Censusi 2023/ Plani për greqizimin nga Qafë Bota në Llogara (Studimi pjesa 3)

Censusi 2023/ Plani për greqizimin nga Qafë Bota në Llogara (Studimi pjesa 3)

Kisha e Shën Petros, me tabelë vetëm në greqisht, në fshatin vetëm shqipfolës të Vunoit

STUDIMI PJESA 3/ Flamuj grekë në institucionet shtetërore shqiptare, tabela dhe shkolla dygjuhëshe dhe greqishtja gjuhë zyrtare nëse vetëdeklarohen më shumë se 20% grekë. Historia e 32 viteve e përpjekjes greke për shtimin e minoritetit me shqiptarë dhe vllehë. Ligjet dhe neni i imponuar në Kushtetutën shqiptare. Si hoqi dorë Greqia nga Korça dhe u përqendrua në zonën Çamëri-Sarandë-Delvinë-Himarë? Cili është roli i Fredi Belerit dhe Anastas Janullatosit në projektin politik grek?

(vijon nga numri i kaluar)

Kërkesat greke për Himarën dhe Konispolin pas vitit 1991

Ndër aktet e para, përveç presionit diplomatik ndaj Shqipërisë për të njohur Himarën si minoritare, pas vitit 1991, ishte edhe veprimtaria e Kishës Ortodokse, të sapovendosur nën drejtimin e Anastas Janullatosit. Ai do të qe mbajtës i pasaportës diplomatike greke, pa qenë e qartë në çfarë statusi, pasi legjislacioni grek njeh të drejtën e mbajtjes së pasaportës diplomatike vetëm për nëpunësit publikë të shtetit grek, e konkretisht nëpunësit e lartë politikë, gjyqësorë, diplomatikë e ushtarakë. Kjo vinte pas 70 vjetësh që Shqipëria nuk kishte parë asnjë peshkop grek në kishën e saj, teksa më shumë se 90% e ortodoksëve në Shqipëri janë shqiptarë etnikë pa fluiditet të identitetit. Menjëherë, kishat, jo vetëm në minoritetin grek, jo vetëm në Himarë, Dhërmi dhe Palasë, por edhe në fshatra ortodokse të Sarandës dhe Delvinës, filluan të meshojnë vetëm në greqisht. Këtu përfshihen edhe fshatrat e komunës Xarrë, fshatrat Muzinë, Pecë, Sopik, fshatrat shqiptare pa fluiditet të identitetit në ish-Bashkisë Himarë: Ilias, Vuno, Pilur, Kudhës dhe Qeparo. Po ashtu, edhe në kishën e qytetit të Sarandës, shumica e ortodoksëve të së cilës janë shqiptarë nga bregu, meshohet në greqisht.

Në vitin 1994, do të ndodhte një prej akteve më të rënda në marrëdhëniet shqiptaro-greke, kur një grup paraushtarak grek, që të dyja vendet e evidentuan si grup terrorist, hyri në pikën kufitare të Peshkëpisë dhe pasi mbajti peng të gjithë ushtarët, vrau kapitenin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arsen Gjini. Shteti grek do të akuzonte për këtë akt një person të quajtur Fredi Beleri. Ai u arrestua nga policia greke si pjesë e shtatë personave që ishin nisur me armë dhe pajisje komunikimi në drejtim të kufirit me Shqipërinë, një vit më vonë. Shteti shqiptar nisi hetimin ndaj tij dhe e pushoi. Pas reformës në drejtësi, kur SPAK-u rinisi hetimin për rastin, dosja ishte zhdukur nga gjykata, ndërsa Greqia refuzoi të dërgonte të dhënat e saj të hetimit që kishte kryer ndaj Belerit.

Prej vitit 1991, shteti grek nisi të japë viza si homogjenë për minoritarët grekë dhe kjo e drejtë përfshiu edhe banorët e Himarës, Dhërmiut, Palasës dhe Qeparoit Fshat, krahas fshatrave të njohura të minoritetit grek në Shqipëri e kuçovllehtë. Në vitin 1998, Greqia nisi të japë kartat e veçanta të homogjenit për banorët e këtyre fshatrave dhe kuçovllehtë e Korçës dhe Konispolit. Shteti grek nisi menjëherë përdorimin e mekanizmave për të rritur prezencën përtej minoritetit të njohur grek. Studiuesit grekë Kostandinos Ciceliqis dhe Dhimitris Hristopulos, përcaktojnë se Greqia nisi të tentojë greqizimin e vllehve të Shqipërisë përmes “tregtisë së vizave dhe pasaportave” falë fuqisë superiore që kishte shteti grek. Kështu, kushdo që vërtetonte se qoftë dhe një i afërm i tij, dinte sadopak gjuhën vllahe, merrte viza dhe mund të lëvizte lirisht në Greqi, duke krijuar “situata klienteliste”, duke rrezikuar dëmtimin e shtyllës shoqërore dhe kombëtare shqiptare, sipas tyre. Ajo që autorët grekë quajnë situatë klienteliste me tregti vizash dhe interesa të tjera ekonomikë, do të ndikonte që ai grupim i vllehve që kishte identitet fluid, kuçovllehtë, të nisnin procesin e rinegocimit të identitetit të tyre kombëtar, sikurse do të ndodhte edhe në popullsinë me identitet fluid të Himarës, Dhërmiut dhe Palasës.

Ndërkaq, kjo politikë do të pasurohej edhe me propagandën në bashkitë Himarë dhe Xarrë që përqendrohej te fakti se të gjithë ortodoksët e zonës ishin grekë; propagandë e drejtuar nga priftërinj të Kishës Ortodokse. Në vitin 1994, disa arkimandritë grekë u dëbuan, sepse bënin propagandë në këtë zonë. Shteti shqiptar refuzoi në mënyrë të prerë që mitropolitë e KOASH-it të drejtoheshin nga grekë, deri në vitin 1998, kur në një marrëveshje të pashkruar, u arrit dakordësia mes qeverisë së kohës, Patriarkanës Ekumenike dhe kryepeshkopit Anastas, që krah tij të pranohej një peshkop arvanitas për në Berat, si shqiptar dhe dy peshkopë shqiptarë. Mirëpo, kryepeshkopi Anastas vendosi që një prej peshkopëve ta mbante ndihmës, duke e lënë bosh Mitropolinë e Gjirokastrës, të cilën vijoi ta drejtonte vetë.

Në vitin 2006, duke shfrytëzuar ndryshimin e qeverisë, kursin e ri politik ndaj Athinës dhe mospasjen të shkruar të marrëveshjes së sipërpërmendur, Kryepeshkopi e keqinterpretoi atë si “marrëveshje dy shqiptarë dhe dy grekë”, duke emëruar edhe një peshkop grek dhe një shqiptar, si ekuilibër që do ta vijonte edhe më tej, duke bërë që Kisha të drejtohej nga katër grekë e katër shqiptarë. Kjo bëhej që peshkopët grekë të kishin shumicën në organin më të lartë drejtues të Kishës, në ndryshim nga marrëveshja e vitit 1998, që përcaktonte se krah Kryepeshkopit pranoheshin tre shqiptarë, një prej të cilëve prej origjinës së tij arvanitase. Në krye të Mitropolisë së Gjirokastrës u vendos Dhimitër Dikbasani, një shtetas grek, që edhe pas 32 vjetësh në Shqipëri, nuk meshon e as predikon në shqip, edhe pse ⅔ e grigjës së mitropolisë së tij janë shqiptarë etnikë. Në vitin 2010, pas vdekjes së një të riu në Himarë në pamje të parë për motive etnike, KOASH-i do të reagonte, duke bërë edhe thirrje që “të sigurohen liritë e çdo qytetari dhe në përgjithësi të drejtat e njeriut”, çka u interpretua si kërkesë për njohjen e banorëve të Himarëssi si pakicë etnike greke . Për ushtarin ortodoks Arsen Gjini, të vrarë në vitin 1994, nuk dihet të ketë pasur ndonjë reagim.

Në vitin 2003, për herë të parë, në Himarë fitoi PBDNJ-ja dhe kryetar i Bashkisë u zgjodh Vasil Bollano. Zgjedhjet vijuese do të shihnin përçarje të votës së vetidentifikimit shqiptar në zonë mes PS-së dhe PD-së, duke i mundësuar fitoren kandidatit të PBDNJ-së edhe në një palë zgjedhje të tjera në vitin 2007, edhe pse përfaqësonte pakicën e vetidentifikuar si greke në ish-Bashkinë Himarë dhe shumicën dërrmuese të votave i fitonte në Himarë dhe Dhërmi.

Kërkesat greke për shkollim dygjuhësh do të ndiqnin të njëjtin kurs. Kështu, në vitin 2006, pas debatit mbi mungesën e shkollës greke, pala shqiptare lejoi hapjen e një shkolle, të financuar dhe të menaxhuar zyrtarisht nga shteti grek në Himarë, duke shtuar edhe një institucion shtetëror të huaj, në vend që të lejonte greqishten të mësohej si gjuhë e huaj në tri fshatrat e identitetit fluid, apo të lëndëve mbi historinë lokale, që do të ndiqnin jo thjesht kurrikulat shqiptare, por edhe do të shmangnin një shkollë të drejtuar nga shteti grek.

Kërkesat për tabelat rrugore në greqisht vijuan në cikle përplasjeje. Kryetari Vasil Bollano tentoi të hiqte tabelat e orientimit automobilistik në bashki, duke kërkuar vendosjen e tabelave dygjuhëshe. Mirëpo, shteti shqiptar i riktheu tabelat vetëm në shqip, por duke vendosur tabela për kishat e zonës, që në padijeni i shënonte si për shembull “Kisha e A. Theodoros”, për “Kisha e Agios Theodoros”, në vend të “Kisha e Shën Theodhorit”. Ky gabim gjuhësor do të rregullohej vetëm në vitin 2015, kur si kundërreagim, tabelat në vetë muret e kishave do të zëvendësoheshin nga KOASH-i me tabela vetëm në gjuhën greke, përfshi edhe në fshatra vetëm shqipfolëse të zonës.

Prej vitit 1991, në kishat e minoritetit grek në Finiq dhe Dropull, KOASH-i i ka vendosur tabelat vetëm në gjuhën greke dhe jo dygjuhëshe, duke mos respektuar faktin se ato vendbanime janë në një shtet të pavarur që ka një gjuhë tjetër zyrtare. Krahas minoritetit, edhe në fshatrat Palasë dhe Dhërmi, tabelat kryesore të kishave janë vetëm në greqisht. Në raste të tjera, në këto fshatra janë vendosur tabela trigjuhëshe greqisht-shqip-anglisht, me gjuhën greke gjuhë të parë. Situata e tabelave bëhet edhe më e dukshme në fshatrat shqipfolëse. Kisha e Shën Petros në Vuno ka tabelë vetëm në greqisht, ndërsa kishëza në plazhin e Lukovës është dygjuhëshe shqip dhe greqisht, pavarësisht se këto fshatra janë tërësisht shqipfolëse. Shumë kisha janë pa tabela fare. Që gjuha e përdorur në tabelat e kishave ka kahje të dukshme progreke, përforcohet nga fakti se vetëm gjuha greke është e kudondodhur në këtë territor. Kështu, në asnjë vendbanim të pesë bashkive të jugut të thellë nuk ka asnjë kishë me tabela vetëm në gjuhën shqipe e as përdorim të gjuhës vllahe, në një kohë kur numërohen së paku 20 vendbanime të banuara thuajse tërësisht nga ortodoksë shqiptarë pa fluiditet të identitetit dhe dy vendbanime me shumicë vllahe.

Ndërkaq, toponomastika lokale do të pësonte ndryshime po ashtu. Shteti shqiptar i njeh Dhërmiun dhe Gjilekën si fshatra më vete, ku Gjileka përmban lagjen “Gjilekë” dhe lagjen “Kondraq”, ndërsa Dhërmiu vetëm lagjen “Dhërmi”. Kur përfundoi investimi në rrugë në vitin 2007, padijenia e autoriteteve qendrore e lidhur edhe me nxitjen e pakicës së vetidentifikuar në zonë, vendosi tabelën “Kondraq” në hyrje të fshatit Gjilekë, toponimit më të dukshëm shqiptar të zonës, në një rast unik në Shqipëri, ku nuk ka tabelë me emrin e fshatit, por ka tabelë me emrin e lagjes. Në vitet vijuese, Gjilekës do t’i hiqej edhe emërtesa e plazhit. Plazhi i Gjilekës do të riemërtohej nga bizneset e zonës, nxitur nga pakica e vetidentifikuar si greke, “Drimadhes”, që është emri grek i gjithë fshatit Dhërmi. Ndërkaq, plazhit të Dhërmiut nuk iu ndryshua emri. Me përfundimin e investimit në rrugë, që lidh plazhin e Gjilekës me plazhin e Dhërmiut, emërtesa e vendbanimit të ri nuk ishte më “Plazhi Gjilekë”, madje as “Drimadhë”, por “Drymades”, në një rast unik në Shqipëri që në tabelë vendoset forma angleze e shqiptimit grek të një fshati ngjitur me fshatin përkatës. Pak më poshtë, në zonën e Bashkisë Finiq, fshatrat shqiptare ortodokse Pecë dhe Sopik, si dhe fshati bektashian shqiptar Çlirim, do të merrnin tabela dygjuhëshe, ndërsa Muzina do të mbetej pa tabelë, edhe pse qëndron përgjatë rrugës.

Përhapja e influencës greke, legjislacioni shqiptar e grek dhe “testet” e viteve 2011 e 2015

Ajo që autorët grekë quajtën tentativa për dëmtimin e shtyllës shoqërore dhe kombëtare shqiptare përmes tregtisë së vizave të viteve ‘90, në fakt ishte përpjekja e shtetit grek për të zgjeruar hartën e minoritetit në Shqipëri. Ky zgjerim tenton të shkojë përtej 99 fshatrave të njohura nga shteti shqiptar si minoritare (ku përfshihen fshatrat Frashtan, Llugar dhe Koshovicë) dhe 103 të njohura nga shteti grek (bashkë me Himarën, Dhërmiun, Palasën dhe Qeparoin Fshat), drejt Korçës, Konispolit dhe fshatrave të tjera të bregut të Sarandës dhe Himarës. Kjo do të krijonte një hapësirë kompakte minoritare në territorin që, deri në vitin 1920, shteti grek e njihte si “Epiri i Veriut”. Kështu, “dëmtimi i shtyllës shoqërore dhe kombëtare” sipas Ciceliqisit, do të përvijohej nga “tregtia e vizave” te dhënia e pensioneve mujore fillimisht për këto 103 fshatra, e më pas te dhënia e shtetësisë çdokujt që faktonte se ishte nga një prej 103 fshatrave.

Pikënisja ndodhi me Kushtetutën e vitit 1998, kur me këshillimin edhe të anëtarit grek të ekipit këshillues të Këshillit të Evropës, më vonë ministër i Jashtëm i Greqisë, Jorgos Katrugalos, shteti shqiptar do të vendoste në Kushtetutë se shtetësia shqiptare mund të hiqej vetëm me kërkesë të shtetasit. Për ndryshim, Greqia dhe shumica e vendeve evropiane kanë kushte të heqjes së shtetësisë së tyre në rast të cenimit të interesit kombëtar. Kështu, shteti grek nuk kishte më pengesa për t’i dhënë shtetësinë greke kujtdo që donte, sepse shteti shqiptar nuk mund të hiqte atë shqiptare. Greqia nisi të japë masivisht shtetësinë greke për personat nga Shqipëria që vlerësonte si grekë në vitin 2006, pas miratimit edhe të ligjit për shtetësinë në Shqipëri. Dhënia e shtetësisë greke me mundësinë e heqjes së saj u përdor në vijimësi si mjet presioni nga Greqia për të ndjekur politikat kombëtare greke në dëm të shtetit shqiptar, që nuk mund të heqë shtetësinë e kujtdo që e ka fituar që nga lindja. Kështu, kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, me vetidentifikim kombëtar shqiptar, që e kishte përfituar shtetësinë greke brenda ligjeve të shtetit grek, iu hoq shtetësia greke me arsyetimin se “dëmtoi” helenizmin në Himarë.

Përcaktimi për shtetësinë në Kushtetutë do të pasohej në vitin 2011 nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizonte kolonën e kombësisë nga Regjistri i Gjendjes Civile. Tanimë, shteti shqiptar, jo vetëm nuk mund të kundërvepronte ndaj “shkopit” dhe “karotës” së shtetësisë greke për jominoritarët, por nuk mund as të ankohej moralisht, pasi nuk njihte kombësinë për asnjë shtetas të vet në mënyrë nominale, por vetëm statistikore. Kjo prodhonte dy rrjedhoja. Së pari, çdo rezultat në census do të duhej të pranohej nga shteti shqiptar që nuk kishte më si t’u referohej Regjistrave të Gjendjes Civile zyrtarisht. Së dyti, shteti grek kishte dorë të lirë të shpërfaqte haptazi tanimë zgjerimin e fshatrave të tëra që i quante minoritare në Shqipëri, e njëherazi t’i kërkonte shtetit shqiptar të mos etiketonte zona minoritare apo fshatra me shumicë minoritare.

Zgjerimi edhe gjeografik i zonave me shumicë të përbërë nga pakica greke, do të tentohej të vihej në provë në censusin e vitit 2011, si një test i përqindjes së grekëve jashtë zonave të njohura si minoritare dhe për këtë u zgjodh një plan i dyfishtë. PBDNJ-ja dhe Omonia deklaruan bojkotin e censusit, nisur nga një nen i ligjit që përcaktonte se deklarimi i rremë për kombësinë do të dënohej me gjobë. Mirëpo, ky ishte justifikim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi në mungesë të kolonës së kombësisë në Regjistrin e Gjendjes Civile, deklarimi i rremë nuk mund të provohej. Bojkoti gjysmak u krye për të testuar se sa grekë do të deklaroheshin përmes mekanizmave të ndryshëm në zonat me identitet fluid të Himarës, Xarrës dhe ndër kuçovllehtë e Korçës, pa qenë Greqia e detyruar të pranonte rezultatin real të censusit. Kështu, nëse bojkoti i minoritetit grek u krye pjesërisht në bashkitë e sotme të Finiqit dhe të Dropullit, krejt e kundërta ndodhi në Korçë, Himarë e Konispol.

Në Himarë dhe Konispol, konsullata e Gjirokastrës dhe Omonia bënin propagandë për deklarimin grekë, edhe pse në Finiq bënin thirrje për bojkot. Në Korçë, konsulli grek doli në fushatë të hapur për të bërë thirrje për t’u deklaruar grekë, edhe pse zyrtarisht Greqia po “protestonte” ndaj censusit dhe mbështeste bojkotin e Omonias dhe PBDNJ-së. Madje, deklaratat e tij u bënë pikërisht në aktivitet të Omonias, që teorikisht thërriste për bojkot, por vetëm në Finiq dhe Dropull. Konsulli theksoi se kjo betejë “nuk përfundonte me censusin, por me njohjen si pakicë”.

Rezultatet e censusit prodhuan statistikat e trajtuara më sipër. Në Korçë, grekët nuk tejkaluan dot 3% të popullsisë së qytetit, çka rrëfeu se nuk mund të realizohej asnjë ndikim i mëtejshëm nga shteti grek. Prej vitit 2011, Greqia nuk ka organizuar asnjë eveniment qendror në Korçë, në ndryshim nga vitet përpara vitit 2011.

Në Bashkinë Himarë, u pa se të deklaruarit si grekë përbënin 11,5% të popullsisë së bashkisë së mëvonshme ose përafërsisht 14,5% e popullsisë nëse korrektohet me mospjesëmarrjen, në korrelacion me sa ishin pasardhësit e pendëbardhëve dhe minoritarëve grekë. Fakti që nuk ka pasur bojkot në Himarë, konfirmohet nga vetë shifrat, ku popullsia banuese kishte të njëjtin trend me vitin 2001 dhe të njëjtin trend ulës me vitin 1989, mes tri njësive administrative. Pas ish-Komunës Vranisht, ish-Bashkia Himarë ka rënien më drastike të popullsisë në Bashkinë Himarë, duke bërë që në vitin 2001, banorët e njësisë Himarë të ishin të njëjtë në numër me ata të njësisë Lukovë, e cila e gjendur afër një qendre të madhe urbane si Saranda, që ka pësuar rritje popullsie, kishte tkurrjen më të vogël nga tri njësitë. Kështu, përpara nisjes së emigrimit, këto shifra përputhen me Regjistrin e Gjendjes Civile, duke bërë që ish-Bashkia Himarë të ketë 48% më shumë banorë se ish-komuna Lukovë. Në analizën e vitit 1993 të Kalivretakisit, ky raport kishte rënë në 23%. Në censusin 2001, zgjedhjet 2003 dhe zgjedhjet 2007, popullsia e dy njësive administrative ishte e barabartë. Edhe në zgjedhjet 2011, nëse heqim 1000 emigrantë të ardhur me 22 autobusë vetëm në qytet, raporti mbetet po ashtu i barabartë mes votuesve të Himarës dhe Lukovës. Fakti që edhe në censusin 2011, banorët e njësive administrative Himarë dhe Lukovë janë sërish në të njëjtat nivele, rrëfen se censusi 2011 nuk ka pasur bojkot nga popullsia.

Ndërkaq, në Bashkinë e Konispolit, rezultoi se 80% e ortodoksëve shqiptarë të zonës u vetëdeklaruan si grekë, krahas të gjithë grekëve dhe vllehve me fluiditet të identitetit etnik të ish-Komunës Xarrë. Këtu, propaganda shtetërore greke, me ndërthurje të njerëzve me ndikim të zonës edhe të partive të mëdha politike shqiptare, si dhe me ndikimin e priftërinjve të KOASH-it, solli rezultatin e pritur. Ky veprim, që për madhësinë e deklarimit të rremë, siç u faktua më sipër, duket i mirëkoordinuar, u shpërblye një vit pas censusit, kur qeveria greke i përfshiu të gjitha fshatrat e ish-Komunës Xarrë, si dhe fshatin Çiflik të ish-Bashkisë Konispol (së bashku me fshatrat ortodokse shqiptare Muzinë, Pecë dhe Sopik të Bashkisë Finiq) në ato që ajo vendos se janë zona minoritare në Shqipëri, përmes vendimit 4000/3/2012, që u jep automatikisht letra homogjeni, të drejtën për pensione dhe shtetësi, nëse vërtetojnë se kanë lindur në ato fshatra. Thënë ndryshe, çdo person me prejardhje ortodokse nga këto fshatra me shumicë ortodokse shqiptare (apo vllahe në rastin e Shkallës) mjaftonte të vërtetonte se kishte origjinën qoftë të gjyshit nga ato fshatra dhe do të mund të merrte shtetësinë greke, një pension mujor për moshën e tretë, lehtësi administrative për universitete dhe spitale si për çdo homogjen. Ndërkaq, shteti grek e ruan të drejtën që ta heqë shtetësinë greke, pensionin mujor dhe këto privilegje, në çastin që ai individ dëmton interesat e Greqisë.

Në vitin 2013, kur qeveria shqiptare nisi përgatitjet për reformën territoriale, Himara u rikthye në qendër të vëmendjes. Polemika nuk ishte nëse Himara e vogël do të qëndronte e vogël, por me çfarë do të bashkohej. Edhe pse e quanin minoritare, PBDNJ-ja dhe Omonia kërkuan të bashkohej me ish-Komunën Lukovë që ka shumicë shqiptare, por jo me ish-Komunën Horë-Vranisht. Nëse do të ishte kështu, numri i të vetidentifikuarve si grekë sipas analizës më sipër, do të shkonte në 19,75%. Projektligji i miratuar nga komisioni përkatës, parashihte që fshatrat shqiptare ortodokse Pecë dhe Muzinë, si dhe fshati me shumicë vllahe, Kardhikaq, të bashkoheshin me Bashkinë Delvinë, ndërsa fshati shqiptar ortodoks i Sopikut të bashkohej me Bashkinë Konispol, krahas fshatit me shumicë shqiptare myslimane të Pandelejmonit dhe atij me shumicë greke të Vagalatit. Pak minuta para votimit, këto fshatra, që Greqia i njeh si fshatra greke minoritare me vendimin nr. 4000/2/2012, kaluan me Bashkinë Finiq, që ka shumicë minoritare.

Testi i dytë pas censusit do të vinte në vitin 2015, në zgjedhjet bashkiake, ku PBDNJ-ja doli me kandidat Fredi Belerin në Himarë dhe Anastas Gudën në Konispol. Anastas Guda doli i treti me 17% të votave, duke dalë në fushatë me priftërinjtë e fshatrave të zonës, aty ku veç pak vite më parë, një prej tyre, me emrin Kozma Papa, bënte thirrje për ngritjen e flamurit të Vorio Epirit në Sopik e në fshatrat e tjera shqiptare të zonës. Ndërkaq, Beleri mori 27% të votave, duke përfituar nga fakti që opozita zgjodhi një kandidate pa peshë në politikën lokale, që ishte në fakt pjesë e Omonias dhe kishte origjinë joortodokse.

Zhvillimet në prag të censusit
Kushtetuta që i mundësoi Greqisë epërsinë në çështjen e shtetësisë, pasuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që hoqi individualizimin e kombësisë, paradoksi që Greqia krijon “zona minoritare” në Shqipëri, përfshi fshatra ortodokse shqiptare, dhe Shqipëria e ka të ndaluar të ketë zona minoritare, u pasua në vitin 2017 me legjislacionin për pakicat. Ligji përcakton se nëse 20% e banorëve të zonës i përkasin një pakice dhe/ose ajo zonë është tradicionalisht e banuar nga një pakicë, atëherë lind e drejta kolektive e minoritetit. Kjo e drejtë përmban shkolla dygjuhëshe, tabela dygjuhëshe, ngritjen e flamurit grek krah atij shqiptar në çdo institucion shtetëror dhe vënien e greqishtes gjuhë të dytë zyrtare.

Ky ligj njeh për herë të parë të drejta kolektive të pakicave, të ndërthurura me vlerën numerike 20%. Konventa Kuadër e Këshillit të Evropës për pakicat nuk njeh asnjë të drejtë kolektive, por vetëm të drejta individuale për pakicat. Ndërkaq, ligji ka edhe përkufizim të çfarë përbën pakicë, që nuk gjendet në asnjë akt të së drejtës ndërkombëtare, duke krijuar një përkufizim ligjor vetëm në Shqipëri. Për më tepër, ky përkufizim duket se është një përshtatje e elementeve përbërëse të pakicës aq përgjithësuese, sa fut edhe elementin fetar, që në Shqipëri nuk ka asnjë vend për shkak të përbërjes fetare të shqiptarëve. Së fundmi, ai njeh si pakica kombëtare të gjitha pakicat kombëtare, etnolinguistike dhe etnike në Shqipëri, pa bërë ndarje mes tyre.

Në vitet 2018-2020, kishat në fshatra ortodokse vetëm shqipfolëse u bënë njëgjuhëshe greke, siç u sqarua më lart, si një evidentim i tradicionalitetit të rremë të greqishtes përtej tri fshatrave me prejardhje greqishtfolëse. Kjo nuk ishte hera e parë që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë do të tentonte t’u paraprinte interesave grekë në Shqipëri, duke krijuar fait accompli që më pas Greqia do t’i përdorte për interesat e saj. Më herët, në vitin 2004, ajo kishte ndërtuar Manastirin në Grykën e Këlcyrës, bashkë me varreza bosh për ushtarët e rënë grekë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2006, disa varrmihës, nën mbikëqyrjen e priftit të fshatit Kosinë të Përmetit, do të merrnin eshtrat e banorëve të fshatit për t’i varrosur në këtë varrezë, që ishte pjesë e KOASH-it. Në vitin 2009, shteti grek vendosi kusht për votën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ngritjen e dy varrezave greke për ushtarët e saj të rënë gjatë Luftës, ku manastiri i Këlcyrës quhej “varrezë ekzistuese” për ushtarët grekë, pavarësisht se ishte pjesë e KOASH-it.

Në vitin 2022, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të propozonte një reformë të re territoriale, ku Bashkia Himarë përbëhej vetëm nga Njësia Administrative Himarë. Në këtë rast, personat e vetidentifikuar si grekë në këtë bashki do të ishin shumë mbi 20%, çka do ta bënte një bashki dygjuhëshe me flamur grek në çdo institucion dhe tabela e shkolla greqisht, sipas legjislacionit në fuqi për pakicat.

Nëse rezultati i zgjedhjeve 2015 rrëfeu bashkëpunimin e parë mes Belerit dhe opozitës, ai do të bëhej haptazi tetë vjet më vonë në zgjedhjet e vitit 2023. Mirëpo, këtë herë kishte edhe disa ndryshime të tjera rrënjësore. Prej së paku katër vjetësh, Fredi Beleri kishte akses të ndërhynte për shtetësi greke, bursa për universitetet shtetërore greke dhe akses në spitalin e Janinës. Ai përmblodhi votat e opozitës së drejtuar nga Partia e Lirisë dhe Partia Demokratike, si dhe votat tradicionale të PBDNJ-së në ish-Bashkisë Himarë, duke fituar bindshëm në fshatrat Himarë dhe Dhërmi, por duke humbur në të gjitha fshatrat ortodokse shqiptare pa fluiditet të identitetit në njësisë administrative Himarë. Fitorja i erdhi nga numri i lartë i emigrantëve dhe nga vota ndëshkuese për palën tjetër në ish-Komunën Lukovë.

Kështu, tri nga pesë fshatrat ortodokse shqiptare të njësisë Lukovë (Nivicë, Lukovë dhe Shën Vasil), për herë të parë në historinë e tyre votuan në shumicë të kombinuar një kandidat të propozuar nga PBDNJ-ja, për tri arsye kryesore. Së pari, kompaktësimi i votave të opozitës. Së dyti, problemet e pronave që i çoi të votonin cilindo kandidat që do të zgjidhte opozita, ku banorët pretendojnë pronësinë në plazhet e Kakomesë dhe Krorëzës përkatësisht, dhe vetëm pak muaj para zgjedhjeve u gjendën të paditur nga shteti për anulimin e akteve të tokës në këto plazhe. Së treti, kapitalizimi i mekanizmave shtetërorë grekë në duart e Belerit. Fakti që këto mekanizma janë shtetërorë, vërtetohet sepse shtetësitë greke për të cilat ka ndërhyrë Beleri në Tiranë dhe në Himarë, jepen vetëm nga shteti grek; bursat janë për universitete shtetërore e jepen vetëm nga shteti grek; letrat e homogjenëve jepen vetëm nga shteti grek; ndërsa, spitali i Janinës është spital shtetëror grek.

Gjithsesi, faktori kryesor duket se ka qenë mbështetja e shtetit, strukturave politike e shtetërore ose qarqeve të caktuara në Greqi. Pjesëmarrja në zgjedhje rrëfen për numër të lartë emigrantësh që janë kthyer në njësinë administrative Himarë vetëm për të votuar, në masë 62% më shumë se njësia administrative Lukovë, nga popullsia që është e barabartë mes dy njësive, siç pamë më sipër. Rritja përbën dyfishim të pjesëmarrjes së emigrantëve në zgjedhje, krahasuar me rastin më të lartë të mëparshëm dhe trefishim në krahasim me mesataren e pjesëmarrjes së emigrantëve në zgjedhje në njësinë Administrative Himarë. Kjo rrëfen një mobilizim përtej mundësive të një kandidati, çka rrëfehet edhe nga fakti se në fushatën e tij me emigrantët në Greqi ka qenë përherë i shoqëruar nga eksponentë të lartë politikë grekë.

Kështu, tentativa e Kishës Ortodokse me tabelat njëgjuhëshe dhe mobilizimi i mekanizmave shtetërorë grekë në duart e kandidatit Fredi Beleri, erdhën pak përpara censusit të vitit 2023. Nëse krahasojmë Konispolin me Himarën, Fredi Beleri nevojitej kryetar i Bashkisë së Himarës, ku himarjotët as në vitin 2011 nuk e tejkaluan shifrën tradicionale të vetidentifikimit si shqiptarë apo grekë në zonë, ndërkohë që nuk nevojitej asnjë kandidat në Bashkinë e Konispolit, ku testi i vitit 2011 kishte treguar se mund të arrihej 20% pa kryetar bashkie që do të punonte për këtë qëllim. Rreth Fredi Belerit u bashkuan të gjitha rrymat greke që pamë në qasjen ndaj çështjes së pakicës greke në Bashkinë Himarë. Edhe drejtuesit politikë grekë gjatë fushatës, edhe shteti grek që, përmes drejtuesve më të lartë politikë, e ktheu çështjen e arrestimit të tij nga SPAK-u si cenim të të drejtave të minoritetit, por edhe kryepeshkopi Anastas, që e vizitoi në burg, pavarësisht se nuk ka folur ende për ushtarin ortodoks, Arsen Gjini, për të cilin shteti grek pati akuzuar Fredi Belerin se e ka vrarë e as ka takuar asnjë ortodoks tjetër që është në burg.

Në dobi të interesit të vet kombëtar, shteti grek, struktura të tij ose grupe interesi, do të mund të kërkonin që, përmes letrave, bursave, pasaportave, që provuan se u funksionuan në ish-Komunën Xarrë në censusin e vitit 2011 dhe në zgjedhjet vendore në Bashkinë Himarë në vitin 2023, të realizonin për një ditë vetëdeklarimin e rremë për së paku 7% të shqiptarëve të Bashkisë Konispol dhe 5,5% të shqiptarëve të Bashkisë Himarë, për të mundësuar që nga Qafë Bota e deri në Llogara, nga Muzina dhe deri në Sarandë, të jetë një zonë minoritare. Kjo do të bënte që qyteti i Sarandës dhe ai i Delvinës të rrinin si ishuj njëgjuhësh në një pellg me flamurin grek të ngritur krah atij shqiptar në institucionet shtetërore të Shqipërisë, me tabela dygjuhëshe, me shkolla minoritare dhe me influencë me pasoja afatgjata të raportit të fluiditetit në atë zonë dhe marrëdhënieve shqiptaro-greke. Për këtë, nga intervistat e autorit në terren, rezulton se ka nisur edhe propaganda që kushdo që ka marrë letra greke, duhet të deklarohet grek, se nëse nuk deklarohen grekë, mund të humbasin statusin e dhënë nga vendimin 4000/3/2012, apo në të kundërt, se fshatrat që do të deklarohen si me shumicë greke dhe ende nuk janë përfshirë, do të përfshihen në atë vendim.

 (vijon nesër)

Shënim: Titujt dhe nëntitujt janë redaksionalë. Titulli i punimit është “Beteja për 20 përqindshin: Fluiditeti etnik, statistikat demografike dhe implikimet politike në Himarë dhe Konispol”. Studimi botohet i pjesshëm, pa citime dhe pa shënimet e autorit në footnote.

Ardit Bido* *Profesor i asociuar në marrëdhënie ndërkombëtare, me fushë të ngushtë studimi raportet politikë-fe dhe pakica-marrëdhënie ndërkombëtare

 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Epiroti: 21/09/2023 15:34

    Pse trembeni nga vetedeklarimet? Ky artikull nuk eshte nje shantazh, apo fajin e kane greket. Akoma pa filluar censusi, dolen patriotet, qe nderrojne fene sipas interesit.

    Përgjigju
  • Loni: 21/09/2023 12:54

    Çështja e të folmes në Palasë, Dhërmi dhe Himarë ka shekuj që ekziston. Sipas Kristo Frashërit (Botimi "Himara në Shekuj" i Akademisë së Shkenca të RPSSH, 1985) priftërinjtë bazilian dhe Nilo Ktalano, që ishin me mision në krahinën e Himarës në shekullin XVII theksonin se në të tre këto vendbanime, greqishtja flitet prej së paku 200 vjetësh. Që do të thotë, së paku prej viteve 1400. Po çështja e gjuhës nuk duhet marrë thjeshtë si tregues i etnisë, por duhet kuptuar në rrënjë se si qendrojnë faktet. Për më tepër, lëvizjet e popullsisë kanë qenë të shpeshta në zonë, ndaj duhen shumë e shumë më tepër hulumtime për këtë. Për vitet e tanishme vlen të theksohet (meqë përmenden emërtimet dhe tabelat) rasti unikal i fshatit Palasë, që ka disa vite që ka mbetur pa tabelë treguese se ku duhet të hysh për të shkuar në qendrë të fshatit! Kjo sigurisht është e kuptueshme, se po të kishte tabelë, do shkonin njerëzit për të kërkuar në fshat plazhin e investitorëve strategjik, e kjo sigurisht q[ na prish punë. Se edhe rruga e re që lidh "qytezën" Green Cost me plazhin e Dhërmiut, emrtohet si rrugë që lidh Palasën me Dhërmiun, ndërkohë që Palasa as puq fare me rrugën. Për të mos folur për shërbime të tjera që thuhet se jepen në Palasë, por ndërkohë jepen në "qytezën" Green Coast. Sa për emrat Dhërmi apo Dhrimadhes apo Gjilekë, janë përsëri deformime të atyre që nuk janë vendas të atyre trojeve. Vendasit i dinë mirë emërtesat, p.sh. aty ku është Green Coast i thonë "Dhrale", aty ku tashmë e kanë pagëzuar "Dhrimadhes apo Drymades" quhet Perivol, e kështu me rradhë. Nejse, ajo që dua të them është se po u futën jo vendasit për të përcaktuar se çfarë ndodh në një zonë të caktuar dhe për më tepër të japin mend se çfarë duhet të bëjnë a si duhet të sillen ata vendas, nuk bëjnë gjë tjetër veçse e zmadhojnë lëmshin. Dhe me kë e bëjnë këtë gjë, me Himariotët!! Hëh!

    Përgjigju
  • Iris: 21/09/2023 01:05

    Pjesa e trete eshte shume me interesante,ndoshta nga qe ka me pak statistika,s.d.q./duhen dy qe te bejne nje cift/-eshte nje shprehje;Greqia nuk do te arrinte asgje pa ndihmen e qeverise shqiptare.Padituria,interesat,indiferentizmi,100 arsye te tjera,por duket qe ne cdo hap qeveria shqiptare i ka hapur deren dhe ja ka bere /fushe me lule/grekut per cdo gje qe ka dashur,kerkuar,apo pretenduar.Duam shkolla greke!-Si,urdheron,gati i keni.Duam tabela ne greqisht!-Si,urdheron,gati i keni.Duam meshim ne greqisht e peshkope greke!-Si urdheron.Duam te hiqet shtetesia shqiptare me deshire te shtetasit!-Si urdheron.Duam te ngrihet flamuri grek brenda territorit te pavarur te shtetit shqiptar!-Si,urdheron,ngriheni.Duam varreza greke edhe aty ku nuk ka greke!-Si urdheron,do u japim dhe eshtrat e te pareve tane e t'i quani greke,vetem na jepni voten per ne NATO.Duam detin! Si urdheron,ua dhame me gjithe zemer,por ka akoma patriote qe nuk na lejuan.Duam te na lironi e betoni Belerin nese doni te hyni ne BE!Duam te na shisni shpirtin!-A keni ndonje ndryshim nga Djalli?!

    Përgjigju
    • Mario: 21/09/2023 14:52

      Ti ja ke fut kot fare

  • Beni: 20/09/2023 14:14

    hajde e mbushu mendjen arabeve te perkthejne kuranin ashtu e duan as mund ti burgosesh nese u vendos afate se njerez jane edhe ato kane te drejta te mesojne ne gjuhen me te pershtatshme ndryshe nuk do flisnim kaq shume gjuhe po do merreshim vesh ne nje menyre te caktuar po sa mire do ishte se te pakten nuk do kishte as keqkuptime

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla

'Gati shqipe', turi me diasporën, Rama sot takim me shqiptarët e Londrës! Pamje nga salla