TIRANË- Kryeministri Edi Rama do të raportojë ditën e nesërme (të hënën) në Kuvend në cilësinë e ministrit të jashtëm lidhur me çështjen e Alvinit, 11-vjeçarit të mbyllur në kamp në Siri.

Ishte kjo një kërkesë e bërë nga shtatë deputetë të opozitës së re, më konkretisht Alban Zeneli, Arben Elezi, Arlind Çaçani, Korab Lita, Halil Jakimi, Koci Tahiri dhe Kostaq Papa.

Në kërkesën e tyre, kërkohej interpelancë me Ministrin e Jashtëm, por pa specifikuar nëse bëhej fjalë për Ramën apo për Cakajn, duke qenë se shefi i ekzekutivit ia delegoi detyrën e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, zv/ministrit Gent Cakaj, i cili u bë mollë sherri për përplasjen Presidencë-Qeveri, pasi Ilir Meta refuzoi të dekretojë emërimin e tij në postin e kryediplomatit. Megjithatë burime për Report Tv bëjnë me dije se do të jetë vetë kreu i qeverisë që do t'u përgjigjet pyetjeve të opozitës së re lidhur me 11-vjeçarin në kampin e Siri.

Siç ka deklaruar më herët, sipas Ramës çështja e 11-vjeçarit shkon përtej diplomacisë shqiptare dhe se nxjerrja e tij është e vështirë, megjithatë theksoi se ka një plan me partnerët për ta larguar atë Pikërisht, për t'i dhënë përgjigje pyetjeve se në cilën fazë është ky plan dhe çfarë është bërë deri më tani për shpëtimin e Alvinit, Rama është thirrur në interpelancë nga opozita e re.

Fillimisht u raportua lajmi i mirë se Alvini ishte nën kujdesin e "Save The Children", por më pas rezultoi se nuk ishte e vërtetë

Rasti i Alvinit u publikua nga emisioni investigativ “Le Iene”. Ata arritën të futeshin në një nga kampet – burgje ku kurdët mbajnë ish-luftëtarët e ISIS. Në kampin AL HOL  janë gratë e luftëtarëve të ISIS, por dhe shumë fëmijë, shumë prej të cilëve kanë lindur pikërisht atje. Gazetari shpjegon se reportazhi në këtë kamp nuk ishte një rastësi, por një mision i vërtetë, për të gjetur një fëmijë shqiptar me emrin Alvin. Një fëmijë, i cili ka lindur në Itali 11 vite më parë (lexoni ketu historinë e plotë).