1761045894_Screenshot4.jpg

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, pjesë e tryezës së reformës zgjedhore në Konferencën me temë “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias, u shpreh se mazhoranca dhe opozita duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të pasur ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Nëse reforma shtyhet, sipas tij, do të jemi sërish në të njëjtën situatë.

“Mendoj që mazhoranca më së shumti mbi të gjitha dhe opozita duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të pasur ndryshimet që duhet të dakordësohen sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse Reforma Zgjedhore do të vijojë të shtyhet dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor do datojnë vetëm disa muaj para zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, pasi atyre po i referohem, mendoj që do të jemi në të njëjtën situatë. Dikush do fitojë zgjedhjet, ai që do humbasë do kontestojë dhe do thotë që i humbëm për këtë ose për këtë arsye”, tha Celibashi.

Sipas Celibashit, nëse Kodi i ri Zgjedhor miratohet brenda një viti, ka premisa për përmirësimin e standardit të zgjedhjeve të ardhshme. Gjatë konferencës, Celibashi foli dhe për përbërjen e komisioneve zgjedhore. Sipas tij është koha për të larguar përbërjen vetëm politike dhe partiake të këtyre komisioneve. Kryekomisioneri u shpreh edhe kundër propozimit të mazhorancës që komisionet të formohen vetëm me nëpunës të administratës civile.

“Me mënyrën e organizimit dhe funksionimit të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta. Përbërja vetëm politike partiake e këtyre komisioneve nuk kontribuon në integritetin procesit zgjedhor, në transparencë, apo elementë të tjerë. Nuk jam për opsionin që propozon mazhoranca ku të gjithë anëtarët të jenë nëpunës civil. Mendoj që akoma nuk është koha që përbërja politike të përjashtohet tërësisht nga procesi zgjedhor, por roli i tyre nuk duhet të jetë parësor, nuk do duhet të jetë parësor. Ka formula hibride që nuk cënojnë standardin teknik të administrimit të procesit”, tha Celbashi.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve tha se duhen rikonsideruar edhe rregullat që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin e partive politike, financimin e tyre periodik dhe veçanërisht financimin e fushatave zgjedhore të partive politike dhe subjekteve zgjedhore. Një tjetër çështje ishte edhe ajo e rregullave për fushatën zgjedhore.

“Rregullat për fushatën zgjedhore. Në Kodin Zgjedhor, rregullat adresojnë zhvillimin e fushatës në mediat tradicionale, asgjë për mediat sociale”, tha Celibashi.

Ai tha se duhet vendosur për mënyrën e votimit, nëse do të jetë elektronik apo jo si dhe duhet të rishikohen rregullat për ankimimet zgjedhore.


Lajmi kryesor:

PS e PD përplasen për Reformën Zgjedhore, Komisioni i Venecias: Mos ndryshoni ligjet për çdo zgjedhje