TIRANE- Kompania çeke CEZ Group është në prag të pranimit të zgjidhjes së konfliktit me shtetin shqiptar, i cili i ka hequr licensën për shpëndarjen dhe tregtimin e energjisë elektrike. Përpjekjet e grupit negociator shqiptar duket se kanë sjellë konfliktin në prag të kapërcimit, sipas burimeve nga dikasteri i Energjisë dhe Industrisë.

Ato theksojnë, megjithatë, se shmangia e dëshiruar e përcjelljes së dosjes drejt Gjykatës së Arbitrazhit do të kushtonte rreth 95 miliionë euro dëmshpërblime, gjithsesi shumë më pak se pretendimet e çekëve, që kanë deklaruar vazhdimisht për një faturë dëmesh prej 200 milionë eurosh, të shkaktuar nga vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në fillim të 2013-ës.

Negociatorët po bisedojnë edhe për mundësinë e likuidimit të shifrës së dëmit për një periudhë prej katër vitesh, në formën e kësteve të barabarta, çka nuk do të krijonte një kolaps për buxhetin e shtetit, edhe kështu të goditur nga barra e 700 milionë eurove borxh, të trashëguar nga qeveria e mëparshme, për fatura ta papaguara investimesh publike dhe mungesa të rimbursimit të TVSH-së, etj.

Sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike në vend u privatizua në vitin 2009, për një shumë prej 102 milionë eurosh nga CEZ Group, duke pranuar edhe shtetit shqiptar si bashkëpronar të kësaj ndërmarrjeje të përbashkët. Në atë kohë, Çekia kishte presidencën e radhës së Bashkimit Europian dhe ish-kryeministri Berisha i dorëzoi qeverisë së saj zyrtarisht aplikimin për statusin e vendit kandidat.

Por qeveria nuk arriti të shlyente detyrimet e prapambetura të institucioneve buxhetore dhe konflikti u thellua kur CEZ Shpërndarje nisi mbledhjen me forcë të borxheve tek abonentët e parregullt, duke përfshirë ujësjellësit, proces ky i cili krijoi konflikt me policinë e shtetit, duke bërë qe disa punonjës të CEZ-it të shoqëroheshin në komisariate.
CEZ nga ana e vet nuk pranoi të paguante për detyrimet e tij ndaj KESH-it, me pronar shtetin, në një kohë që shteti ishte vetë debitor. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 24 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)