Çështjet Ligjore/ Debate për buxhetin, deputetja e PD-së sulmon Gjykatën Kushtetuese: Duhet ta rrëzonit marrëveshjen antikombëtare Rama-Meloni! Bushka: Respektoni vendimet e Drejtësisë

Po zhvillohet sot (13 Nëntor) mbledhja e radhës e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në lidhje me buxhetin 2025.

Rendi i ditës parashikonte dëgjesën e Gjykatës Kushtetuese, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatit të Popullit dhe Presidenca.

Për Kushtetuesen ishte i pranishëm sekretari i institucionit, Eugen Papandile, që tha ndër të tjera se buxheti për këtë vit është ai i kërkuar nga Gjykata, por shtroi disa problematika për paga dhe shtesa fondesh pasi është rritur mbingarkesa nga ankimimet dhe kërkohet staf shtesë.

“Dy vitet e fundit buxheti për Gjykatën Kushtetuese, në krahasim me vitet e tjera, ka qenë ai që është kërkuar dhe duket se kërkesat kanë rënë në “vesh të mirë”. Buxheti për vitin 2025 është në përputhje me kërkesat tona të bëra. Por duam të paraqesim disa kërkesa për fondin e pagave dhe shpenzimeve, në lidhje me nevojat aktuale që kemi. Kemi kërkesa ankimuese në numër të lartë, pra duke krijuar edhe ngarkesë dhe nevojë për shtesa fondi dhe administrate”, tha ndër të tjera Papandile.

Mbledhja kaloi te pyetjet dhe përgjigjet, ku nuk munguan edhe debatet e forta, pas kritikave që deputetja demokrate Lindita Metaliaj ngriti për çështjen e marrëveshjes së emigrantëve Itali-Shqipëri. Ligjvënësja doli nga rendi i ditës, duke kërkuar llogari ndaj Kushtetueses për atë vendim të dyshimtë që mori për kërkesën e PD, për ta rrëzuar marrëveshjen si antikushtetuese dhe të paligjshme. Metaliaj tha se Gjadri është kthyer në burg dhe se padia që opozita bëri për marrëveshjen tregoi se kishte prova të forta. “Ju s’u ngritët në nivelin e kërkuar të detyrës, nuk morët parasysh as Gjykatën Britanike apo ato Italiane”, tha deputetja.

Fjala e saj u ndërpre nga kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka, që i kujtoi koleges se opozita pretendon se nuk komenton vendimet e drejtësisë dhe se kjo mbledhje kishte të bënte me buxhetin dhe jo vendimmarrjet. Kurse deputeti Dogjani ritheksoi antikushtetueshmërinë e marrëveshjes, duke çuar në mbylljen e dëgjesës.

Pjesë nga debati:

Lindita Metaliaj: Po marr shkas nga diskutimi për buxhetin për të ngritur shqetësimin për protokollin Rama-Meloni. Meqë jam përfaqësuese e Lezhës, për situatën në kampet Gjadër dhe Shëngjin, kujtoj se fal edhe vendimit tuaj 5 me 4, në Gjykatën Kushtetuese, për padinë e bërë nga Partia Demokratike, duke e rrëzuar, tregon se PD kishte prova të forta, vendimi i sforcuar e tregon këtë. Pasi shkelet kushtetuta dhe ligjet, konventat evropiane, statusi i refugjatit etj. Kjo marrveshje jo vetëm po vijon, por shikojmë anije që vijnë dhe kthehen pas. Fal asaj marrëveshje që votuat 5 me 4, që ishte e paligjshme, treguat se nuk u ngritët në krye të detyrës tuaj.

Klotilda Bushka: Ju po komentonin vendimet e gjykatës, ndërkohë që duhet t’i respektoni. Jemi për buxhetin, bëni pyetje për buxhetin. Mos përdorni këtë mbledhje, respektoni gjykatën dhe vendimmarrjen...

Metalia: Gjykata Kushtetuese dhe administrata paguhen nga ky buxhet dhe nëse duan ta marrin votën këtu, dua ta ngre shqetësimin se jam përfaqësuese e Lezhës, sepse Gjadri dhe Shëngjini janë kthyer në kamp refugjatësh, një burg.

Bushka: Ju jeni juriste dhe i dini kufijtë...

Lindita Metalia: Kushtetuesja duhet të ngrihet në nivelin e gjykatave europiane, si Katanias, Romës, Britanisë dhe t’i kërkonte mendim Komisionit të Venecias. Më e pakta ishte kjo. Shohim anije që vijnë në Shëngjin i sjellin ata fatkeq dhe i kthejnë përsëri si pasojë e asaj marrëveshjeje antikombëtare Mekloni-Rama. Të paktën Kushtetuesja duhet të ngrihej në nivelin e kushtetueshmërisë dhe ta rrëzonte, ose të merrte shembull Britaninë dhe gjykatat italiane. Ose t’i drejtohej Venecias.

Bushka: Zoti Papandile, mund të largoheni, dëgjesa mbyllet këtu.

Asllan Dogjani: Marrëveshja është antikushtetuese, Gjykata duhet të bënte detyrën. Kjo është e papranueshme!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:58
Ballanca: Shqetësim minimumi jetik, s’ka indeksim të ndihmës ekonomike! Në kampin e Manzës iranianët s’na lënë të hyjmë, s’na njohin si Avokat Populli

 

Erinda Ballanca, sot në Komision

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u pyet edhe nga deputetët anëtarë të Komisionit për Çështjet Ligjore, në lidhje me disa problematika të ndryshme, përveç dëgjesës për buxhetin e vitit 2025.

Fillimisht ishte deputetja demokrate Dhurata Çupi që pyeti nëse kishte një raport se si bëhet ky buxhet dhe që nuk adreson çështjet e minimit jetik, apo të pensioneve?

“Kemi dhënë mendime me shkrim në lidhje me buxhetin në Komisionin e Çështjeve Sociale, për të thënë që ka çështje që nuk kanë gjetur zgjidhje në këtë buxhet, siç është minimumi jetik, indeksimi i pensioneve dhe i ndihmës ekonomike. Kemi pasur indeksim të pensioneve, pavarësisht masës, por jo të ndihmës ekonomike. Shqetësime që i kemi ngritur në komision dhe që duhet të trajtohen”, u shpreh Avokatja e Popullit.

Kurse deputeti republikan, Fatmir Mediu e zhvendosi fokusin në një çështje më të hershme, ndërhyrjet policore në Kampin e Muxhahedinëve në Manzë.

“Para disa kohësh ka pasur një ndërhyrje flagrante të policisë në kampin e iranianëve, ka pasur një qëndrim nga ana juaj për rastin? Sepse u mbulua sikur kishte një sekret shtetëror?”, pyeti ai.

Ballanca tha se autoritetet e kampit atje nuk e pranojnë institucionin e saj që të futen brenda territorit.

“Autoritet e kampit nuk e pranojnë Avokatin e Popullit. Sa herë në kemi pasur kërkesë-ankesa ata nuk kanë pranuar të futemi brenda. Në rastin konkret nuk ka pasur një ankesë nga ana e tyre dhe unë me kënaqësi nuk e kam ndjekur rastin e tyre. Sepse është çështje reciprociteti. Nëse ata më parë nuk e kanë pranuar autoritetin tonë, kur kemi pasur shqetësime nga dhjetëra familjarë të personave që ndodhen brenda kampit,  që kanë pasur pretendime se fëmijët e tyre mbahen me forcë. Dhe kemi pasur raste kur kemi dashur të shkojmë dhe të kërkojmë informacione, por kemi pasur zero akses dhe liri. Me qëllim nuk do të kisha vijuar një hetim, për çështje të reciprocitetit”, shpjegoi Ballanca.

Ora 12:43
Buxheti për Avokatin e Popullit/ Ballanca kritikon Reformën në Drejtësi: Krijoi mbingarkesë çështjesh në Gjykata! 3 komisionerë shtesë dhe fond për sigurinë kibernetike!

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, sot në Komision

Avokati i Popullit kërkon te Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, mbështetje për 3 persona staf dhe fond për mbrojtjen e sigurisë kibernetike. Kryetarja Erinda Ballanca u shpreh se për vitin 2025 buxheti parashikon 196.9 mln lekë, teksa ka nevojë edhe për shtesa.

Ballanca trajtoi edhe çështjet problematike të krijuara si pasojë e reformës në drejtësi dhe vetingut, pasi ka krijuar zvarritje çështjesh dhe mbingarkesë dosjesh te gjyqtarët, duke shkaktuar edhe cenim të të drejtave të njeriut. Përgjigja krijoi tension për shkak se u kalua në një çështje tjetër jashtë rendit të ditës.

Ballanca u mbështet edhe nga deputeti opozitar Oerd Bylykbashi, që tha se janë krijuar 138 mijë çështje të pazgjidhura në Gjykata dhe se ata kishin të drejtë kur thoshin se Vetingu do krijojë ngërç dhe probleme për qytetarët.

“Avokati i Popullit e ka shtuar aktivizimin, numrin e ankesave dhe rekomandimeve. Në vitin e ardhshëm do të jemi në procesin e riakreditimit, që bëhet çdo 4 vite nga organizatat e OKB. Në 2025-ën do të jetë akreditimi i radhës dhe dy nga detyrat kryesore që janë lënë ka qenë rritja e kapaciteteve dhe buxhetit, dhe më e rëndësishmja për të marrë ankesa edhe nga sektori privat, detyrë që është lënë nga komiteti i akreditimit. Do të sjellim gjatë ditëve në vijim një draft me amendamente për ligjin për avokatin e popullit, pasi përndryshe nuk do të marrim dot akreditimin si institucion me statusin A, niveli më i lartë i garantimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, tha Ballanca.

Ajo theksoi se ka nevojë për të krijuar një nënsesion për çështjet ligjore, analizës dhe raportimit. Pasi tani me raportimet që bëhen për Komisionin Europian dhe pjesën e negociatave, është e nevojshme të ketë një njësi që të ndjekë këto raportime.

“Kemi nevojë për 2 persona shtesë në staf.  Kemi kërkuar të shtojmë kapacitetet e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës edhe me detyrat shtesë që kemi për mbrojtjen e emigrantëve dhe detyrave që do të kemi për mbrojtjen e shtuar që duhet të kemi për marrëveshjen Shqipëri Itali. Do të na duhej edhe një komisioner tjetër, nga 4, në 5. Në total nevojiten 3 personel shtesë. Në total kërkojmë 7.6 mln lekë për pagat 1.3 mln lekë për sigurimet shoqërore. Në lidhje me investimet, ka të bëjë me sigurinë kibernetike. Nga AKSK ka pasur një vlerësim orientues për 18 mln lekë, i ndarë në infrastrukturë, standarde dhe trajnime”, tha drejtuesja e AP.

Më tej preku edhe problematikat e zvarritjes së proceseve gjyqësore të qytetarëve, ku konstatohet si shkelje e të drejtave të njeriut.

“Ka numër të vogël gjyqtarësh për 100 mijë banorë dhe ne jemi shumë larg standardeve europiane. Ka mbingarkesë çështjesh, që erdhi menjëherë pas reformës në drejtësi. Gjyqtarët kanë mbingarkesë dosjesh, për shkak të reformës. Reforma në drejtësi ka krijuar problematikë në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve”, tha Ballanca.

Ora 12:28
Pakti për emigrantët/ Bardhi: Marrëveshja tani e pazbatueshme! Ballanca: Kemi detyrimin të mbikëqyrim të drejtat e njeriut brenda kampit, koordinim me italianët

Deputetët e opozitës, sot te Komisioni i Çështjeve Ligjore

Komisioni për Çështjet Ligjore ka vijuar pikën e dytë të rendit të ditës me dëgjimin e drejtueses së Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca.

Ndërsa kërkoi mbështetje me shtim stafi dhe buxhet për vitin 2025, diskutimet dolën edhe nga rendi i ditës, duke kaluar edhe në debate mes palëve, deri në politikë, ku objekt ishte marrëveshja e emigrantëve me Italinë.

Avokati i Popullit kërkoi një komisioner shtesë për çështjen e emigracionit, kurse deputeti Gazment Bardhi pyeti nëse sipas gjykatave marrëveshja tani është e pazbatueshme, a nevojitej më ky komisioner dhe nëse institucioni kishte të drejtë ta mbikëqyrte apo monitoronte kampin. Ballanca tha se e kishin të drejtën e mbikëqyrjes për çështjen e të drejtave të njeriut, duke u koordinuar edhe me palën italiane.

“Kemi kërkuar të shtojmë kapacitetet e mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës edhe me detyrat shtesë që kemi për mbrojtjen e emigrantëve dhe detyrave që do të kemi për mbrojtjen e shtuar që duhet të kemi për marrëveshjen Shqipëri Itali, do të na duhej edhe një komisioner tjetër, nga 4 të bëhen 5”, tha ajo.

Kurse deputeti i PD, Gazment Bardhi, u shpreh:

“Ju kërkuat një nënkomisioner për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes Shqipëri Itali? Ka juridiksion Avokati i Popullit për të mbikëqyrur këtë marrëveshje? Për sa kohë kampi është jashtë juridiksionit të Shqipërisë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese… Edhe ky vendim është pak kontradiktor, sepse nga ana tjetër thotë që Shqipëria duhet ta mbajë një sy brenda kampit. Ka vendim të gjykatave italiane që e bëjnë të pazbatueshme marrëveshjen. Nëse vijon e njëjta situatë dhe aty nuk do të ketë emigrantë..., mbetet nevoja sërish për shtesën që kërkuat?”.

Por Ballanca shpjegoi se Avokati i Popullit kërkonte një person shtesë në staf për çështjet e emigracionit në tërësi dhe jo vetëm për marrëveshjen.

“Ne kërkojmë një person ekstra për çështjen e emigracionit në tërësi, por përveç asaj, Avokati i Popullit beson se ka detyrime për të mbikëqyrur të drejtat e njeriut brenda kampit. Gjykata Kushtetuese  ka thënë se sa i takon të drejtave të njeriut dhe të drejtave konventore, këta emigrantë do të kenë mbrojtje të përforcuar, edhe nga Shqipëria dhe nga Italia. Ne kemi bërë disa takime me homologët italianë, për të pasur një veprimtari të përbashkët dhe për të kordinuar punën për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave themelore. Kemi marrë kontakt dhe jemi duke qartësuar pozicionin tonë. Fakti që ne mendojmë të shkojmë me ekipe të përbashkëta, secili do të ketë mundësi të paraqesë gjetjet e veta sa I takon të drejtave të njeriut”, shpjegoi Ballanca.

Ora 11:19
Buxheti për Gjykatën Kushtetuese/ Dogjani: Nuk jeni të pavarur, sepse i kërkoni para Kuvendit! Propozoni ndryshime kushtetuese, pse nuk zbatohen vendimet tuaja?!

Asllan Dogjani, sot në Komision

Teksa diskutohej për buxhetin e Gjykatës Kushtetuese për vitin 2025, ku sekretari Eugen Papandile kërkoi nga Komisioni i Çështjeve Ligjore që të shtohej fondi për shpenzime operative dhe mbingarkesën e ankimimeve me 15 mln lekë të reja, opozita ka kritikuar ashpër disa nga vendimmarrjet e institucionit të drejtësisë, duke dalë nga tematika dhe rendi i ditës.

Edhe deputeti i PD, Asllan Dogjani ishte i drejtpërdrejtë, duke thënë se “Kushtetuesja nuk është e pavarur”, teksa propozoi që Kushtetuesja të kërkonte ndryshime ligjore dhe jo para nga buxheti.

“A kemi sot një Gjykatë Kushtetuese të pavarur? Gjykimi im është se kemi një gjykatë nën presion politik dhe nën kërcënimin e politikës. Kohët e fundit nuk janë zbatuar vendimet e Kushtetueses. A keni një mekanizëm si veprohet kur nuk zbatohen vendimet e saj? A ka pasur kërcënime të drejtpërdrejta nga politika në lidhje me vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese? Fakti që ju kërkoni para do të thotë që ju jeni të varur nga Kuvendi. A në plan Gjykata Kushtetuese të kërkojë ndryshime në Kushtetutë që të ketë një fond të pavarur?”, tha Dogjani mes të tjerash.

Edhe deputetja tjetër e PD, Lindita Metaliaj, kishte kritikuar vendimin 5 me 4 për rrëzimin e padisë së opozitës për të shfuqizuar marrëveshjen e emigrantëve Shqipëri-Itali.

Ora 11:10
Buxheti 2025/ Gjykata Kushtetuese kërkon rreth 15 mln lekë më shumë! Papandile: Numri i ankimeve është rritur, kemi nevojë për punonjës

Moment nga mbledhja te Komisioni për Çështjet Ligjore

U dëgjua sot raporti i Gjykatës Kushtetuese për buxhetin 2025 te Komisioni për Çështjet Ligjore, ku i pranishëm ishte sekretari i institucionit, Eugen Papandile.

Teksa theksoi se buxheti plotëson kërkesat kryesore të prezantuara, ai ngriti edhe një shqetësim për mbingarkesën nga ankimimet, që më tej detyron kërkesën për staf të shtuar të specializuar. Dhe për këtë kërkoi fond shtesë me 15 mln lekë në paga e sigurime.

“Gjykata Kushtetuese ka nevojë për një pavarësi të plotë, jo vetëm në vendime juridike, por edhe në burime financiare, për të shmangur çdo ndikim të jashtëm nga pushtete të tjera. Duam të sjellim në vëmendje disa kërkesa që kanë të bëjnë me fondin e pagave dhe sigurimeve dhe me shpenzimet operative. Fondet e akorduara për 2025 tek shpenzimet e personelit, janë në shumën e 192 mln lekë. Referuar statistikave të 5 viteve të fundit, numri i çështjeve në gjykatën kushtetuese nga 50 në 2019, këtë vit parashikohet në 450 të tilla”, tha Papandile në fjalën e tij të prezantimit në dëgjesë.

Ai shpjegoi se mbledhja e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ka vendosur krijimin e Drejtorisë së kërkimeve, studimeve dhe botimeve me një përbërje prej 5 punonjësish.

“Lehtëson punën studimore dhe kërkimore, pa ngarkuar gjyqtarët dhe këshilltarët duke qenë se edhe numri i ankimeve është rritur.  Kërkesë për tna mundësuar ngritjen dhe funksionimin e kësaj drejtorie”, u shpreh ai.

Më tej shpjegoi edhe çështjen e shpenzimeve operative për anëtarët e Komisionit:

“Gjykata Kushtetuese në muajin Maj të 2024 është zgjedhur kryesuese e konferencës së Gjykatave Kushtetuese Europiane që përbëhet nga 40 të tilla. Gjatë këtij kryesimi në Shqipëri do të ketë organizime të ndryshme dhe për këtë shkak duhen fonde shtesë që nuk janë parashikuar nga ministria e financave. Kërkojmë shtesë në vlerën totale 14 mln e 957 mijë lekë”.

A.Q/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 14/11/2024 00:37

    Kush dreqin kujtojne se jane keta iranianet qe nuk lejojne perfaqesuesit e drejtesise shqiptare te hyjne ne kamp?! U duket vetja si ambasade e huaj,apo shtet brenda shtetit?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ Drama ‘Nepërkat’ në Teatrit Metropol, shfaqja ‘Fausti’ vjen tek ArTurbina! Çelet nesër ekspozita ‘Balona’

Aktivitetet kulturore/ Drama ‘Nepërkat’ në Teatrit Metropol, shfaqja ‘Fausti’ vjen tek ArTurbina! Çelet nesër ekspozita ‘Balona’