Cilat ishin vendimet përfundimtare të komisionit shtetëror për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë?
Vendimet përfundimtare në radhë të parë ishin për monumentet, pasi në mbledhjen e kaluar ishin marrë vendimet për monumentin e 100-vjetorit të pavarësisë, i cili është një monument përkujtimor dhe s’ka të bëjë me monumentin e Vlorës. Është krejt tjetër akti i ngritjes së një monumenti në Tiranë, sepse ai ka lidhje me ngjarjen aktuale, pra ka të bëjë me 100-vjetorin dhe natyrisht duhet të jetë në përkujtimoren e shtetit dhe të kombit. Së dyti, vendimet ishin edhe për një grup monumentesh që do të ngrihen me këtë rast në kryeqytet, siç është ai Mbretit Zog, që do të ngrihet në aksin e bulevardit me emrin e monarkut shqiptar. Në këtë rast u miratua varianti ceremonial, sepse ishte dhënë një vendim për një monument më tepër zyrtar, më tepër civil. Por më tepër kjo mbledhje u përqendrua mbi vendimin e shtatores së Ismail Qemalit, sepse mungon në Tiranë dhe ajo do të ngrihet pranë parlamentit. Aty pati një diskutim nëse do të duhej një shtatore me një Ismail Qemali të ulur apo në këmbë. Ismail Qemali i ulur ishte bërë nga skulptori Veli Blakçori, i dyti nga Odise Paskali. Monumenti i Odise Paskalit ka qenë në Muzeun Historik Kombëtar dhe u vendos që ai i Muzeut Kombëtar do vendoset në shesh dhe monumenti i paraqitur nga Blakçori të paraqitet në Muzeun Kombëtar. Me këtë vendim mbyllen monumentet kryesore, pasi është marrë edhe vendimi për monumentin e Hasan Prishtinës që do të vendoset në krah të Muzeut Kombëtar.
Pati vendime të tjera në perspektivë?
Vendime, po pati. Ishte një grup i dytë vendimesh për një listë të gjatë aktivitetesh që lidhen me 100-vjetorin e Pavarësisë, të cilat janë sintetizuar nga Ministria e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe përmblidhen veprimtaritë kulturore të parashikuara nga kjo ministri. Gjithashtu këtu përmblidhen edhe veprimtaritë e karakterit shkencor të parashikuara nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe nga Akademia e Shkencave, nga Biblioteka Kombëtare, nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe nga institucionet e tjera, të cilat u sintetizuan në një material që u miratua dje. Me këtë miratohet lista kryesore e veprimtarive dhe u dha udhëzimi që të përgatitet edhe dita e 28 nëntorit që nga mëngjesi deri në darkë; ku do të festohet, si do të festohet; me të ftuari; me pjesën e paradës; me krijimin e atmosferës festive, etj.
A pati një vendim të veçantë për ditën e 28 Nëntorit, sepse kuptohet festat, këngët, vallet janë ceremoni të njohura. Diçka më speciale?
Natyrisht në këto vendime akoma nuk është thënë diçka speciale. Ministria e Kulturës duhet të bëj një program për këtë, ku të përfshihet e gjithë kjo veprimtari, ku përveç anëve ceremoniale do të jetë një veprimtari me një imazh të qartë, ku do të fiksojë për popullin e kryeqytetit dhe për të gjithë kombin këtë përvjetor të shquar, që kemi fatin ta arrijmë e ta festojmë me një projekt të plotë.
A mund të na e bëni më të qartë sesi ka qenë e mundur të merret vendimi për sheshet e monumenteve. Duhet të ketë qenë një rast problematik?
Sheshet e monumenteve, e ke fjalën. Jo nuk pati ndonjë problem. Monumenti i 100-vjetorit do të vendoset tek Parku Rinia. Monumenti i Hasan Prishtinës do të vendoset në lulishten në krah të Muzeut Historik Kombëtar, kurse në mbledhjen e djeshme u vendos që monumenti i Mbretit Ahmet Zogu të vendoset në aksin e Bulevardit “Zog i Parë”, por do të vendoset në fund atje ku kryqëzohet me Unazën. Dhe Ismail Qemali do të jetë në lulishten që është në kah të Parlamentit nga jugu në pjesën e parkut.
Përfundimisht ju morët vendimin që për shtatoren e Ismail Qemalit të shërbejë një vepër e gatshme e Odise Paskalit. Është normale që një monument i projektuar për brenda mjedisit të muzeut të vihet jashtë në marrëdhënie me hapësirën?
Ai nuk është bërë vetëm për mjedis muzeu, sepse është një shtatore që qëndron në këmbë, kurse monumenti i Blakçorit i ulur qëndron ndoshta më mirë brenda në muze sesa në park, sepse Ismail Qemali duket sikur ka dalë për të pushuar.
Supozohet se monumenti fitues do të ketë edhe një shpërblim, si do të veprohet me Paskalin që nuk është më?
Nuk merret komisioni me këtë....
Po vendimet e tjera, për shembull, që do të vendoset një buxhet i caktuar, apo limit fondesh për veprimtaritë, a i diskuton komisioni i 100-vjetorit?
Patjetër që do të ketë vendime për buxhetin, me të po merret një grup pune tani dhe kuptohet që çdo veprimtari ka buxhetin e saj, por për secilën ka një grup pune që do ta vendosë.
Megjithatë shteti besoj se bën një plan paraparak, për shembull 100-vjetori i Pavarësisë do të kushtojë toalisht kaq.... Nuk ka një shifër limit që diskutohet në komisionin e 100-vjetorit?
Po ka. Nuk mund të them që s’ka. Afërsisht është një shifër afër 5 milionë euro (afër 7 milard lekë të vjetra-red). Është një shumë mjaft e madhe, ku gati 1 milionë euro (afër 1 miliardë e gjysme lekë të vjetra-red) do të shkojnë për ditën e 28 nëntorit, pra një e pesta, etj. Ky është totali që ka caktuar qeveria. Natyrisht që komisioni është treguar mjaft i kursyer me hartimin e projekteve, që sigurisht duhet të ruajnë cilësinë e organizmit.
Nga burimet e Ministrisë së Kulturës, dimë që janë bërë aktivitete të shumta, por fondet nuk janë tërhequr, nuk kanë kaluar atje. Është e vërtetë?
-Kanë kaluar fondet, por jo të gjitha. Kanë kaluar vetëm fondet për pjesën e konkursit. Për konkursin janë paguar, ndërkohë që ngelet pjesa e realizimit të monumenteve që nuk është paguar, sepse do zgjidhen edhe studiot e realizmit dhe ato do të paguhen. Ju e dini që shteti shqiptar nuk bënë porosi direkt, nuk është një privat. Dhe ai duhet të ketë një ofertë për realizmin në bronz të skulpturës, të cilën nuk e bën autori. Autori bën bocetin.
Më dolët tek një pyetje që e kisha lënë për më vonë. Ju thatë se shteti nuk porosit shtatore, por në Vlorë po ngrihet një shtatore e Ismail Qemalit dhe thuhet se është e porositur nga institucionet shtetërore?
-Jo ajo është porosi e Bashkisë së Vlorës dhe përveç të tjerave....
Bashkia e Vlorës, a nuk është institucion që përfaqëson shtetin?
E ka porositur Bashkia e Vlorës me një bashkërendim me komisionin dhe një nga miratimet e rëndësishme të djeshme ishte një bashkëfinancim i ndryshimeve që do të bëhen në Vlorë, në Sheshin e kryesor të qytetit dhe në Lungomar në rrugën e bregdetit.
Ka një problem këtu profesor Ceka. Kur u bë monumenti i Pavarësisë në Vlorë, u projektua në mënyrën më ideale të mundshme përmes një përzgjedhjeje konceptesh, talentesh, realizimesh. Autorët ishin mjeshtër të skulpturës monumentale. Si mund të porositet një shtatore e Ismail Qemalit në Vlorë nga një artist që është marrë gjithë jetën me skulptura në qeramikë, pavarësisht se është i talentuar në fushën e tij?
Komisioni nuk gjykon këto gjëra. Komisioni i sillet një seleksionim nga një grup specialistësh nga MKRS-ja ku drejtori i Galerisë së Arteve dhe specialistët të tjerë janë në komisionin e vlerësimeve. Komisionit i sillet rezultati i fundit, të bëjë vlerësimin nga njëshi deri tek pesa, p.sh...
Ju përmendët edhe një kontribut të anëtarëve të komisionit që jeni munduar shumë të kurseni. Në cilat pika do të kurseni.
Nuk do merrem unë me këto lloj intervistash. Çfarë pyetjesh më bëni. Ka një grup të vogël që do merret me parashikime me një zë të veçantë, nuk do të merret komisioni me gjëra të tilla; sa do të kushtojë një koncert festiv, sa do të kushtojë një shtatore etj. Janë grupe më të vogla që bëjnë këto vlerësime, që janë specialistë nga financat.