjetër në skuadër është sulmuesi Adam Buksa.
Të dyja skuadrat janë përballur 15 herë në histori, me dhjetë fitore të Polonisë, dy fitore të Shqipërisë dhe tre barazime. Nga këto takime, vetëm pesë kanë qenë miqësore. Fitoret e Shqipërisë datojnë më 29 nëntor 1953, 2-0 në 'Qemal Stafa' me golat e Loro Boriçit dhe Refik Resmjas, si dhe në takimin e fundit mes tyre, po 2-0 më 10 shtator 2023 në 'Air Albania', me golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut.
Komente









