Çështjeve Europiane/ Kryenegociatorja Dhuka: Plan për realizimin e grup-kapitujve dhe Drejtësinë, 7 mld për kompensimin e ish-pronarëve! Tabaku: Buxheti s'ka asnjë ndryshim!

Mbahet sot mbledhja e radhës për diskutimin e Buxhetit faktit të vitit 2025 të Komisioni për Çështjet Europiane (12 Nëntor). E pranishme për të shpjeguar buxhetin për vitin që vjen ishte ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, që foli në lidhje me rekomandimet e KE dhe BE, për hapjen e dy grupkapitujve dhe nëse buxheti i akorduar përkonte për realizimin e tyre sipas afateve, kryesisht reformat në drejtësi, administrata, kthimi dhe kompensimi i pronave dhe çështjet ekonomike.

Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku ngriti disa shqetësime, sidomos faktin se nuk ka ecuri në realizimin e reformave dhe rekomandimeve, sikurse theksoi se "buxheti i vitit të ardhshëm më duket njëlloj si ai i vitit të kaluar, s'ka asnjë ndryshim".

Ajo i kërkoi ministres Dhuka shpjegime për planet që kanë për realizimin e rekomandimeve të BE dhe KE dhe se si do ndahet buxheti, teksa theksoi problematikat kryesisht te reforma në drejtësi, çështjet ligjore dhe administrata.

"Ka një vlerësim negativ për Administratën Publike", tha Tabaku ndër të tjera, teksa u kundërshtua nga ministrja, që u shpreh se ka pasur vlerësime nga ndërkombëtarët për administratën.

Kurse deputetja e PL, Erisa Xhixho ngriti shqetësime për gjendjen e arsimit, duke thënë se "prodhojmë analfabetë funksionalë" dhe se "pensionistët po trajtohen me thërrime", kurse "fermerët nuk mbështeten".

Dhuka dha detaje financiare për ecurinë e procesit të negociatave, afatet për grupkapitujt dhe se si janë ndarë zërat financiare dhe programues për realizimin e rekomandimeve.

“Shqipëria sapo ka çelur grupkapitujt më 15 tetor me BE për negociatat. Buxheti parashikon zhvillime të rëndësishme, me investime dhe kapacitete institucionale. Rekomandimet e Bashkimit Europian dhe veçanërisht Komisioni Europian janë parashikuar me realizim duke nisur nga viti që vjen. Ky buxhet parashikon mbështetje për thellimin e reformave kryesore si ajo në drejtësi, dixhitalizimin, reforma në shërbimet publike, reformat në punësim dhe thellimi i reformave në mirëqeverisje dhe forcimi i institucioneve shqiptare, teksa përgatitemi për të qenë anëtare e BE-së”, tha Dhuka.

Më tej shpjegoi se buxheti mbështet lidhjen e tregjeve rajonale, europiane dhe veçanërisht BE-në, mbështetjen e prodhimit vendas derisa 75% e prodhimeve shqiptare shkojnë eksport në vendet e BE-së.

Po kështu theksoi se buxheti mbështet infrastrukturën rrugore, me standarde edhe në transportin rrugor, por edhe infrastrukturën hekurudhore, ajrore dhe detare. Mbështet “tregun e energjisë së Shqipërisë me BE që të jetë eksportues neto i energjisë elektrike brenda kësaj, dekade në rajon dhe vendet e BE-së”.

“Shqipëria do përfitojë mbështetje nga BE për reformat e mëtejshme. Shqipëria pritet të përfitojë 920 mln euro kredi me kushte të lehtësuara dhe grant nga BE për reformat

Dhe gjithashtu pritet të përfitojë 550 mln euro nga instrumenti i aderimit, i ndarë në 7 vite dhe veçanërisht 2025-2027. Ka zhvilluar 3 udhërrëfyes dhe përmbushjen e angazhimeve të marra përsipër, udhërrëfyesit për drejtësinë, administratën publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, me në zemër Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Dhuka.

Në fushën e themeloreve buxheti pritet të forcojë dy programe të rëndësishme, si ajo e Ministrisë së Drejtësisë, programi i sistemi të Burgjeve dhe kthimi e kompensimi i pronave të ish-pronarëve.

“Në Fushën e Gjyqësorit mbështetje për reformën në drejtësi në konsolidim dhe bashkëpunimin me BE-në. Vazhdon mreformimi e mbështetja në KLP dhe KLGJ. Këto 3 vite do arrihet dixhitalizimi i sistemit të prokurorisë dhe gjyqësor. Dhe kapaciteteve të sigurisë kibernetike, si dhe për prezantimin e inteligjencës artificiale në sistemin e punës në fushën e drejtësisë. Por edhe në infrastrukturën fizike, si godina e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, si dhe mbështetje financiare për gjykata të tjera si në Durrës, Fier, Tiranë dhe Apelit dhe GJKKO-së.  Në lidhje me të drejtat e njeriut parashikohen mbi 600 mln lekë për institucionin e rehabilitimit të të miturve në sistemin e drejtësisë. Mbështetje në sistemin e kushteve në burgje dhe ndërtimi i një burgu në Kukës”, u shpreh Dhuka në detaje për realizimin e rekomandimeve dhe grup-kapitujve.

Ministrja dha shpjegime edhe për buxhetin në çështjen e kompensimit dhe kthimit të pronave për ish-pronarët, sipas rekomandimeve të BE-së.

“Për pronarët dhe ish-pronarët janë parashikuar 7 mld lekë në kompensimin. Nga viti i ardhshëm në luftën ndaj korrupsionit do krijohet zyra kombëtare e sekuestros së aseteve.

Sikurse mbështetja për BKH me mbi 600 mln lekësh, qëendra e menaxhimit europian të të kufirit, me buxhet rreth 60 mln lekësh. Për reformën në administratë buxheti mbështet kapacitetet administrative dhe kemi asistencë nga BE dhe partnerët tanë, për të thelluar reformat”, tha Dhuka.

Buxheti sipas saj mbështet lidhjen e Shqipërisë me korridoret europiane në fushën e transportit dhe rrjetit rrugor, me rritje të buxhetit, në kuadër edhe të rekomandimeve të KE.

“Mbështetje edhe në rrjetin rrugor, hekurudhor, sinjalistikë, me grante dhe kredi nga BE, Bankat e Zhvillimit dhe vendet partnere. Sikurse linja hekurudhore Durrës-Tiranë dhe rrjeti i ri Tiranë-Rinas dhe Vorë-Hani i Hotit. Po kështu Aviacioni Shqiptar Civil të afrohet me shërbimin europian, sikurse edhe ai detar me portin e ri”, u shpreh ministrja e Shtetit.

Në fund ajo tha se Shqipëria ka mbështetje edhe nga IPA e Bashkimit Europian, që do nisin dhe zbatohen nga viti i ardhshëm, për fushën e Themeloreve dhe Reformën në Drejtësi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:29
Çështjet Europiane/ Xhixho: Po prodhojmë analfabetë funksionalë, pensionistët po trajtohen me thërrime, fondet e BE-së po vidhen, asnjë mbështetje për fermerët

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, u tregua kritike ndaj buxhetit të vitit 2025 në Komisionin e Çështjeve Europiane, duke vënë në dukje se këto financa nuk ndihmojnë aspak shumë prej fushave ku edhe BE ka dhënë rekomandime, si ajo në Arsim, Bujqësi, por edhe të rrogat dhe pensionet.

Deputetja akuzoi se aktualisht reforma në arsim ka dështuar.

“Ne prodhojmë analfabetë funksionalë, ndërkohë që duhet të formojmë arsim profesional edhe në kuadër të dixhitalizimit. Sot që flasim ka 1 kompjuter për 20 nxënës, vetëm 50% e shkollave janë mbuluar me wi-fi. Nuk kemi studentë që ndjekin shkencat, sepse s’ka as mësues, s’ka motivim pagash dhe mundësish. Dhe jemi në situata me 7, 8, 5 studentë në Matematikë, Fizike, apo shkenca të tjera. 230 mijë nxënës që kanë braktisur shkollën dhe universitetet që nisën me gjysmën e kapaciteteve. Këto shifra hedhin poshtë gjithë propagandën se po investohet në arsim dhe po reformohet”, tha Xhixho.

Më tej ajo ktheu vëmendjen edhe nga mosha e tretë, pensionistët, duke u shprehur se ata “po keqtrajtohen financiarisht”.

“Ky buxhet s’ka asnjë vëmendje për pensionistët, trajtohen me thërrime, po talleni me ta. 500 mijë pensionistë që po trajtohen vetëm me 16 mln euro, po vuajnë varfërinë. Pensionistët po keqtrajtohen financiarisht. Kosova me buxhet shumë të ulët se Shqipëria, ofron rritje pensionesh për këtë shtresë më shumë se Shqipëria, pa e krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Nuk ka rritje pagash, s’ka mbështetje për shtresat në nevojë ky buxhet, s’ka mbështetje për fermerët, edhe pse ofrojnë 20 përqind të prodhimit bruto. Vidhen fondet e shqiptarëve dhe taksapaguesve, si dhe ato të Bashkimit Europian”, tha deputetja ndër të tjera.

A.Q/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tes: 12/11/2024 10:17

    Ku e ke portin e ri?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    13 Dhjetor, 14:13

    Në grup Anglia, Serbia, Letonia e Andorra, a shkon Shqipëria në Botëror?



×

Lajmi i fundit

E paprecedentë/ Sali Berisha nxjerr 'live' foton e gruas së Altin Dumanit për të shantazhuar kreun e SPAK

E paprecedentë/ Sali Berisha nxjerr 'live' foton e gruas së Altin Dumanit për të shantazhuar kreun e SPAK