Presidenti serb Aleksander Vuçiç ka deklaruar se të hënën ose të martën do të zhvillojë një bisedë me Mark Rutte, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, lidhur me kërkesën për të mos lejuar hapjen e urës mbi lumin Ibër dhe tërheqjen e forcave të KFOR-it.

“Jemi në kontakt të rregullt dhe pres një bisedë me Mark Rutte të hënën ose të martën”, tha Vuçiç për mediat.

Presidenti i Serbisë shtoi se do të vazhdojë të luftojë për të drejtat e popullit serb në Kosovë.

"Do të vazhdoj të këmbëngul dhe të luftoj për popullin serb dhe të drejtat e tyre në Kosovë. Nuk po them se do të kem sukses 100%, por jam i sigurt se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, pasi ta lexojë letrën, me siguri do të më dëgjojë", tha Vuçiç.

Ura mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare nga Mitrovica e Veriut me shumicë serbe, është mbyllur për qarkullimin e automjeteve që pas luftës së vitit 1999.

Edhe pse Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapjen e saj në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe punimet e rehabilitimit përfunduan në vitin 2018, ura nuk është hapur ende për automjete.