Cerga: Vjeshtë

Cerga: Vjeshtë

Vjeshtë. Stinë corapesh të holla grash. Piklat e shiut spërkasin getat dhe vajzat ngrenë fundet të shmangin makinat që vazhdojnë vërtikun e zakonshëm. Nxitim. Në vjeshtë fillon shkolla dhe njerëzia bëhen më nostalgjikë. Iu kujtohen bangat e shkollës. Gozhdat që grisnin përparëset. Tani as kur gatuajnë nuk mbajnë më përparëse. Iu kujtohen shëtitjet e fundit në parkun e madh të Liqenit Artificial. Ciftet rralloheshin dhe shndroheshin në tek. Pensionistët me borsalino ishin më besnikët e parkut. Ata ishin të fundit që e tradhëtonin parkun. Me shaminë e dorës fshinin stolin dhe uleshin të sodisnin liqenin që qëndronte i patrazuar në sfondin e vështrimit të tyre. Vajzat mbështilleshin sikur të kishte nisur dimri. Cadra mbanin vetëm djemtë. Një gysh ndan një mollë përgjysëm me thikën që ka vite që e mban në xhep. Me atë hap edhe konservën e sardeleve dhe qumështin Milk për mbesën e vogël. E shoqja në shtëpi përgatit zahiretë e dimrit. Po fillon e bëhet trahanaja, me qumësht, me kos, me domate. Shkallët e pallatit mbajnë aromë hudhre, uthulle, dafine e vaj ulliri. Përgatiten gogozharet. Së shpejti hapet sezoni i fasuleve. Më kujtohet një fqinj që të hënave na thoshte: Na polli groshi. Atëherë njihja vetëm groshët.

Më pëlqen vjeshta. Njërzit ngadalësojnë ritmin e nxitur nga dielli dhe trupat iu gjejnë më në fund qetësi. Ja shyqyr nisën dhe shirat, i thonë dy gra të shkuara në moshë njëra-tjetrës. Duket sikur mezi e kanë pritur fillimin e rreshjeve. Në rrugë një qen i qullur shkund veshët me përtesë. Nuk ka në rrugë një kazan për be ku të fusë kokën. Kazanët kanë ndërruar vend.

Mu kujtua libri “Bari, biri i Kazanit”. Vija veshin tek radioja dhe në 15.15 dëgjoja radiodramatizimin “Retë dendësohen”, Menelaos Ludemis. Ia hoqa veshët tim eti derisa e blemë librin tek Libraria e lagjies. Jetonim në kohë librash. Sa ishim të vegjël kishim Cufon, Baron Portokallin, Djemtë e Pallatit tim. Më pas, gjetëm “Shtëpinë e shpirtrave”. Lexonin të gjithë në vjeshtë.

Edhe tek Pallati i Kulturës nisnin e shtoheshin rradhët e atyre që prisnin që ata që ishin ulur të ngriheshin dhe ata që ishin ngritur të uleshin, dhe të tjerë që ishin ngritur të uleshin pas tyre. Zupa, ponc, konjak, arancata. Dhe filma artistikë. Nuk e kam kuptuar nëse Njeriu i Mirë, Telefoni i një Mëngjesi, Stolat në Park dhe Fijet që priten më pëlqenin se kishin brenda pak Pallat Kulture, se më hahej një ëmbëlsirë, apo sepse më pëlqenin aktorët, apo filmi. Një ndër mendimet që më vijnë në vjeshtë.

Fillonin edhe shtizat, edhe grepi. Gjyshja u përpoq disa herë të më mësonte shtizat. As “llastikun” nuk e mësova dot. Ndoshta ngaqë jetonim në periudhë kur ishte keq për llastik. Tek MAPO-ja llastikun e masnin me një metër metalik. Sa herë kam ëndërruar të bëhesha shitëse metrazhesh...

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E.D: 03/09/2019 14:03

    Dhe dy pika shi rane mbi banak, sikur lote, sikur gjak... Nostalgji per ate brez fisnik

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri! Sveçla: Grumbullonin pagesa në mënyrë të paligjshme!