Me një ekspozitë fotografish që risjell në kujtesë krimet e periudhës së regjimit komunist, edicioni i 7-të i “Ditëve të Kujtesës” është ndalur këtë të premte në qendër të qytetit të Korçës.

Dokumente dhe figura historike të përndjekurve politikë në kohën e errët të diktaturës vijnë në qendër të ekspozitës ku morën pjesë qytetarë e studentë të shumtë të cilët firmosën dhe peticionin për dekomunistizim dhe drejtësi.

“Një popull që harron të kaluarën është i vdekur. Ato që ka përjetuar ky popull në veçanti. Mos harroni edhe Korça ka një dozë të madhe persekutimi se ka qene rreth kufitar. U persekutua që të ngjallej ajo psikoza e frikës dhe dhunës”, u shpreh Ylber Merdani, kryetar nderi i Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë, Korçë.

Jonila Godole, Drejtuesja e Institucionit për Demokraci, Media dhe Kulturë e quajti ekspozitën një mënyrë për të sjellë një kujtesë simbolike për brezat e rinj që ende nuk i njohin atë pjesë të së kaluarës historike të vendit.

“Shpresoj shumë që ta zgjerojmë këtë ekspozitë dhe të jetë dikur edhe pjesë e përhershme e muzeut të Korçës. Me anë të këtyre aktiviteteve ne synojmë edhe ndërgjegjësimin e brezit të ri, i cili po rritet pa një kujtesë historike”, tha Jonila Godole, Drejtuesja e IDMC.

"Ditët e Kujtesës” organizohet për të shtatin vit radhazi në Shqipëri nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Fondacionin gjerman “Konrad Adenauer” që nga viti 2016.