TIRANË - Hyrje për në Parkun e Liqenit do të ndryshojë tërësisht. Për këtë qëllim u çel Konkursi Ndërkombëtar për Masterplanin e Hyrjes së Parkut të Tiranës, ku 11 ekipe me arkitektë e urbanistë kanë shprehur idetë për zhvillimin e kësaj hapësire. I pranishëm në çeljen e konkursit kryeministri Edi Rama premtoi një transformim rrënjësor të zonës.

“Ne jemi shumë të inkurajuar nga fakti që në këtë konkurs kanë shprehur interes shumë studio të njohura ndërkombëtare dhe një numër i konsiderueshëm prej tyre janë sot këtu, për të ballafaquar propozimet përballë një jurie prestigjioze, që do të na ndihmojë që të marrim një konkluzion sa më në mbështetje të aspiratës sonë për ta transformuar këtë hapësirë, që sot për sot është një hapësirë me potencial të madh, por tërësisht e vdekur në qendër të kryeqytetit,”- u shpreh kryeministri.

Ai shpjegoi disa nga qëllimet e kësaj iniciative, sic është zgjerimi i universitetit, dhe ndërtimi i qendrave të ndihmesës së qytetarëve. “Së pari, krijimin e qendrës inovative të shërbimeve publike, një qendër e cila do t’i japë të gjitha shërbimet e përqendruara për publikun përmes një sistemi tërësisht inovativ, që do të përbëje edhe rrëzimin e të gjitha mureve të burokracisë për qytetarët, që sot e gjithë ditën enden nga sporteli në sportel,”-tha kryeministri.

Projektet kanë parashikuar dhe një qendër për policinë e shtetit, ku do të zhvendosen drejtuesit e saj.

Së dyti, qendrën e re moderne për Policinë e Shtetit, që do të jetë një hapësirë në dispozicion të Policisë së Shtetit, për të akomoduar strukturat drejtuese të saj, por njëkohësisht, edhe një hapësirë ku do të gjejë vend gjithë projekti dhe programi i inovacionit për Policinë e Shtetit,”- tha Rama.