'Çelja e negociatave, moment historik', Spiropali apel partive politike: Së bashku një zë në mbrojtje të interesit kombëtar

'Çelja e negociatave, moment historik', Spiropali apel partive politike: Së bashku një zë në mbrojtje të interesit kombëtar

1585071339_1573233555spiropali.jpg

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar përsa i përket vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së për çeljen e  negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, Spiropali thekson se ky është një moment historik për të ardhmen evropiane të vendit.

“Sot, jemi në momentin më të mirë historik në raport me të ardhmen tonë europiane. Vendet e BE, edhe pse të ngërthyera nga ngurrimi për zgjerim prej politikave populiste lokale, në mes të një krizë shëndetësore dhe humanitare, vendosën përmes Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, të na afrojnë në vatrën e përbashkët, duke çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shkruan Spiropali, ndërsa iu bën thirrje partive politike që njëzëri të mbrojnë interesin kombëtar.

"Në Parlamentin tonë dhe në foltoret e partive, kusur mos të lëmë për të mbrojtur ndryshimet mes nesh, por për interesin kombëtar të kemi vetëm një zë. Ta thyejmë traditën e shëmtuar historike të asgjësimit të kundërshtarit duke plagosur vet Shqipërinë. Mundemi! Kemi dashurinë, vullnetin, përvojën, dhe gjithçka duhet për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo jetojnë."

Postimi i plotë i Spiropalit:

FORCA SHQIPËRI

Në 1990-ën studentët kërkuan Shqipërinë si gjithë Europa, pra kthimin e Shqipërisë në sofrën e familjes së saj natyrale. Ajo thirrje e brendshme e ulëritur së jashtmi ishte më e fortë se çdo konferencë, kongres, anti-miting, parakalim. Ishte, mes të tjerash, esenca e vet historisë shqiptare në kontradiktën e thellë e të qënurit një nga vatrat më të hershme të kontinentit, dhe njëkohësisht e ndarë dhunshëm nga kjo përkatësi prej pushtimit osman dhe komunizmit totalitar.

Sot, jemi në momentin më të mirë historik në raport me të ardhmen tonë europiane. Vendet e BE, edhe pse të ngërthyera nga ngurrimi për zgjerim prej politikave populiste lokale, në mes të një krizë shëndetësore dhe humanitare, vendosën përmes Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, të na afrojnë në vatrën e përbashkët, duke çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, jo më kot, por për arsyet e forta të reformave të thella dhe të guximshme të ndërmarra me vendosmëri të palëkundur, edhe përballë kundërshtive më të egra dhe shpotive më cinike.

Nga ky moment historik e tutje, shqiptarët duhet të bashkohen për realizimin e kësaj aspirate madhore deri në anëtarësim të plotë. Duhet t'i flasim Europës dhe botës të gjithë me të njëjtën gjuhë. Në Parlamentin tonë dhe në foltoret e partive, kusur mos të lëmë për të mbrojtur ndryshimet mes nesh, por për interesin kombëtar të kemi vetëm një zë. Ta thyejmë traditën e shëmtuar historike të asgjësimit të kundërshtarit duke plagosur vet Shqipërinë. Mundemi! Kemi dashurinë, vullnetin, përvojën, dhe gjithçka duhet për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo jetojnë.


Lajmi kryesor:

Vendimi i shumëpritur në një moment të vështirë! BE çel negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut


  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë