Centauri Kadare në pazarin e letrave

Centauri Kadare në pazarin e letrave
Ky centauri Kadare, i ardhur prej komunizmit dhe i mbijetuar në botën e civilizuar, pa zënë në gojë tonën, s'na paska punë me botën që e vë ndër emrat e parë për ‘Nobel’, po me të vetet e paqtë prej lavdisë së tij kaq të gjatë...

Kështu e përfytyroj Kadarenë, gjysmë njeri e gjysmë kalë, si qenia mitologjike. Ndoshta e përfytyroj kështu edhe prej trysnisë së jashtëzakonshme që këto kohët e fundit ka mbi Kadarenë njeri dhe Kadarenë shkrimtar. U bë një kohë e gjatë që këtë personalitet të madh të letrave, fat i madh për shqiptarët dhe mallkim për ta (fatkeqësisht, se nuk u bënë dot si ai!) e kanë ndaluar te pazari i thashethemnajës dhe po e përflasin siç dinë ta bëjnë këtë zeje të vjetër djerraditësit e shumtë të konakut shqiptar.

U desh një prishje qejfi prej një romani rinie, midis dy miqve të dikurshëm, por me rezerva të mëdha në kohën e tanishme, që t'i rikthehen sërish malit Kadare dhe të fillojë të brambullojë pazari i trushkuljes dhe asgjëkumtnajes. Ç'doli nga kjo tollovi; një mllef i nxjerrë me një letër të hapur kur mund të bëhej fisnikërisht me një letër të mbyllur, një shitje romani e paparashikuar, një bestseller i verës, shpenzat e mëdha që po përmirësohen, kthimi i buzëqeshjes më fort te gjyshi që mbytet prej kërkesave të vajzave dhe mbesave e nipçeve, pse jo, dhe të Helenës, që është mësuar të ketë e jo të humbasë. Pra, i gjithë qerthulli tufanor i ngritur prej një letre, po që mori e vrundulloi brenda tërë pazarin e thashethemnajës, mbaroi aty ku romani nxorri paranë për shlyerjen e shpenzave të mëdha.

O të dashurit e mi, që morët e harxhuat bojë, ka halle shkrimtari. Ai është albatrosi i Bodlerit aq i neveritshëm në tokë, e aq madhështor në qiejt, dhe pikërisht në këtë rënie në hall të Kadaresë, që deklaroi se nuk do të shkruaj më romane dhe shkroi roman, kinse një, që e dinte të fjetur po i’u zgjua papritur nëpër duar netëve kur prushëronte dorëshkrimet, u shfaqen kritizerët dhe himnizuesit, po harruan Gobsekun, ate çifutin e leskosur që kishte në dorë Parisin me borxhet e tij. Po sikur edhe Kadareja të ketë rënë në borxh? Brenda shtëpisë së tjetrit nuk hyhet, zotërinj, se ju doni t'i shikoni Kadaresë dhe plaçkat e barkut! Ka hallet e tij dhe ai. Fundja, zotërinj, a ishte historia e tij e dashurisë ajo që përmban romani i fundit? Ç'donte Nasho Jorgaqi me atë histori? Ore, po më ka ndodhur mua..mua..është imja..bëj ç'të dua me të..

Nasho, ti e shkrove, po edhe unë kam shkruar diçka, s'ta thashë..c'ta thosha, ti e katranose, more subjektin tim me gjithë emocionet e rrëfyera, me gjithë shpirtin e ngjarjes dhe e bëre "krimin". Ç'do të thoni për këtë, zotërinj? Sot të vjedhin diçka dhe kërcet pushka. Është i shtrenjtë malli i çfarëdollojshëm. Mos e harroni. Pse u pëlqye shumë romani i Kadaresë, me gjithë ngjyrën rozë që e mbështjell si atmosferë? Sepse aty është shpirti fillestar, jo ai i klonuari. Ç'faj ka Kadareja që i’u rikthye një stacioni të harruar të jetës së tij ku ishte një tharm i bukur? Ishte e tija, zotërinj, e tija. Kështu ka ndodhur; e ke rrëfyer sonte me aq frymëzim një histori intime, kur e shikon pas ca ditësh të botuar dhe levdatat i merr tjetri, vjedhësi i shpirtit.

Po, a durohet? Mirë shkoi dhe kjo punë, po veç kësaj i hapen lakrat lakrorit; Kadare i tha fjalë shumë fjalë të mira shokut për romanin ‘Dashuria e Mimozës’, dhe pas krahëve bëri bubutimën duke e mjeruar me fjalë fyese. E ç'del nga kjo? Ajo që ndodh përditë me shkrimtarët, se mos është hera e parë. Ves i përçudtë, po ja që ndodh. Dhe kapen pas karakterit të Kadaresë që e duan po aq të madh sa artin e tij. Ç'idiotësi! Ore, ç'ju duhet ju karakteri i shkrimtarit, veset apo virtutet e tij, sharjet, apo shpirtngushtësia e tij. Këto të gjitha janë jashtëletrare dhe që në zanafillë diskutimi për letrën e hapur ishte moral. E ç'më duhet mua morali i Kadaresë? Unë jam lexues, blej librin e tij, e lexoj dhe nëse më pëlqen, më rri mendja tek ai, prej adhurimit. Kështu është arti, zotërinj, s'pyet për moral e prapësi njërzilleku, po të vë veprën në kandar.

Me vjen çudi, se si nuk u ca betonarmeje shqiptare nga sukseset e bujshme të shkrimtarit Kadare, po veç u vesh e u rivesh me armaturë çeliku. E pse? Po zilinë e dështimin tonë para një shumë e shumë të suksesshmi ku ta shfryjmë që më në fund ta bëjmë gjumin rehat? Jo po ka shkruar Kadare se realizmi socialist ishte çnjerëzor? Po ashtu ishte. Ai, me penën e tij të artë e sfidoi. Ç'të keqe ka këtu? Apo s'duroni dot moralin që shket si ngjalë? Po atë pse se thoni, atë që vetë Kadare ka pohuar, se ka dhënë harac të rëndë për disa vepra që vërtet ishin disidente për kohën, unë po përmend vetëm njërin; ‘Pallati i ëndrrave’..Pse mbanit radhë dhe i blinit romanet e Kadaresë, zotërinj, bënit namin t’i gjenit, madje edhe të fotokopjuara, sepse brenda nëpër rreshta ishte edhe ai dytsi juaj që gjente ngushëllim. Pse se thoni? A nuk duhet moral për këto gjëra? Sa herë hapen çështje për Kadarenë, ju muk përqëndroheni te problemi, po nxitoni t'i bëni pretencën gjyqësore dhe jeni gati t’i jepni dënimin.

Po kush jeni ju, zotërinj? Në këtë rast flas për shkrimtarin Kadare, iku e shkoi diktatura erdhi mishmashi i demokracisë dhe ai prap mbeti një yll vetmitar, kë mund t’i vini pranë me po atë shkëlqim lebyrës? Nuk është me sisteme politike, me ndryshim koniukturash nën trysni, as me zëvendësime në hierarkinë e vlerave, po me talent. Vetëm me talent dhe vetëm me atë. Morali është në shtëpi. Vepra është në treg. Po sikur Kadare të nxjerrë nga senduku ndonjë xhevahir tjetër, çdo të bëni ju përgjues vullnetarë? Mbaj mend që kur xhironim një film në Gjirokastër në 2003, një plakë gjirokastrite që banonte ngjitur me shtëpinë e djegur të Kadaresë, na tha se banorët kishin gjetur në rrënoja një fletore të klasës së shtatë të shkrimtarit plot me vjersha..Po sikur ta ketë gjetur Kadare?

Dhe të jenë interesante ato vjersha dhe të bëjnë përshtypje, a do të ngrini sërish në këmbë pazarin e thashethemnajës që ta përgojoni e nga ai liberth me poezi të shtriheni si vaji në lakër në të gjitha anët e kafshës Kadare (centauri) duke harruar njeriun shkrimtar? Do ta bëni? Sigurisht që do ta bëni, se kështu e ka të caktuar njeriu i pakryer, gjuan pandehmen e vet të plotë të të lavdishmit. Ky centauri Kadare, i ardhur prej komunizmit dhe i mbijetuar në botën e civilizuar, pa zënë në gojë tonën, s'na paska punë me botën që e vë ndër emrat e parë për ‘Nobel’, po me të vetet e paqtë prej lavdisë së tij kaq të gjatë.

Kadare, hap rrugën, flasin me zërin e murgjve, që të prekin zemrat, lëre rininë të ec përpara.. e ke bllokuar fushën e letrave, Kadare, erdhi koha për rishikimin e vlerave, për përmbysje, të shpluhurosim të harruarit..Dhe centauri Kadare, gjysmë i përgojuar e gjysmë i lëvduar përshkon botën e madhe, po këta të lënët në hije prej tij, kujtojnë se endet Myzeqesë e Tomorrit, jo or jo, ai i ka lënë me kohë pas këto rrugë për poshtë e për lart, për ju, që s’bëni hije ende, se vetë është nga s’ja u pret mendja, midis korifejve të gjallë e të vdekur, në eternitane e shenjtë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, 22 vjeçari merret forcërisht në makinë dhe dhunohet, 3 të arrestuar

Tiranë, 22 vjeçari merret forcërisht në makinë dhe dhunohet, 3 të arrestuar