TIRANË – Kryeministri Berisha tha në mbledhjen e qeverisë se rezultatet e censusit të viti 2011 treguan se shqiptarët tashmë janë përqëndruar në qytete, duke e bërë vendin një komb urban. Duke u mbështetur në rezultatet e rregjistrimit, Berisha tha se 53.7% e shqiptarëve jetojnë në qytet.
“Këtu marrin përgjigje ata që kanë qenë agresivë ndaj lëvizjes së lirë dhe urbanizimit të kombit. Ky është procesi më i shpejtë që një komb mund të ketë patur ndonjëherë”, tha Berisha.
Ai e faktoi këtë sukses me renditjen e Kamzës si një prej 6 qyteteve më të populluara gjatë 10 viteve të fundit.
“Në vitin 1979 në qytet jetonin 800 mijë shqiptarë dhe më shumë se dyfishi i tyre jetonte në fshat. Në vitin 2001, së paku 25% e shqiptarëve jetonin në fshat. Këtë 10 vjeçar ka ndodhur kapërcimi i madh, pasi shqiptarët u bënë një komb urban. Ky është proces në liri. I kuptoj të gjitha zhurmat dhe kritikat, por zhvillim më të madh për një komb në rrafshin social nuk ka. Ky proces shndërrimi madhor ka sjellë 2 -3 fishimin e qyteteteve të mëdha.
Bashkia e Kamzës, renditet e 6 në Shqipëri për frymë popullate, sipas këtij rregjistrimi. Para saj janë Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Elbasani”,

“U FAKTUA SHTIMI I POPULLSISË”
Kryeministri Berisha tha se ky ishte censusi i parë që shqiptarët realizuan në liri të plotë dhe në kushtet më optimale. Sipas tij, censunset precedente kanë qenë në kushte tmerrësisht të vështira. Gjatë diktaturës u manipuluan sipas oreksit të diktatorit.
“Ritmet e shtimit të popullatës janë të mira, por pavarësisht tendencës së rënies, qeveria do mbështesë politikat demografike. Në regjistrim nuk moren pjese, 1.04 % që është deviacioni më minimal në kohët moderene. Por, çdo refuzim është evidentuar, pasi është trokitur në çdo derë”, tha Berisha.
Ai cilësiu si sukses edhe rritjen në masën 38% të numrit të banesave krahasuar me vitin 2001, kur është bërë censusi i fundit.

“PASKUQANI I POPULLUAR, ATY KU BËRA ZBOR-in”
Në fund të fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë kryeminsitri Berisha i është rikthyer renditjes së bashkive me numrin më të mëdha në vend: Tirana, Durrësi, Vlora, Elbasani, Shkodra, Kamza, Fieri, Korça, Kashari, Paskuqani, Berati dhe Lushnja.
“Ndalem në Paskuqan ku kam bërë zborin. Dikur ne aty merrnim pozicionet e armikut në luftën hipotetike. Por, atje nuk gjeje asgjë vec kodrave me shkurre”, tha Berisha.