Shqipëria dhe 5 vendet e rajonit janë një hap më pranë heqjes së tarifave të roamingut me Bashkimin Europian, pasi ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë miratuar nisjen e negociatave me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas burimeve jozyrtare nga Këshilli i BE-së, vendimi autorizon hapjen e negociatave me Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për shërbimet e roamingut në rrjetet publike të telefonisë celulare.
Këshilli i BE-së pritet ta miratojë zyrtarisht vendimin më 4 qershor, pas së cilës mund të nisin negociatat me secilin vend të rajonit. Presidenca qipriote e Bashkimit Europian deklaroi se mbështet fuqishëm perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
““Zgjerimi i zonës pa roaming është një shenjë e qartë e angazhimit tonë ndaj rajonit. Ne presim me padurim miratimin zyrtar të vendimit që autorizon hapjen e negociatave për këto marrëveshje”, ka thënë një zëdhënës i Presidencës së Qipros në BE.
Vendimi në fjalë i referohet hapjes së negociatave për marrëveshje sektoriale ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, përkatësisht për roamingun në rrjetet publike të komunikimeve mobile,
Komisioni Europian propozoi në shkurt zgjerimin e skemës “Roam Like at Home” edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor. Institucionet europiane presin që negociatat të përfundojnë deri në fund të vitit.
Nëse procesi ecën sipas planit, qytetarët shqiptarë mund të përdorin telefonin e tyre në vendet e Bashkimit Europian me të njëjtat tarifa që paguajnë në Shqipëri, pa kosto shtesë për telefonata, mesazhe apo internet celular.
Politika “Roam Like at Home” është në fuqi në Bashkimin Europian që nga viti 2017 dhe konsiderohet një nga nismat më të suksesshme të BE-së për qytetarët.
Në rastin ideal, roamingu ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe shteteve të Bashkimit Evropian mund të hiqet që vitin e ardhshëm.
Komente




