TIRANË- Një ditë pas çeljes së negociatave me Bashkimin Europian, sot në godinën e kryeministrisë është ngritur flamuri i BE-së. Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin kryeministri Edi Rama, diplomatë të huaj, krerët e komuniteteve fetare, si dhe ministra e deputetë të PS-së, ndërsa mungonte opozita. 

Kryeministri Rama i cili mbajti edhe një fjalim përshëndetës, tha se do të kishte dashur që opozita të ishte e pranishme, pasi ky nivel i ri marrëdhëniesh kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës, por ato ndodhen në një hendek që bie ndesh me frymën dhe logjikën e BE-së. 

'Opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe logjikën e Bashkimit Evropian që nga minimi i demokracisë dhe korrupsioni dhe një pjesë tjetër e cila nuk është damkosur, por edhe po i ftove nuk vijnë se kanë frika nga e para.'- tha Rama.

Ngritja e këtij flamuri tha kreu i qeverisë, Edi Rama e çon Shqipërinë në një tjetër nivel. Rama kërkoi edhe nga drejtësia e re që të japë kontributin e saj në këtë rrugëtim dhe tu mos u mohojë gjeneratës së re të ardhmen evropiane.

‘Ngritja e këtij flamuri sot në selinë e kryeministrisë shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel. Ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënies së shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me standardet europiane.’- tha Rama.

Një ditë më parë (19 korrik) Shqipëria shënoi një hap historik drejt integrimit të vendit në BE, atë të çeljes së negociatave, pas pritjes disa vjeçare. Kryeministri Rama tha se tashmë bëhet fjalë për një rrugëtim për jetë a vdekje në në vrapin e fundit drejt anëtarësimit të plotë. Eurokomisioneri Varhelyi dhe Borell vlerësuan përpjekjet e qeverisë dhe thanë se tashmë duhet konsensus politik për të ecur më tej. 

Në konferencën e parë ndërqeveritare me vendet anëtare, mbajtur në Bruksel, kryeministri Edi Rama tha se Bashkimi Evropian është fati i shqiptarëve, teksa këtë moment, e cilësoi fillimin për transformimin e vendit. Hapjen e negociatave e quan tërësisht të merituar, e për ta vërtetuar këtë, bëri një paralelizëm mes drejtësisë së vjetër e asaj të re. Komisioneri për Politikën e jashtme në Bashkimin Evropian, Joseph Borrel tha se me Shqipërinë, Europa do të plotësojë vetveten.

Vendimi për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, u mor ditën e shtunë, pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut prej kohësh, kishin mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që bllokuan integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:08
Rama apel drejtësisë: Anëtarësimi në BE varet edhe nga puna juaj, mos u mohoni fëmijëve Shqipërinë Evropiane

Gjatë fjalës së tij para ambienteve të kryeministrisë,  Rama kërkoi nga drejtësia e re që të jap kontributin e saj në këtë rrugëtim dhe tu mos u mohojë gjeneratës së re të ardhmen evropiane.

'Edhe ligji dhe drejtësia hyjnë në një shkallë të re vështirësie e duke i falënderuar për praninë e tyre si kontributorë të pazëvëndësueshëm në ndërtimin e kësaj rruge të atdheut drejt të ardhmes, dua tu them sot edhe përfaqësuesve të drejtësisë së re se shpejtësia e anëtarësimit të vendit të fëmijëve tanë në Bashkimin Europian do varet shumë edhe nga integriteti dhe nga puna e tyre.

Mos ua mohoni për asgjë në botë fëmijëve tuaj Shqipërinë europiane që meritojnë dhe jini të bindur se për sa kohë, të paktën unë do të jem këtu, shumica qeverisëse e Shqipërisë nuk do të bëhet kurrë mburoja e asnjë subjekti të punës suaj ashtu sikundër ju nuk do të ndiheni kurrë vetëm në luftën tuaj me korrupsionin dhe me krimin e organizuar.

Ngritja e flamurit të Bashkimit Europian në institucionet tona do të thotë ngritje pikërisht e kësaj lufte në një në nivel tjetër, ashtu sikundër do të thotë edhe ngritje e qeverisjes në një nivel të ri në çdo drejtim, por edhe ngritje e frymës kritike në tërësi në një shkallë të re.'- tha Rama.

Ora 09:08
Hapja e negociatave, Rama: Barra më e madhe e detyrimeve bie mbi qeverinë time, por ne na takon të jemi zgjidhja jo problemi

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij para kryeministrisë tha se barra më e madhe për anëtarësimin në BE, i takon qeverisë, ndërsa shtoi se ato duhet të jenë zgjidhja dhe jo problemi

“Thënë të gjitha këto më lejoni ta mbyll se jam shumë i vetëdijshëm që flamuri që do të ngremë solemnisht, barrën e vendos mbi qeverinë që unë drejtoj, të gjithë kanë kusuret dhe të metat e tyre, prandaj edhe më shumë se të gjithë të tjerët ne mund të jemi edhe problemi edhe zgjidhja. Na takon ne të jemi zgjidhja, pa harruar asnjë ditë se jemi ne që mbetemi problemi.

Shqipëria bëhet, ne shqiptarët e sotëm duhet dhe mund ta bëjmë Shqipërinë. Kjo kohë që na ra për hise mbi dheun tonë na dha një mundësi të artë që të tjerët nuk e patën, rrugëtimin në Bashkimin Evropian. I cili është një rrugëtim drejt lirisë dhe jo robërisë, drejt paqes jo drejt luftës.

Ky është rrugëtimi i parë i historisë tonë që të bëjmë shtetin e parë që meritojnë fëmijët tanë. I falenderoj sot të gjithë Shqiptarët që me besimin e tyre më bënë një pjesë kaq të rëndësishme të këtij udhëtimi. Ju kërkoj ndjesë për gabimet e mia, pasi asnjë prej tyre nuk është një gabim për të përfituar në kurriz të të tjerëve”, tha Rama.

Ora 08:46
Në godinën e kryeministrisë ngrihet flamuri i BE-së, Rama thumbon opozitën: Ndodhet në një hendek që bie ndesh me frymën dhe logjikën e BE-së

 

Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e ngritjes së flamurit të BE-së në godinën e kryeministrisë, tha se do kishte dashur që të ishte edhe opozita, por ato janë në një hendek që bie ndesh me frymën dhe logjikën e BE-së.

'Do kisha dashur shumë që sot të mund të ishte këtu dhe opozita, jo thjeshtë sepse jo gjithçka që është arritur në këtë rrugë të gjatë mban vulën e palës sonë, por sepse ky nivel i ri marrëdhëniesh i Shqipërisë me Bashkimin Europian, natyrshëm, kërkon edhe një nivel të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës.

Mirëpo, sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe me logjikën e marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Shqipërinë, që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë dhe një pjese tjetër, e cila ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë dhe këta të dytët, edhe kur i fton nuk vijnë sepse kanë frikë nga të parët. Kështu që, hë për hë, do bëjmë siç kemi bërë gjithmonë se gjë tjetër nuk bëjmë dot edhe po të duam.'- tha Rama.