‘Censi, batërdi, meme me shumë faqe’, Gjekmarkaj: Fyejnë matematikën, keqpërdorin gojën e palarë pa u skuqur

‘Censi, batërdi, meme me shumë faqe’, Gjekmarkaj: Fyejnë matematikën, keqpërdorin gojën e palarë pa u skuqur

1685041111_agrongjekmarkaj.JPG

Deputeti Agron Gjekmarkaj ka ironizuar kolegët e tij demokratë sa i takon debatit për kreun e PD-së. Nga foltorja e Kuvendit, Gjekmarkaj theksoi se shumë prej atyre që janë përfshirë në këtë diskutim fyejnë matematikën dhe numrat dhe keqpërdorim gojën e tyre. Ndërkohë ai ceku dhe projektin e censit, ndërsa e cilësoi atë batërdi.

Deklarata e plotë

E nderuar Zonja Kryetare, Të nderuar deputetë, Shqipëria na paraqitet gjithmonë si një vend i pakryer ndonëse e konsiderojmë të përkryer. Rilindja jo krejt e përmbyllur, pavarësia e vonë, fitoret të munguara, rezistenca e tradhtuar, kushtetuta e pa implementuar, vetë demokracia stërmundohet të mbjellë rrënjët e veta në këtë tokë të vjetër për të bashkuar indet tona drejt zhvillimit politik modern themeluar mbi shumicën e pakicën, qartazi të përcaktuar nga populli votues. Groteskja dhe banalja po kaq ditën kur bashkëkohorë duam të dukemi, me ritmin e një daulleje na bëjnë karshillek. Herë njëra herë tjetra si kollitje historie na kujtojnë se ende paskemi udhë për të bërë. Kjo ndodh ditë pas dite teksa dërgatat institucionale shqiptare nëpër botë me paratë e shqiptarëve mbathur si karvanët e cirkut në fshat shoqërohen me parukiere, komshinj muhabetqarë akshami, rrobaqepës, filxhan shikues, flori punues, kushërinj, krushq, pela e mushq duke sjelle në vëmendje zulutë në Paris të Konicës.

Prej disa ditësh të gjithë në forma të ndryshme po bëhemi dëshmitar, disa edhe dyzenqarë, ndonjë kamerier lepe peqe, dikush si zog ndër leqe, të një ahengu çapraz ku Qeveria dhe pushteti, zyrat në dispozicion piramidal, mediat rreth e rreth tyre me guxim të marrësh dhe hile të pa principata frikacakësh po përpiqen të përkufizojnë se kush është opozita e këtij vendi, se kush është kryetari i grupit të saj parlamentar, se kush do ta bëjë reformën zgjedhore? Kjo ndodh duke fyer matematikën, logjikën, etiken dhe numrat, duke mbyllur sytë e duke keqpërdorur gojën e palarë pa u skuqur dhe pa u zverdhur. Kudo ka mendje të ftohta e persona të ndershëm, plot të tjera koka që nxjerrin tym nga militantizmi e shërbestaria. Kudo o Zot sa shumë !

Të parat janë në tërheqje teksa nuk durojnë tymin e poteren e të dytave në ekspansion. Shpresoj për të mirën e të gjithëve, sidomos tek mazhoranca kokat e ftohta të gjejnë krenarinë e të ndalin marrëzinë, të dytat të pinë pak ujë se u është tharë goja nën hijen e zvarritjes e servilizmit. Provokimi ndaj Opozitës është provokim jo vetëm ndaj saj si bashkësi politike por mbi të gjitha ndaj Kushtetutës, ndaj shoqërisë dhe ndaj paqes sociale, ndaj normalitetit të politikës po e po. Natyrisht dikush këtu a gjetkë mund të mendojë ! Oh sa mirë, kjo qenka në dorën tonë. Iluzion fëminor që do të shkrihet si flok dëbore sapo 735 mijë votuesit e Opozitës e të tjerë që i janë bashkëngjitur asaj të vendosin për ta dërrmuar pengmarrjen burokratike e institucionale. Përfaqësimi nuk merret me gjykatë, nuk falet, nuk emërohet. ketë e them duke ruajtur koherencën e çdo qëndrimi politik te mbajtur prej meje. Kjo mazhorancë kaq e akuzuar nuk mund ta bëjë këtë. Ne nuk do ta lejojmë. Prej muajsh kam heshtur i dërrmuar në bindjen time që fjala nuk është kazmë, shat apo lopatë. Meqenëse ajo ishte e para siç thuhet në Bibël në mënyrë iluzore kam besuar tek forca e saj ndërtuese. Besoj ende që dhuna verbale nuk është shembulli që duhet të japim, që teatri nuk është e vërteta dhe ajo nuk ka padron, që arsyeja nuk është tradhti, që shoqëria ka dinamikën e saj të cilën Opozita nuk duhet të hezitojë që ta ndjekë nëse do të ngrihet mbi vetveten për t’i ofruar Shqipërisë një të nesërme. Me ndjenjë faji pranoj se jam ndier i pazoti për të parashikuar ditën që në këtë Parlament tentohet emërimi i Opozitës.

Në të tillë rast heshtja është atentat ndaj ndërgjegjes, ndaj shqiptarëve pa asnjë dallim. Në këtë fjalë të parë të kësaj stine dua të them diçka për censin. Me analizën tekstore te pyetjeve që janë plot 187 pastaj disa kapituj shtese me numra romake do merrem herën tjetër. Sot po mjaftohem t’u them që vetëm një mendje marroke a disa të tilla mund të realizojnë batërdi kësodore. Nuk kam lexuar kurrë gjë me të çmendur ! Nuk besoja që në vendin tonë dyzohesh ende kaq shume ne është për të qarë apo për të qeshur. Mos e shpërndani një paçavure të tillë se do pataksni njerëzinë. Shaka kaq pa kripe nuk jua ka borxh askush. Rekrutoni angazhoni katedrën e gazetarisë historisë dhe gjeografisë se Universitetit te Tiranës të bëjnë diçka të dobishme e profesionale për vendin. Mos bëni pune për t’i çuar lekë në xhep dikujt që sa do të fryje xhepin mendjen e ka me të trashe. Mënyra e konceptimit te censit është një meme me shume faqe.

Sot po flasim për një kategori pensionesh kur pensionet urbane të pleqërisë janë 17258 lekë, pensionet e invaliditetit 15064,pensionet familjare 7460 ndërsa ata rural pension pleqërie 9656 lekë, pension invaliditeti 8195 lekë ndërsa pensionet familjare 2516 lekë. Në vitin 2022 janë rritur me 9,5 %. Burim informacioni është Instituti i sigurimeve shoqërore. Këto janë shifra që nuk duan koment për të kuptuar gjendjen ekonomike të pensionistit shqiptar si në fshat apo në qytet. Të pasurit shkojnë në hotele pushimi të varfrit me kaq lek nuk mbushin dot me ilacet që ju duhen as raftat e vjetër. Në Greqi në kohën e krizes thuhej se Edipi u martua me nënën e vet për t’i marrë pensionin. Tek ne nuk ka ngasje të tilla për humor të zi falë pensioneve mizerabël të cilat janë larg minimumit të dinjitetit. Mendoni vetëm dosjet e inceneratorve, paratë e abuzimit me to dhe secili e realizon në mendjen e tij se si do zgjidhej halli i pensionistëve tanë. Ndërkohë në një projekt që diskutohet për gjyqtarët e gjykatës kushtetuese thuhet se do marrin diku te 6-7 milion të vjetra në muaj. Nuk jam kundër rrogave të larta në piramidën shteterore por jam kundër blerjes legale, me ligj të një gjykate themelore si ajo kushtetuese akt ky që korrupton rendin kushtetues. Një gjykatës s’ka pse paguhet më shumë se kolegët e SPAKUT të cilët janë të vetmit që po bëjnë një përpjekje purifikuese.

Të nderuar deputetë, sapo ka filluar viti I ri shkollor deri në ciklin e mesëm e për pak fillon ai universitar. Në këtë kontekst dua t’i kujtoj Ministres se re Manastirliu që shkollat me dy turne mbeten një hall i pambarim, mësimet universitare fillojnë në kushtet e një autonomie universitare të cunguar, në kushtet e mungesës serioze të mbështetjes për kërkim shkencor, braktisjes totale e fatale të albanologjisë si prioritet akademik e strategjik, mungesës së bibliotekave si fizike ashtu dhe dixhitale, akomodimit cilësor në auditore dhe strehim jo në standarde për studentët, po kaq shqetësues mbetet besimi që shteti shqiptar nuk e ka të Universiteti si streha e njerëzve më të ditur dhe profesionist por i shpërndan nëpër një galaktikë shoqatash klienteliste. Ministre jepni mundësi Universitetit të bëjë projekte dhe ekspertizë. Këtë ta beje ministria e Financave, ajo e brendshme, e drejtësisë kështu me rrallë.

Paratë që marrin klientët duhet t’i fitojnë ndershmërisht pedagogët. Nuk është turp dhe faj që pedagoget te fitojnë dhe të jetojnë me mire. Në fund Zoti Balla po qarkullon një draft i tmerrshëm i kodit rrugor ku për një parakalim të gabuar me makinë dënohet me tre vite burg. Këtë edhe Bjellorusia do jua kishte zili. Duhet që gjysma e qyteteve të shndërrohen në burgje. Ndalojeni si idiotësi vere dhe ju falënderojmë nën freskun e vjeshtës.

 


Lajmi kryesor:

Për herë të dytë, Kuvendi shtyn pr.ligjin për pagat e Kushtetueses! Bardhi e Tabaku: Duhet reformë tërësore! Gogu: Mos hidhni baltë! Ja çfarë u miratua


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin

Zgjedhjet e vitit 2025/ Presidenti Bajram Begaj pret nesër në konsultime për datën PD dhe PS, e mbyll me Celibashin