Bashkimi Europian rrezikon të përballet me humbje masive të vendeve të punës në vitet e ardhshme, ndërsa kostot e larta të energjisë, ristrukturimi industrial dhe tranzicioni i gjelbër po shtojnë presionin mbi ekonominë europiane. Paralajmërimi vjen nga Komisioni Europian në Paketën e Pranverës të Semestrit Europian, që publikohet këtë të mërkurë.
Sipas dokumentit të siguruar nga Politico, vetëm gjatë vitit 2026 presioni nga çmimet e energjisë mund të vërë në rrezik deri në 560 mijë vende pune. Sektorët më të prekur pritet të jenë ndërtimi, industria e metaleve, kimikatet dhe transporti.
Komisioni paralajmëron se industria automobilistike europiane po përballet me një nga sfidat më të mëdha të viteve të fundit. Rreth 600 mijë vende pune mund të humbasin ndërsa sektori po kalon nga motorët me djegie drejt automjeteve elektrike dhe përballet me konkurrencë të fortë nga Kina.
Edhe sektorë të tjerë strategjikë janë nën presion. Në industrinë e baterive rreth 85 mijë vende pune konsiderohen në rrezik, ndërsa prodhimi europian i paneleve diellore përballet me presione që prekin afro 59 mijë vende pune. Masat për dekarbonizimin mund të ndikojnë gjithashtu mbi 4.500 vende pune në industrinë e çelikut.
Brukseli ka ulur edhe pritshmëritë për tregun e punës. Ndërsa vjeshtën e kaluar parashikonte papunësi 5.8% në vitin 2027, tashmë Komisioni vlerëson se niveli i papunësisë do të mbetet në 6% si në vitin 2026 ashtu edhe në 2027. Në të njëjtën kohë, deficiti mesatar i vendeve të BE-së pritet të rritet nga 3.1% e PBB-së në vitin 2025 në 3.5% në vitin 2026 dhe 3.6% në vitin 2027.
Për herë të parë, Komisioni Europian do të vendosë në qendër të rekomandimeve të tij investimet te kapitali njerëzor. Brukseli argumenton se konkurrueshmëria e Europës nuk mund të mbështetet vetëm te teknologjia, kapitali apo rregullat financiare, por edhe te aftësitë e punëtorëve.
Sipas Komisionit, 68% e kompanive të mesme raportuan mungesë aftësish në vitin 2023, ndërsa në vitin 2024 plot 77% e bizneseve deklaruan se mungesa e fuqisë punëtore dhe e kualifikimeve po pengon investimet. Për këtë arsye, arsimi, formimi profesional, rikualifikimi i punonjësve dhe aftësitë STEM do të kenë një rol më të madh në politikat ekonomike të BE-së.
Dokumenti ngre shqetësime edhe për aspektin social. Familjet me të ardhura të ulëta mund të përballen me një barrë më të madhe nga rritja e çmimeve të karburanteve, që mund t’u kushtojë deri në 1.4% të të ardhurave. Një në pesë punonjës në BE vazhdon të jetë i punësuar në sektorë me paga të ulëta dhe produktivitet të dobët, ndërsa një në 12 persona rrezikon të mbetet i varfër pavarësisht se është në punë.
Në paketën që do të publikohet këtë javë, Komisioni pritet gjithashtu të ngrejë shqetësime për financat publike të Bullgarisë, ndërsa Gjermania, Estonia, Letonia dhe Sllovenia kanë kaluar pa probleme kontrollin e Brukselit, të paktën për momentin.
Komente






