TIRANË- Aldo Bumçi, pjesë e Grupit të Rithemelimit ka komentuar çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE. Në një intervistë për emisionin ‘Pa Protokoll’ të gazetares Anduela Ndreu në Report Tv, ai thotë se ky është një zhvillim pozitiv për vendin, por shumë i vonuar.

Sipas tij, negociatat duhet të ishin hapur rreth 5 vite më parë, ndërsa shprehet se kjo nuk ishte një meritë e kryeministrit Edi Rama. Sipas Bumçit, vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë ka ardhur si rrjedhojë e luftës në Ukrainë dhe pasigurisë në Ballkan.

“Zhvillim pozitiv, por erdhi me shumë vonesë, duhet të ishin hapur 5 vite më parë që ka dy shkaktarë Ramën dhe qeverisën e tij. Rama ka zhbërë të gjitha standardet e demokratike, të të drejtave të njeriut dhe ekonomisë së tregut. Nuk ka vend për të festuar, lajmi shumë i vonuar siç është i vonuar arsyet që e kanë vonuar qëndrojnë sot. Në fjalinë e tij se heq maskën dhe tregon autoritarin që është. Goditi rëndë opozitën dhe vetëm një vend e bën atë”, tha Bumçi.

Ai ka komentuar edhe mungesën e opozitës në Bruksel, ditën kur u çelën negociatat.

“Në një vend demokratik nuk merret kryeministri me opozitën. Ky është një diktator që ka qëlluar të jetojë në kohë demokratike. Shqipëria dhe Serbia si të gjitha raporteve janë dy regjimet autoritare në rajon. Thotë që nuk e di kush është opozita. Kjo është mendësia diktatoriale e këtij njeriu që është kryeministër. Po aq qytetarë kanë votuar Ramën vjet, Kush e mundi në Shkodër, kush e mbushi bulevardin”, tha Bumçi.

Një ditë pas çeljes së negociatave me Bashkimin Europian, në godinën e kryeministrisë është ngritur flamuri i BE-së. Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin kryeministri Edi Rama, diplomatë të huaj, krerët e komuniteteve fetare, si dhe ministra e deputetë të PS-së, ndërsa mungonte opozita. 

Më 19 korrik Shqipëria shënoi një hap historik drejt integrimit të vendit në BE, atë të çeljes së negociatave, pas pritjes disa vjeçare. Kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej.