Censura e filmave, përballje
mes Petrit Rukës e Ylljet Aliçkajt

Censura e filmave, përballje<br />mes Petrit Rukës e Ylljet Aliçkajt

A duhen censuruar filmat e periudhës së diktaturës. Ky debat i madh publik është hapur nga Agron Tufa, drejtori i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, i cili deklaroi fillimin e një nisme deri në shkallë ligjore për ndalimin e pjesës më të madhe të repertorit të filmave të Komunizmit. Ka pasur reagime të ashpra nga kineastët e njohur.
 
Një pjesë e tyre si Pirro Milkani, Saimir Kumbaro, Mevlan Shanaj e kanë quajtur një neocensurë. Konkretisht regjisori dhe poeti Petrit Ruka e quan absurde këtë nismë.
 
"Është një debat pa debat, marrëzi tipike shqiptare. Është një cështje e mbyllur, përderisa devizën e ka dhënë vetë evolucioni, vetëm koha mund të japë 'urdhra' për të ndaluar apo jo këto filma".
 
Një varg rreziqesh mund të vijnë nga censura, pohon Ruka, duke theksuar se edhe vetë Kisha katolike ka kërkuar falje për djegien e librave në mesjetë.
 
"Koncepti ndalim nuk ekziston të paktën pas 500 vjetësh. Koncepti ndalim vjen nga diktatura, ne po përsërim gabim që u bë në kohën e komunizmit për veprat që u ndaluan, poezinë e madhe franceze apo italiane.
 
Është një gjë e rrezikshme edhe për ta menduar dhe jo më shumë, pasi arti ka shenjtërinë e vetë dhe dueht të ekzistojë si bari si gjallese dhe të zhduken atëherë kur nuk lypen më. Kisha ta kërkuar falje për djegien e librave. Gjermania kërkon ndjesë për djegien e librave në kohën e Hitlerit, por dokumentarët shfaqen si dëshmi".
 
Poeti Ruka kujton të gjitha faljet që janë bërë për zhdukje librash apo veprash arti.
 
"Unë them që është marrëzi. Artistët duhet të jenë më toleranë. Cdo artist që gjykon nga jashtë e ka më të lehtë që të japë gjykimin, duhet të vendoset brenda kohës. Me ndalim e filmit loja do të hapet si rathët e gurit në lumë, do ndalojmë veprat në letërsi. Do ta kërkojmë në poezi te romani, këngët apo vallet e shumë fusha të tjera, do të ishte një kaos".
 
Skenaristi dhe regjisori Aliçkaj ka bërë filma vetëm pas diktaturës. Megjithatë, ai nuk mendon se rrezikohet njeri nga shikimi i filmave që u bënë gjatë komunizmit.
 
"Provokon debat, nuk e përfaqëson fjala censurë, është propozim i hapur që nuk duhet parë bardhezi. Nuk jam i mendimit që duhen ndaluar, fakti që ato po jepen është pasqyrë që njerëzit po i kërkojnë. Nuk mendoj se helmojnë të rinjtë e sotëm. Sado që kinemaja ka qenë një funksion social për të krijuar modelin e njeriut".
 
Nostalgjia për këta filma është një tipar i shoqërisë sonë, pohon shkrimtari Aliçkaj.  Ai na kujton se filmat më të mirë të prodhuar nga Kinostudio, dhe të dhënat tregojnë se edhe vetë politikanët po iu referohen këtyre filmave.
 
 'Mendoj që një pjesë janë nostalgjikë të asaj kohe. Nuk më habit sondazhi i OSBE që njerëzit në 50% fshehurazi adhurojnë Enver Hoxhën. Ky diskutim po bëhet edhe për të kristalizuar bindjet e secili në një pjesë të madhe. Nuk mund të hidhen poshtë aktorë të shquar, pasi filmat shikohen nga të rinjtë si argëtim, ndërsa politikanët përdorin batutat për diskursin politik, po hyjnë në kujtesën popullore".
 
Nëse do të merrej një vendim për censurën duhej edhe një studim. Sa real është rrezikimi i shoqërisë nga “opiumi” ideologjik i tyre. Nostalgjia për të shkuarën a është domosdoshmërisht kjo një mundësi e sëmundjes nga doktrina.
 
"Personalisht do të isha për konkurrimin e vlerave, cilësia artistike ka qenë më e mirë, por nuk jam me mendimin që kanë pasur vlera" tha Aliçkaj.
 
Të ishte artist në diktaturë ishte një thikë me dy presa. Disa artistë i keqpërdorën statuset doktrinore të krijimtarisë për t’i kundërvënë njëri-tjetrit. Drejtori i arkivës së Ministrisë së Punëve të Brendshme Kastriot Dervishi ka zbuluar statuset e strategjive të para që shpalleshin si vendime ligjore nga Drejtoria e Agjitacionit dhe Propagandës në Komitetin Qendror të Partisë.
 
“Filmat në shumë raste janë realizime të mira artistike, por, po kaq janë me përmbajtje skandaloze, propagandistike komuniste dhe falsifikime historike. Qysh përpara se të niste prodhimi i filmave artistikë, u vendos së pari përcaktimi i rregullave në letërsi dhe arte, sepse këto do përbënin edhe bazën e tematikave për filmat e ardhshëm”  argumenton Dervishi
 
Petrit Ruka kujton se këtyre normave nuk mund t’u shpëtoje.
 
"Sigurisht problemet janë aty, filmi ka ngarkesë ideologjike, ishte shteti që financonte duke diktuar propogandën".
 
Ndërsa Ylljet Aliçkaj edhe pse është kundër censurës, na fton të kujtojmë sesi propaganda përmes artit në diktaturë shërbeu për shpërfytyrimin e shqiptarëve
 
"Por na ana tjetër kinematografia ka qenë hallka më efikase e deformimit të personalitetit. Krahas vlerave kanë deformuar historinë, kanë krijuar modele perverse të të menduarit në favor të mbijetesës së regjimit diktatorial, por sot brezi nuk mendoj se do të dëmtohet".
 
Petrit Ruka mendon se nga këta filma të rinjtë e sotëm mund të mësojnë si ka qenë e organizuar shoqëria nën “diktaturën e proletariatit”.
 
"Filmat janë dëshmi se si ka funksionuar ideologjia".
 
Por ky debat i ngritur ka edhe anë tjetër të medaljes: ata që bëjnë viktimën dhe ata që akuzojnë për antivlera filmat e periudhës komuniste kanë interesa që shkojnë përtej artit...
 
"Është bërë me dëshirën e artistëve apo mjet për të mbijetuar, janë shumë motive, një regjim jeton nga pasiviteti apo indiferenca e popullit të vet. Njeriu angazhohet edhe nga militantizmi i tij. Ka më tepër interesa pragmatike në debatin për filmat".
Megjithatë Ylljet Aliçkaj pohon se nuk duhen kryqëzuar ata që shqetësohen nga filmat e komunizmit.
 
"Nuk i përkas atij grupi që dua ti stigmatizoj, por mendimi im është që Shqipëria nuk i krijoi kushtet e natyrshme për t'u ndarë nga e keqja. Mentaliteti vazhdon, një pjesë e përgjegjësisë i takon edhe artit.
 
Kam mendim se Agron Tufa, Mark Marku e etj janë në minoracë, mazhoranca është, njerëzit që duan ti mbrojnë ato filma" u shpreh ai.
 
Ka një argument më të fortë që i mban këta filma të lidhur me shikuesit. Nostalgjia do të vazhdojë derisa s’kemi parë ende të dalin aktorë të mëdhenj si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Naim Frashëri apo Melpomeni Çobani, si Prokop Mima apo Sandër Prosi, si Robert Ndrenika, Roland Trebicka, Drita Pelingu, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Tinka Kurti apo dhe regjizorë si Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika.
 
'Vetëm koha mund ta bëjë censurën, është pulti i madh. Filmat janë një dëshmi e madhe e kohës sonë, një pjesë kanë dalë, një pjesë kanë mbetur dhe koha do të vendosë, pasi është një cështje e tejkaluar".
 
Ylljet Aliçkaj mendon se faktori kohë është një alibi që mund të keqpërdoret.
 
"Kjo është edhe alibi, ka një tendencë sipas asaj kohe dhe individit, kështu thuhet edhe për Enver Hoxhën. Cdo bindje kinse objektive mbulon një interes. Jam dakord për konkurrencë, vlera të reja, nëse ka rol më edukativ kinemaja. Kinemaja duhet të merret me probleme që ka jeta. Censurat kur janë cështje antikombëtare. Unë nuk jam në favor të ndalimit as të filmave dhe as të artit, por ai art ka ndikuar në favor të deformimit të personalitetit të njeriut".
 
Derisa të mbyllet debati, nëse duhet apo jo të censurohen filmat e diktaturës, një gjë është e sigurt, vetë gjyqi i kohës do të jetë i pamëshirshëm për vlerat e filmave shqiptarë. Koha është e ngeshme, nuk nxitohet thotë Ylljet Aliçkaj.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Trump: Akuzat penale ndaj meje ishin rrëmbim politik, PD shpërdoroi taksat e amerikanëve për të goditur

Trump: Akuzat penale ndaj meje ishin rrëmbim politik, PD shpërdoroi taksat e amerikanëve për të goditur