Rrjeti u zbulua nga hetimet e shërbimi sekret çek. Kryeministri çek, Petr Fiala, se portali i lajmeve "Zëri i Evropës" me qendër në Pragë ka qenë baza e aktiviteteve, prej nga ku ky rrjet përhap propagandën e tij. Synimi ishte që Bashkimi Evropian të ndalonte së ofruari ndihmë për Ukrainën në luftën kundër Rusisë.
E përditshmja çeke "Denik N" njoftoi se portali kishte publikuar deklarata politikanësh nga vende të ndryshme të Evropës, që i bënin thirrje BE-së të ndalonte ndihmën ndaj Ukrainës. Politikanët evropianë që bashkëpunonin me portalin paguheshin me para nga Rusia. Në disa raste thuhet se Rusia ka paguar madje edhe për fushatat e tyre elektorale për zgjedhjet evropiane në qershor.
Para në dorë dhe kriptomonedha
Sipas hulumtimeve të revistës gjermane "Der Spiegel” paratë u janë dorëzuar politikanëve në dorë gjatë takimeve personale në Pragë ose u janë paguar në kriptovaluta. Sipas "Der Spiegel" bëhet fjalë për disa qindra-mijëra euro.
Pagesa kanë marrë politikanë nga Gjermania, Belgjika, Franca, Hungaria, Holanda dhe Polonia, shkruan "Der Spiegel" duke cituar një burim në Ministrinë e Jashtme Çeke. Sipas të përditshmes çeke "Denik N” e përfshirë ka qenë edhe partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, AfD.
Kandidati kryesor i AfD-së për zgjedhjet e ardhshme europiane, Maximilian Krah, ka dhënë disa intervista për portalin "Zëri i Europës”. I pyetur nga mediat pas publikimit të akuzave Krah e konfirmoi se ka dhënë intervista, por tha se nuk kishte marrë para për to. Edhe një politikan tjetër i lartë i AfD-së, Petr Bystrom, tha se ka dhënë një intervistë për "Zërin e Europës” por e mohon se është paguar për të.
Kryeministri çek Petr Fiala tha se pas faqes "Zëri i Evropës" qëndron oligarku prorus me origjinë ukrainase, Viktor Medvedcuk. Ai u akuzua në Ukrainë për tradhti, por shkoi në Rusi në kuadër të shkëmbimit të të burgosurve. Medvedcuk konsiderohet si njeri i besuar i presidentit rus, Vladimir Putin./ DW