“Nis një tjetër rrugëtim që do të na detyrojë të përshtasim komplet legjislacionin tonë me legjislacionin europian”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj pasi më në fund kanë nisur bisedimet zyrtare në tryezë me Bashkimin Europian.
Në një intervistë për Report Tv në emisionin “Studio Live” nga Arbër Hitaj, u përmend dhe kushti për reformën në drejtësi, për të cilën Felaj tha se u kuptua se çfarë po ndodh në drejtësi pasi javën e kaluar u dëgjuan në Kuvend të gjithë krerët e organeve të drejtësisë.
“Nis një tjetër rrugëtim që do të na detyrojë të përshtasim komplet legjislacionin tonë me legjislacionin europian, por kjo jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje e sjellje. Kjo është rruga e duhur e europianizimit. Ka qenë kusht drejtësia, reforma në drejtësi posacërisht. Është bërë shumë cka dhe nuk mund të mohohen frytet e drejtësisë. Jo më larg se java e kaluar diskutuam me të gjithë krerët e organeve të drejtësisë dhe ishte mundësia më e mirë që parlamenti të kuptojë se cfarë po ndodh në drejtësi. E gjitha duket në rrugën e duhur dhe ka një tjetër qëndrim nga parlamenti dhe qeveria për instrumenta të rinj ligjvënës, të cilët do të shërbejnë për zgjidhjen e problematikave të caktuara”, tha Felaj.
Sa i përket bojkotit të avokatëve që kundërhstojnë hartën e re gjyqësore, Felaj thotë se është kundër. Teksa kujton dëgjesën që u mbajt në Komisionin e Ligjeve, u shpreh se nuk u soll asnjë asnjë argument që të vinte në dyshim moszbatimin e kritereve që parashikon ligji.
“Harta aktuale nuk mund të qëndrojë se këtë e thotë ligji. Ndaj lindi nevoja e përcaktimit të rretheve të reja gjyqësore sipas kritereve të ligjit. Edhe gjatë dëgjesës nuk u soll asnjë argument që të vinte në dyshim moszbatimin e kritereve që parashikon ligji ose zbatimin e ndonjë kriteri i cili do ishte diskrecion i ministrit apo i KLGJ dhe jo i ligjit. Besoj se është zgjidhje e duhur. Qëndrimet e bojkotit të seancave gjyqësore nuk janë qëndrimet që na duhen. Bojkoti nuk ka rezultuar asnjëherë pozitiv”, tha Felaj.
Aktualisht Shqipëria ka 6 apele në të gjithë vendin dhe reduktohet në një Apel kombëtar ndërsa 13 do të jetë numri i gjykatave të shkallës së parë nga 22 që është aktualisht. Me vendimin e ri të KLGJ për hartën e re gjyqësore shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.