Deputetja e opozitës së re, njëherazi edhe kryetare e Komisionit për Integrimin Europian, Rudina Hajdari së bashku me deputeten socialiste Mirela Kumbaro ndodhen në një vizitë zyrtare në Francë. Mësohet se në fokus të kësaj vizite është integrimi i Shqipërisë, ku dy deputetet po lobojnë që të marrin mbështetjen e Francës për çeljen e negociatave.

Dy deputetet zhvilluan takime me grupin parlamentar të miqësisë Francë-Shqipëri, dhe kryetaren Hugette Tiegnat me Kryetaren e Komisionit për Europën të Asamblesë Nacionale, Sabine Thillaye,  me Kryetarin e Komisionit për Europën në Senatin francez, Jean Bizet,  por edhe me Drejtorin për Europen dhe per Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Francës, Christophe Parisot dhe Thomas Bertin.

Në një status në rrjetet sociale, Kumbaro shprehet se në takim u vu në pah progresi i Shqipërisë në realizimin e detyrave dhe vendosmërinë për të mos u ndalur në reformën në drejtësi.

"Nuk mund të mos shpreh kënaqësinë që në çdo takim doli në pah progresi i Shqipërisë në realizimin e detyrave që kemi marrë përsipër, sikurse dhe në vendosmërinë për të mos e ndalur reformën në drejtësi “mbresëlënëse” siç e quajtën ata, dhe unikale", shkruan Kumbaro.

Kumbaro thekson gjithashtu, se Franca është një partnere strategjike për Ballkanin, veçanërisht e Shqipërisë, duke konfirmuar mbështetjen.

"Të ndërgjegjshëm për temperaturat politike europiane në pritje të rezultateve të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, e më pas të raportit final të Komisionit Europian, morëm sërish konfirmimin se Franca mbetet në të gjitha nivelet një partner strategjik i rëndësishëm për Ballkanin e posaçërisht për Shqipërinë dhe se perspektiva jonë është vetëm në BE, siç e konfirmoi Presidenti Macron ne Samitin e Berlinit.

Të ndjeshëm gjithashtu edhe ndaj problemeve të brendshme politike në vendet e BE e në Francë, - e kush nuk i ka- se gjithkush ka një rol për të luajtur që ekstremizmat dhe populizmi të mos dominojë skenat politike dhe të mos helmojë opinionin publik europian. Kjo është sfida më e madhe e Europës së Bashkuar sot e cila, duam apo s’duam ne, ndikon në vendimmarrjet politike të zgjerimit.

Ndërsa sfida jonë e radhës mbetet sigurimi i së drejtës së votës për çdo shqiptar në datën 30 qershor! Është e drejtë legjitime, në zgjedhje legjitime për një qeverisje vendore legjitime qe do të garantohet nga një qeveri legjitime e një parlament legjitim", shkruan Kumbaro.

Qershori është një muaj vendimtar për dhënien e vendimit, për këtë arsye të gjitha komisionet parlamentare, ministra, por edhe deputetët socialistë kanë nisur një proces lobimi për një vendimmarrje të qartë të Komisionit Europian për nisjen e negociatave.