TIRANË- Në morinë e lajmeve të përditshme, ku dita-ditës rëndohet bilanci i të prekurve me koronavirus, Shqipëria ka marrë një lajm të mirë, të shumëpritur për vite me radhë. Bashkimi Europian çel negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimin Europian kanë rënë dakord njëzëri në mbledhjen e sotme online që të japin dritën jeshile për çeljen e bisedimeve me Bashkimin Europian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Një lajm i tillë është konfirmuar edhe nga Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili thekson se ky vendim është një mesazh i rëndësishëm për dy vendet që e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.

“Shumë i kënaqur që vendet anëtare të BE-së arritën sot  një marrëveshje politike për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë i uroj me gjithë zemër të dy vendet. Ky është një mesazh se Ballkani Perëndimor: E ardhmja juaj është në BE”, shkruan ai.

Postimi i plotë i Varhelyi në anglisht

Nga ana tjetër, fitore e merituar e quan Ministri gjerman i Evropës, Michael Roth, çeljen e bisedimeve me BE-në. “Lajm i mirë në këto kohë të errëta: më në fund drita jeshile në Këshillin e Ministrave të sotëm për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me miqtë tanë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Fitore për BE-në dhe Ballkanin Përëndimor. Urime në Tiranën dhe Shkupin, është e merituar”, shkruan Roth.

Postimi i plotë i Michael Roth në anglisht

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:40
Çelja e negociatave, Ervin Salianji: Lajm pozitiv, kushtet e BE-së duken si thirrje për rotacion

1585082512_salinaji.jpg

Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji ka reaguar pas vendimit për çeljen e bisedimeve për anëtarësim.

Salianji e konsideron lajm të mirë, por shkruan se bëhet pasi janë hapur negociatat prej vitit 2011 për Serbinë, vitit 2012 për Malin e Zi, dhe pa asnjë kusht sot për Maqedoninë e Veriut!

Ai i konsideron kushtet e BE-së si thirrje për rotacion, si kusht që na afron më shumë standartet perëndimore, drejt demokracisë funksionale.

Postimi i plotë:

BE jep Ok për negociatat! Më në fund një lajm i mirë për qytetarët, lajm i mirë nuk kthehet kurrë ne arritje konkrete nese nuk kuptohet si detyrim.

Kushtet e BE duken si thirrje për rrotacion, si kusht qê na afron më shumë standartet perendimore, drejt demokracisë funksionale, me institucione të forta që vijnë nga zgjedhje të lira, me lufte ndaj krimit dhe korrupsionit, me pavaresi të institucioneve të pavarura dhe garantim të lirive dhe të drejtave

Hapja e negociatave për bëhet pasi janë hapur negociatat prej vitit 2011 për Serbine, vitit 2012 për Malin e Zi, dhe pa asnjë kusht sot për Maqedoninë e Veriut!

Shqipëria ishte e para nder vendet e Ballkanit Perendimor, qeveria e Partisë Demokratike nenshkroi nder te parat marreveshjen e Stabilizim asocimit, hoqi vizat pas nje pune voluminoze dhe te matshme ne permiresimin e sherbimeve, luften ndaj krimit te organizuar dhe korrupsionit, krijimit te sistemit online te gjendjes civile, pashaportave biometrike etj.

Sot për fat te keq jemi te fundit, hapja e negociatave me kaq shumë kushte dhe pasi i është dhene ok gjithe vendeve te rajonit tregon mangesite e punes se qeverise, ne fakt lajmi i sotem është si me nxenesin e keq, qe duke qene i vetmi qe po ngelet ne klase mesuesi i jep pyetjet e provimit para… pooor nuk do te thote se ka kaluar klasen nese nuk bën as këto detyra.

Gjithsesi për Shqipërinë dhe qytetaret është nje lajm pozitiv, BE dhe familja evropiane tregoi qe nuk e ka hequr vemendjen ndaj popullit me pro perendimor ne Ballkan!

Ora 20:55
'Negociatat, rreze shprese mes kësaj krize', Xhaçka: Me kurajo dhe besim të shohim nga e ardhmja, do ta kalojmë dhe këtë

1585079857_1575019663oltaxhacka.jpg

“Një rreze shprese mes kësaj krize”, kështu e ka cilësuar Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për çeljen e  negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të dhënë në këtë kohë krize shëndetësore për shkak të koronavirus.

“Prandaj sot, le të gjejmë kurajon e besimin për të parë me shpresë drejt të ardhmes, përtej krizës ku jemi sot, të cilën do ta kalojmë të gjithë së bashku...”, ka thënë  më tej ministrja.

As situata e vështirë që po kalojmë sot, nuk e zbeh dot rëndësinë e lajmit për hapjen e negociatave. Përkundrazi, ky lajm është si një rreze shprese mes kësaj krize, ku ka aq shumë nevojë për të shpresuar e besuar tek e ardhmja. Jemi sot një hap më pranë Europës, jemi sot një hap më pranë ëndrrës për të cilën kemi punuar, sakrifikuar e pritur aq shumë. Prandaj sot, le të gjejmë kurajon e besimin për të parë me shpresë drejt të ardhmes, përtej krizës ku jemi sot, të cilën do ta kalojmë të gjithë së bashku, duke nxjerrë në pah më të mirën, ashtu siç ka bërë ky popull gjithmonë sa herë që natyra apo historia e ka përballur me kriza, sfida e vështirësi”, shkruan Xhaçka.

Ora 20:00
Çelja e negociatave, ish-ministrja: Vendimi në parim nuk do të thotë fillim i menjëhershëm i kapitujve. Duhen plotësuar 15 kushte

1585076867_301239.jpg

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, në një reagim referuar çeljes së negociatave të Shqipërisë nga BE, është shprehur se ky hap në parim nuk do të thotë fillim i menjëhershëm i kapitujve, pasi sipas saj duhet të plotësohen 15 kushte.

“Vendimi i sotëm i Këshillit Europian për të mbështetur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, rikonfirmon edhe një herë perspektivën europiane të vendeve tona.
Celja e negociatave në parim nuk do të thotë fillim i menjëhershëm i kapitujve. Vendet anëtare kanë ndjekur një strategji ndryshe për t’i bërë vendet tona më të përgjegjshme për detyrimet dhe plotësimin e plot 15 kushteve, para konferencës së parë ndërqeveritare, e cila ende mbetet pezull dhe pa afat kohor.
Ky është një vendim për të inkurajuar qytetarët dhe për të vendosur në punë qeverinë dhe politikën.
Ndonëse në kohë të vështira si ky i Covid-19, perspektiva jonë europiane mbetet gjithnjë një prioritet i patjetërsueshëm!”,
shkruan Gjosha.

Ora 19:56
Negociatat, Hajdari: Qëndrova në Kuvend jashtë vullnetit të PD për Shqipërinë me BE (VIDEO)

Kryetarja e Grupit Parlamentar demokrat Rudina Hajdari ka reaguar përsa i përket vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së për çeljen e  negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Hajdari shprehet se ky moment është pikërisht ai për të cilin ajo kishte luftuar gjatë gjithë angazhimit të saj politik dhe arsyeja pse ajo mori vendimin për të dalë kundër Partisë Demokratike dhe qëndruar në Parlament.

“Në çdo ditë time në parlament që prej fillimit të angazhimit tim politik, por edhe në çdo moment që kam qëndruar në Parlament duke marrë një vendim goxha të vështirë kundër Partisë Demokratike ishte për një qëllim të vetëm: Pikërish për të mbështetur Shqipërinë rreth rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian.

Dua të falënderoj patjetër opozitën parlamentare që ka punuar dhe luftuar fortë për këtë moment të sotëm. Patjetër që duhet falenderuar edhe opozita jashtëparlamentare për angazhimin që mori në Reformën Zgjedhore. Por kjo betejë nuk mbaron këtu. Ne duhet të vazhdojmë me Reformën Zgjedhore”, shprehet Hajdari.

Ora 19:19
BE jep dritën jeshile/ Wadephul: Inkurajim për popullin, plotësimi i kushteve do monitorohet me rreptësi

Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU / CSU, Johann David Wadephul e ka cilësuar dritën jeshile të dhënë nga BE për hapjen e negociatave s një shenjë inkurajimi dhe shprese për njerëzit, ndërsa shtoi së zbatimi i kushteve të vendosura do të shihet me vëmendje të madhe dhe të rreptë në zbatimin e tyre.

 “Vendimi i sotëm nga Ministrat Evropianë të Bashkimit Evropian konfirmon perspektivën e BE për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është një shenjë inkurajimi dhe shprese për njerëzit, veçanërisht në periudhat e vështira të krizës Corona, të cilat po prekin të dy vendet në një masë të konsiderueshme.  Fakti që vendet anëtare tani kanë parashtruar 15 parakushte tregon se ata presin që Komisioni i BE të monitorojë përparimin në mënyrë të konsiderueshme në mënyrë më të rreptë dhe të kujdesshme. Kjo duhet të vlejë për përmbushjen e 15 parakushteve, si dhe për të gjithë procesin e bisedimeve. Ne jemi të bindur që Komisioni i ri i BE nën Presidentin Ursula von der Leyen do ta marrë parasysh këtë. Grupi parlamentar CSU / CSU, së bashku me partnerët e tij evropianë, do të jenë bindës se 15 parakushtet duhet të përmbushen plotësisht para se të fillojnë negociatat e pranimit", shkruan Wadephul

Ora 18:34
'Çelja e negociatave, moment historik', Spiropali apel partive politike: Së bashku një zë në mbrojtje të interesit kombëtar

1585071339_1573233555spiropali.jpg

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar përsa i përket vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së për çeljen e  negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, Spiropali thekson se ky është një moment historik për të ardhmen evropiane të vendit.

“Sot, jemi në momentin më të mirë historik në raport me të ardhmen tonë europiane. Vendet e BE, edhe pse të ngërthyera nga ngurrimi për zgjerim prej politikave populiste lokale, në mes të një krizë shëndetësore dhe humanitare, vendosën përmes Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, të na afrojnë në vatrën e përbashkët, duke çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shkruan Spiropali, ndërsa iu bën thirrje partive politike që njëzëri të mbrojnë interesin kombëtar.

"Në Parlamentin tonë dhe në foltoret e partive, kusur mos të lëmë për të mbrojtur ndryshimet mes nesh, por për interesin kombëtar të kemi vetëm një zë. Ta thyejmë traditën e shëmtuar historike të asgjësimit të kundërshtarit duke plagosur vet Shqipërinë. Mundemi! Kemi dashurinë, vullnetin, përvojën, dhe gjithçka duhet për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo jetojnë."

Postimi i plotë i Spiropalit:

FORCA SHQIPËRI

Në 1990-ën studentët kërkuan Shqipërinë si gjithë Europa, pra kthimin e Shqipërisë në sofrën e familjes së saj natyrale. Ajo thirrje e brendshme e ulëritur së jashtmi ishte më e fortë se çdo konferencë, kongres, anti-miting, parakalim. Ishte, mes të tjerash, esenca e vet historisë shqiptare në kontradiktën e thellë e të qënurit një nga vatrat më të hershme të kontinentit, dhe njëkohësisht e ndarë dhunshëm nga kjo përkatësi prej pushtimit osman dhe komunizmit totalitar.

Sot, jemi në momentin më të mirë historik në raport me të ardhmen tonë europiane. Vendet e BE, edhe pse të ngërthyera nga ngurrimi për zgjerim prej politikave populiste lokale, në mes të një krizë shëndetësore dhe humanitare, vendosën përmes Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, të na afrojnë në vatrën e përbashkët, duke çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, jo më kot, por për arsyet e forta të reformave të thella dhe të guximshme të ndërmarra me vendosmëri të palëkundur, edhe përballë kundërshtive më të egra dhe shpotive më cinike.

Nga ky moment historik e tutje, shqiptarët duhet të bashkohen për realizimin e kësaj aspirate madhore deri në anëtarësim të plotë. Duhet t'i flasim Europës dhe botës të gjithë me të njëjtën gjuhë. Në Parlamentin tonë dhe në foltoret e partive, kusur mos të lëmë për të mbrojtur ndryshimet mes nesh, por për interesin kombëtar të kemi vetëm një zë. Ta thyejmë traditën e shëmtuar historike të asgjësimit të kundërshtarit duke plagosur vet Shqipërinë. Mundemi! Kemi dashurinë, vullnetin, përvojën, dhe gjithçka duhet për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve kudo jetojnë.

Ora 11:05
Zbardhet drafti final i KE-së: Të hapen negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në

Në draftin final të Këshillit Europian rekomandohet hapja e procesit të negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

Këshilli rekomandon që në mbledhjen e ministrave të jashtëm të BE në samitin që do të mbahet në Zagreb në muajin maj të hapet drita jeshile për të dyja vendet. Por para konferencës së parë të negociatave, Këshilli kërkon nga Shqipëria që të plotësohen tre kushte. Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE, ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykates së Lartë pas marrjes së opinionit nga Komisionini Venecias dhe rezultatet e para në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrpusionit nga organet e reja të drejtësisë, janë tre kriteret që KE kërkon që të plotësohen nga Shqipëria.

Më tej duke vlerësuar progresin e bërë në disa fusha dhe plotësimin e kritereve që u vendosën në qershorin e 2018-ës, KE kërkon që të shikohen me vëmendje edhe disa ccështje, si dënimi i shitblerjes së votave, censusi i popullsisë, ligii për minoritetet, aplikimet për azil të shqiptarëve në vendet e Unionit, si dhe marrja e nje vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Raporti i plotë i KE-së për Shqipërinë
"Pasi shqyrtoi raportin e përditësuar të Komisionit më 2 mars 2020 lidhur me progresin e bërë nga Republika e Shqipërisë, Këshilli mirëpret faktin se vendi ka treguar vendosmëri për të vazhduar axhendën e reformave të BE-së dhe ka arritur rezultate të prekshme, duke plotësuar kushtet e pëcaktuara në qershor 2019 nga Këshilli për hapjen e negociatave. 
Duke parë progresin e kryer në reformat dhe në plotësimin e kushteve të përcaktuara njëzëri nga Këshilli në qershor 2019, Këshilli vendos të hapë negociatat me Republikën e Shqipërisë, çka duhet të miartohet nga vendet anëtare të Këshillit Evropian.    

Këshilli merr parasysh synimin e Komisionit për të filluar punën përgatitore menjëherë. Konferenca e parë ndërqeveritare duhet të organizohet sa më shpejt që të jetë e mundur pas miratimit të kuadrit të negociatave nga Këshilli.

Përpara konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të miratojë reformën elektorale në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, të sigurojë një financim transparent të partive politike dhe fushatave elektorale, të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke siguruar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën e rëndësishme ndërkombëtare, që përfshin opinionet e Komisionit të Venecias dhe të përfundojë krijimin e strukturave të specializuara kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit. Gjithashtu, Shqipëria duhet të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe nëpërmjet bashkëpunimit me vendet anëtare të BE. Mbetet prioritet që Shqipëria duhet t’i kundërvihet fenomenit të kërkesave të pabazuara për azil dhe të sigurojë riatdhesimin, si dhe të amendojë ligjin për mediat në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.  

Kuadri i negociatave duhet të miratohet nga Këshilli dhe duket të pasqyrojë faktin që Shqipëria i ka zbatuar me sukses pesë prioritete, të tilla si: nisjen e procedurave penale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar gjatë procesit të Vettingut për sjellje kriminale, nisjen e procedurave ndaj personave të akuzuar për blerje të votës, një goditje të dukshme të krimit të organizuar e korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë nisjen e procedurave dhe plotësimin e procedimeve të para ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë e politikanëve, progres të dukshëm në reformën e administratës publike, zbatimin e reformës së ligjit elektoral, si dhe vendimin përfundimtar rreth ligjshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, po ashtu sikurse edhe përparim të mëtejshëm në zbatimin e mbetur të legjislacionit të vitit 2017 lidhur me kuadrin ligjoe në mbrojtje të pakicave kombëtare, miratimin e ligjit për censusin e popullsisë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe përparim në procesin e regjistrimit të pronave. 

Komisioni vlerëson se lidhur me prioritetet e përcaktuara si të domosdoshme përpara një conference ndërqeveritare, tashmë Shqipëria ka bërë një progress të rëndësishëm, duke shtuar përpjekjet dhe duke arritur progres dhe rezultate të dukshme në këto probleme kyç", thuhet në raport. 

(Kliko këtu për të lexuar draftin e plotë në gjuhën angleze)