Po të ishim në Itali apo Gjermani, nuk do të kishte asnjë dyshim: në rast se një vendim i një gjykate i formës së prerë sanksionon se një qytetar ka pushtuar një pronë që nuk është e tij, Përmbarimi ka të drejtë të ndërhyjë dhe Policia ka detyrimin ta mbrojë atë. Por, për fat të keq, jemi në Shqipëri dhe njerëzit nuk kanë besim tek vendimet e gjyqtarëve, as edhe kur ato janë të drejta. Në rastin e shtëpisë përballë shkollës “Petro Nini” ekzistojnë dy elementë të tjerë për dyshim: tre nga gjyqtarët, autorë të vendimit, janë ndër më të përfolurit, duke filluar nga Gjin Gjoni, i cili është simboli i asaj ''Drejtësie të padrejtë'', ndaj së cilës edhe qeveria socialiste po lufton prej vitesh.
Elementi i dytë i dyshimtë është se, nga vendimi, ai që përfiton është një nga oligarkët shqiptarë, pronar (ndër të tjera) i kompanisë së ndërtimit VEGA, i cili fitonte super-tendera për ndërtimin e rrugëve, urave dhe infrastrukturës në kohën e Berishës (e të Jozefina Topallit) dhe që ka vazhduar të fitojë super-tendera edhe në kohën e Ramës: gati 6 miliardë lekë të reja të marra prej shtetit nga viti 2012 e deri më sot.
Po kush beson në Shqipëri se, në një konflikt gjyqësor mes një oligarku miliarder dhe familjes së policeje, do të mund të fitonte familja e polices? Ja pse këtë herë nuk ka vlerë të strukesh pas pavarësisë së Drejtesia. Edhe këtë herë, duhet të pyesim veten nëse Drejtësia e ka bërë detyrën e saj.
Komente









