Mbrëmjen e djeshme, Andrea Pirlo publikoi në Instagram një postim të gjatë, të mbushur me zhgënjim. Në të ai shpjegon natyrën e marrëdhënies së tij me kompaninë ruse Fonbet dhe rithekson dashurinë e tij për Italinë dhe fanellën "azzurre". Sot ai konfirmoi se kishte mësuar se nuk është më në listën e kandidatëve për postin e trajnerit, kjo pasi ishte i përzgjedhuri kryesor i Maldinit.
Ish-mesfushori, i cili ishte shumë pranë emërimit si trajner i ri i kombëtares italiane të futbollit, e nis mesazhin me këto fjalë:
"Mbrëmë mësova se nuk jam më kandidat për stolin e kombëtares italiane. Ditët e fundit kam ndjekur me shumë zhgënjim debatin që është zhvilluar rreth emrit tim dhe mundësisë për të marrë rolin e trajnerit të kombëtares italiane."
Fjala kyçe e mesazhit është pikërisht "zhgënjimi", që pasqyron qartë gjendjen e tij shpirtërore.
"Nga respekti për institucionet, Federatën dhe të gjithë personat e përfshirë, deri tani kam zgjedhur të ruaj heshtjen. Megjithatë, e konsideroj të domosdoshme të sqaroj disa aspekte. Gjatë gjithë karrierës sime, fillimisht si futbollist dhe sot si trajner, kam ushtruar gjithmonë profesionin tim duke respektuar plotësisht ligjet e vendeve ku kam punuar dhe kontratat që kam nënshkruar.
Bashkëpunimi profesional që është bërë objekt i polemikave të fundit ka lindur në kuadër të aktivitetit tim profesional në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është ekskluzivisht i natyrës tregtare dhe sportive. T'i japësh këtij bashkëpunimi një kuptim politik do të thotë të më atribuosh bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk më përkasin."
Më pas Pirlo falenderon Paolo Maldinin dhe Leonardon.
"Dëshiroj të falenderoj Maldinin dhe Leonardon për vlerësimin dhe besimin që kanë treguar ndaj meje. E njoh profesionalizmin, seriozitetin dhe dashurinë që ata i kanë kushtuar gjithmonë futbollit italian.
Më vjen keq që një zgjedhje me karakter sportiv u shndërrua kaq shpejt në një debat publik, duke i atribuar personit tim domethënie dhe qëllime që nuk më përkasin. Dashuria ime për Italinë nuk varet nga një detyrë apo post. Ajo është pjesë e historisë sime, e identitetit tim dhe do të më shoqërojë gjithmonë", shkruan Pirlo.
Dy kontratat
Keqardhja e Pirlos është e kuptueshme, ashtu si edhe fakti që Giovanni Malagò kërkoi një verifikim të plotë të çdo aspekti të kësaj situate të ndërlikuar.
Çfarë rezultoi nga analizat? Pika e parë. Në kontratën e Pirlos me United FC Dubai nuk ka asnjë referencë për kompaninë Fonbet. Këtë e konfirmoi edhe pronari i klubit, Sergey Lomakin, i cili deklaroi: "Nuk ekziston asnjë lidhje mes meje, United FC dhe Fonbet."
Pika e dytë. Ekziston një kontratë e dytë, e lidhur me sponsorizimet dhe të drejtat e imazhit, të cilën Pirlo e ka nënshkruar në emrin e tij personal. Bëhet fjalë për një marrëveshje të ndërlikuar që e lidh ish-mesfushorin me Fonbet, edhe pse nuk është ende e qartë nëse kjo lidhje është e drejtpërdrejtë apo realizohet përmes një kompanie të tretë. Pikërisht ky element konsiderohet nga Malagò si veçanërisht i papërshtatshëm dhe problematik.
Lajmi kryesor:
Polemika në kombëtaren e Italisë për shkak të 'basteve ruse', Andrea Pirlo del nga skena për rolin e trajnerit! Maldini ka gati dorëheqjen, sot takimi me Malagòn







