Ju kujtohet Angelo Peruzzi? Ish-portieri, tanimë 54-vjeçar ka një të shkuar të lavdishme pasi ishte pjesë e Italisë në 2006 kur të kaltrit fituan Kupën e Botës. Pjesë e Romës, Veronës, Juventusit, Interit dhe Lazios, Angelo Peruzzi ka luajtur 621 ndeshje në karrierë, ndër të cilat 478 duele në Serie A.
Tanimë ai tregon për 'Il Messaggero' se jeton në pyll dhe bën një jetë të thjeshtë ku ndihet komod dhe nuk e ndjek futbollin modern, pasi nuk është për të.
“Tani jetoj në pyll, futbolli modern nuk është për mua. Jam në pension, më pëlqen natyra dhe gjërat e thjeshta. Një nga gjërat më të bukura që bëj është të zgjohem në mëngjes dhe të eci nëpër pyll”, ka thënë fillimisht Peruzzi.
Peruzzi tregoi gjithashtu se u bë portier sepse ishte i vetmi në klasën e tij që mund të prekte traversën.
“Ishte një mësuese nga shkolla fillore. Ishin dy skuadra dhe askush nuk donte të shkonte në portë. Në atë moshë, të gjithë duan të jenë sulmues, kështu që ajo doli me një eksperiment; kushdo që mund të prekë traversën do të jetë portier. Dhe unë, duke qenë se isha më i gjati, arrita ta prekja, e vërteta është se më pëlqeu shumë”, përfundoi ish-portieri italian.