Celularët, rregullat e reja të AKEP
ulin kostot për thirrjet dhe SMS-të

Celularët, rregullat e reja të AKEP<br />ulin kostot për thirrjet dhe SMS-të
Nga 1 prilli, kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të terminimit të thirrjeve dhe mesazheve në rrjet për operatorët celularë në vend. Kjo ka të bëjë me pagesën që bën një operator kur klienti komunikon me një operator të dytë, çka i ngarkohet në kosto përdoruesit të celularit. Tarifat e terminimit janë ulur në 2.66 lekë për “AMC” e “Vodafone”, në 4 lekë për “Eagle Mobile” dhe në 6.52 lekë për “Plus”-in. Ulja do të vazhdojë përgjatë dy viteve dhe në janar 2016 kjo tarifë do të arrijë në 1.48 lekë për të katër operatorët. Kjo përbën një ulje me 68 deri në 83 për qind në raport me nivelet përkatëse aktuale të tarifave të terminimit.

Klientët e celularëve janë ankuar shpesh se tarifat e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri janë të shtrenjta krahasuar me vendet evropiane, por gradualisht operatorët, nisur edhe nga konkurrenca në treg, kanë filluar të ofrojnë paketa me kosto më të ulët. Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës është shprehur se në këtë treg ka shenja të monopoleve.
 
AKEP
Vendimet e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare synojnë t’i japin fund diferencimit të madh që ka ekzistuar në vitet e fundit mes tarifave brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit. Për të mbajtur përdoruesit brenda rrjeteve të tyre, operatorët kanë aplikuar tarifa tejet të larta jashtë rrjetit. Kjo i ka detyruar përdoruesit të mbajnë disa numra celularë, për të komunikuar brenda secilit rrjet. Në Shqipëri numërohen, sipas të dhënave zyrtare të referuara nga Autoriteti, mbi 5.3 milionë karta SIM aktive, për një popullsi prej 2.8 milionë banorësh, çka do të thotë pothuajse dy numra celularë që përdoren për çdo qytetar.

Niveli i tarifave të terminimit celular në 2016 në Shqipëri do të jetë sa niveli mesatar i tarifave në vendet e BE. AKEP gjykon se reduktimet e miratuara të tarifave me shumicë të terminimit do të japin një impuls pozitiv në rritjen e mëtejshme të konkurrencës në tregun celular me pakicë në Shqipëri, sidomos për thirrjet jashtë rrjetit, duke rritur përfitimet e përdoruesve fundorë nga shërbimet celulare.

SMS
Njëkohësisht me thirrjet, edhe mesazhet e shkruara mes rrjeteve nga fillimi i këtij muaji janë më të lira. Kjo tarifë është bërë 1 lekë, nga 1.44 lekë që ishte përpara 1 prillit, me një ulje prej 30 përqindësh.
 
Roamingu
Parlamenti Evropian ka votuar dje për heqjen e roaming-ut. Pagesa për roaming në telefonata dhe mesazhe brenda Bashkimit Evropian do të shfuqizohet më 15 dhjetor 2015. Komisioni i Industrisë i BE-së e ka miratuar këtë masë më 18 mars, ndërsa kjo është konfirmuar edhe nga Parlamenti Evropian.

Shkrimi u publikua sot (2.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç