Çetnikët serbë, bashkëpunimi me
nazistët dhe paradokset historike

Çetnikët serbë, bashkëpunimi me<br />nazistët dhe paradokset historike
Lufta e Dytë Botërore, përkatësia në njërin apo tjetrin krah, shpeshherë përbënte në fakt një konglomerat interesash, të cilat me paradokset që ofronin, ka sjellë edhe sot e kësaj dite keqkuptime, keqinterpretime e manipulime, duke na bërë t’i shohim gjërat më me shumë objektivitet e më me shumë ngjyra, për të kuptuar më shumë.

Pak ditë më parë botova një set fotografish, të pakët në numër, por besoj të rëndësishëm në përmbajtje, të divizionit malor SS-Skanderbeg në Kosovë, (që nuk gjendej në koleksionin e sjellë nga studiuesi Robert Elsie) i cili tashmë përbën një realitet të njohur që mbart me vete edhe interpretimet e veta.

Përshtypje më bëri sidomos fakti se veç portaleve kosovare e shqiptare, më kishte cituar edhe ndonjë portal serb me qendër në Kosovë, duke më nxitur kësisoj “ta çoj deri në fund këtë mision”, pasi duket sikur në mënyrën si unë e solla, del në pah vetëm bashkëpunimi i shqiptarëve, posaçërisht i kosovarëve me gjermanët, apo nazistët, pavarësisht se ky nuk ishte qëllimi im.

Për të përmbushur idenë e mësipërme, do doja të sillja disa foto të tjera, të cilat ilustrojnë më së miri jo vetëm bashkëpunimin mes çetnikëve serbë dhe nazistëve, por edhe atë mes tyre e italianëve, çka e shtyn në kohë këtë bashkëpunim, qysh herët në fillimvitin 1941.

Në njërën syresh duket qartë gëzimi në sytë e liderëve çetnikë, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me krerët lokalë nazistë, në një tjetër shihet gjithashtu shumë qartë një viktimë e sapoekzekutuar, ndërsa pranë tij qëndron triumfator një çetnik e në krah të tij një ushtar italian.

Por gjithashtu, meqenëse folëm për paradokse, po ashtu shihen në vitin 1943 gjatë një operacioni ushtarak gjerman, një grup çetnikësh teksa merren rob nga anëtarët e Divizionit SS-Prinz Eugen, i cili e shtriu veprimtarinë e tij sidomos në zonat qendrore të ish-Jugosllavisë, e që trashëgoi në suazat e veta edhe disa anëtarë apo drejtues të ish-divizionit “SS-Skanderbeg”, pas shkrirjes së këtij të fundit në vjeshtë 1944. 
Sikurse dihet tashmë, vetë Serbia pas pushtimit nga Gjermania, u shpall zonë e pushtuar dhe e kontrolluar tërësisht gjermane, nën një regjim kukull drejtuar nga Gjenerali Milan Nediç, ish – komandant i ushtrisë Mbretërore Jugosllave.

Shqipëria në këtë kohë që po flasim (duke përjashtuar kohën e pushtimit italian), njihej zyrtarisht si një shtet neutral, megjithëse “deutschfreundlich” ( dmth: miqësore ndaj gjermanëve), sidoqoftë një shkallë më poshtë në hierarkinë e të cilësuarit “aleat i ngushtë i Gjermanisë” apo shtet “vasal progjerman”. Në fakt, neutrealiteti i Shqipërisë me aq sa ishte mundësia, u bë përpjekje të ruhej e të ushtrohej jo vetëm në letër, ndërsa Serbia nën udhëheqjen e Nediç, renditej tek vendet më aktive në formësimin e politikave dhe të një fronti “antibolshevik” (siç preferohej të cilësoheshin atëherë nga propaganda naziste këto iniciativa) dhe “antihebre”.
 
Objektivat e çetnikëëve dhe masakrat ndaj shqiptarëve
Objektiv i çetnikëve kësisoj ishin partizanët  e komunistët, por edhe anëtarët e popullsive të tjera joserbe, sidomos shqiptarët, kroatët e boshnjakët. Në varësi të interesave, ata kalonin shpesh nga bashkëpunimi me ustashët kroatë, në krimet ndaj shqiptarëve, nga bashkëpunimi fillimisht edhe me partizanët, tek ai me italianët e nazistët, e deri tek ai me anglezët e aleatët për të sabotuar gjermanët dhe vetë qeverinë e Nediç.

Pavarësisht se ata operonin shpesh në grupime të ndara, duke mos iu bindur një komande qendrore, në krimet ndaj shqiptarëve duket se të gjitha fraksionet e tyre, i karakterizonte e njejta dëshirë për ti shfarosur ata në rastin më të parë.
Madje indicie të veçanta sinjalizojnë se ka pasur edhe tendenca bashkëpunimi që i diktonte fronti, mes tyre dhe njësive të Xhafer Devës ( ish-ministër i brendshëm në qeverinë e Rexhep Mitrovicës), me ndërmjetësimin gjerman.

Forma, volumi dhe egërsia e krimeve të çetnikëve tashmë janë mëse emblematike dhe megjithëse kreu i tyre ( ose i fraksionit zyrtar të tyre), Drazha Mihajlloviç u kap e u ekzekutua menjëherë pas lufte nga një “gjykatë popullore”, dmth titiste, aleatët përfshirë këtu edhe Uashingtonin zyrtar, me një dekret të fshehtë në fundvitet ’70-të të shekullit të shkuar, e dekoruan atë për “kontributin në krah të aleatëve”, duke preferuar të mos bënin shumë zhurmë me këtë akt, për të mos dëmtuar marrëdhëniet me Titon dhe atë çfarë Jugosllavia në atë kohë përfaqësonte.

Për kokën e tij në vitin 1943 autoritetet naziste vendosën edhe një çmim, kur ai u pa qartazi se do bashkëpunonte me aleatët. Sot figura e tij është rehabilituar në Serbi, tashmë prej dy vjetësh, megjithëse debati për të vijon të jetë shumë kontrovers. 
  
Paradokset që solli lufta
Në fakt të gjitha këto s’duhet të përbëjnë asnjë habi, sepse sikurse e theksova më lart, ajo luftë solli paradokse të atilla, saqë thuajse të gjitha kombet në Europë u desh të kishin paralelisht dy qeveri e dy qëndrime për t’i paraprirë çdo të papriture që lidhej me fatet e luftës.

Duket paradoksale, por gjermanët në sirtar qysh nga viti 1942, thuhej se kishin madje edhe një plan për pushtimin e Turqisë (operacioni “Gertrude”) si një alternativë ndaj një qëndrimi pro-aleat të Turqisë apo një fuqizimi të mundshëm (përtej përllogaritjeve gjermane) të faktorit turk e turkmen në rajonin e Kaukazit e atë të Azisë Qendrore, apo se gjermanët ndërsa ia njihnin sovranitetin Bullgarisë ndaj Maqedonisë, kishin ndërkohë gati planet për njohjen e Maqedonisë, duke i ushqyer anëtarët e paraardhësve të VMRO-së së sotme, me shpresën për një shtet të pavarur maqedonas, çka për pak ditë  në vjeshtën e 1944 – para se të hynin formacionet e partizanëve titistë - duket se edhe funksionoi.  

Po kështu ndodhi edhe me Greqinë, e cila megjithëse “Oqi” i saj i famshëm, një ditë shumë e rëndësishme përkujtimore e historisë së saj të vonë, paradoksalisht ka evidenca se vijoi të festohej edhe në vitin 1942 e më tej gjatë pushtimit italo-gjerman, u desh të përkulej para fuqisë së Wehrmachtit, i cili përdori gjerësisht kufirin jugosllavo-grek dhe bullgaro-grek për të përmbushur objektivat e vet, çka paradoksalisht nuk e ka bërë kurrë Greqinë të mbajë ngrehur një ligj lufte me këto vende, sikurse ka bërë me Shqipërinë.

Me Bullgarinë, Rumaninë e Hungarinë u mor garancia e të qenurit pro-gjerman pa qenë nevoja e ndërhyrjes ushtarake. E njejta gjë ndodhi edhe me Jugosllavinë, ku nga Princi Aleksandër u pranua anëtarësia në Boshtin nazist, porse orientimi prorus e profranko-anglez i elitës ushtarake e intelektuale serbe, bëri që Mbreti të rrëzohej brenda natës e që Hitleri pastaj të vendoste hapa ekstremë për të marrë në dorë situatën në pranverë të vitit 1941.

Nga ajo kohë na vjen edhe një foto e cila shfaq qartazi një kosovar (me shumë gjasa një varfanjak e endacak fatkeq, që me shumë gjasa as që e dinte se çfarë po ndodhte) me plis të bardhë në kokë në rrugët e Beogradit, i cili me zell shitej nga serbët “e pastër” tek gjermanët si “hebre”, çka në mënyrë simbolike shfaq jo vetëm manipulimet dhe zellin e serbëve për bashkëpunim me nazistët, por edhe shfrytëzimin e këtyre të fundit në favor të planeve të tyre për shfarosjen e shqiptarëve.

Nga ana tjetër, një foto e korrikut 1942, në Selanik të Greqisë, na shfaq një hebre në ditën kur të gjithë hebrenjtë në qytet u urdhëruan  të kryenin punë të rënda në një shesh të qytetit. Ata u lanë me orë të tëra nën një diell përvëlues, duke u detyruar të kërcenin apo të luanin si lolo përballë një turme që kënaqej me “shfaqjen”, për ti bërë kështu qejfin gjermanëve.

E kotë të gjesh “shfaqje” të tilla në Shqipërinë e atyre viteve, edhe nëse rrëmon shumë gjatë, pasi jo vetëm që popullsia vendase i mbrojti të gjithë hebrenjtë e ardhur nga të gjitha anët, por nuk gjen dot as edhe ndonjë urdhër zyrtar për trajtimin e tyre në përputhje me urdhëresat nazist. Përkundrazi, dëshmohen shumë raste ku ndërhyrja e autoriteteve shqiptare, ka qenë madje vendimtare për shpëtimin e tyre, duke u kujtuar gjermanëve mëse një herë, se duhej të respektonin neutralitetin e Shqipërisë edhe në lidhje me këtë aspekt.

Glorifikimi i rolit të çetnikëve
Në disa nga raportet e Wehrmacht-it gjerman, gjen edhe dëshmi ku pasqyrohet përplasja mes serbëve e shqiptarëve në territoret që u ishin lënë nën kontroll Qeverisë Shqiptare (pra nën Mitrovicë ku përfundonte territori i administruar nga Rajhu) dhe “pamundësia” dmth mosdashja e gjermanëve për të ndërhyrë në këtë konflikt.

Të gjitha këto nuk e zbehin aspak atë që mund të ketë mbetur për t’u theksuar nga veprimtaria e Divizionit “SS-Skanderbeg”, i cili në një pjesë të veprimtarisë së tij u angazhua edhe në deportime e akte të tjera, të cilat nuk e nderojnë historinë tonë, por Serbia duket se ka rekorde shumë më të rënda në këtë aspekt, duke tentuar të glorifikojë rolin e çetnikëve në një anë dhe të trumbetojë me të madhe, sikurse Greqia, bashkëpunimin e shqiptarëve me nazistët në anën tjetër, pa dashur të përfillë e të studiojë asnjë rrethanë, fakt apo dëshmi historike.   

[gallery]23321[/gallery]

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com
   

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Katër të vdekur pas fundosjes së një anijeje në Greqi

Katër të vdekur pas fundosjes së një anijeje në Greqi