"CEZ", dokumenti që implikon
Boden në dëmin 400 mln euro

Boden në dëmin 400 mln euro">
Rëndohen pozitat e ish-ministrit të Financave Ridvan Bode në raport me historinë e favorizimit të kompanisë çeke ‘CEZ’.

Shqiptarja.com zbardh shkresën me firmën e ish-kryefinancierit Ridvan Bode, i cili jo vetëm mbështet, por del edhe garant i skemës së favorizimit të CEZ me anë të njohjes së rritjes së borxhit të keq nga 4 për qind në 16.85 për qind. Konkretisht, me shkresën Nr. 4512 / 3, datë 5. 04. 2012, Ridvan Bode mbështet Entin Rregullator të Energjisë për t’i njohur rritjen e borxhit të keq CEZ, në kundërshtim me dy vendime qeverie.

Nga përllogaritjet më të fundit të komisionit hetimor parlamentar për çështjen ‘CEZ’, vetëm nga manovra e ish-kryeministrit Sali Berisha, Ridvan Bodes, ERE-s dhe CEZ me borxhin e keq dhe lëvizjet e çmimit të energjisë, shtetit shqiptar i është shkarkuar një dëm ekonomik prej 400 milionë eurosh. Për efekt hetimi, historia e aferës ‘CEZ’ në Shqipëri është ndarë në dy periudha; Privatizimi abuziv i OSSH si dhe periudha e favorizimit të CEZ. Në pjesë e dytë të historisë përfshihen; Njohja e rritjes së nivelit të borxhit të keq në dëm të shtetit shqiptar, ulja e çmimit të energjisë që KESH ia shiste CEZ, ndryshimi i nivelit të humbjeve nga 32 për qind në 34,5 për qind, toleromi i mungesës së investimeve nga CEZ etj.  

Në letrën drejtuar ish-kreut të ERE-s, Sokol Ramadanit, Bode rendit disa argumente, në mbështetje të skemës së favorizimit të CEZ nga ERE. Ndër të tjera, Bode kërkon shmangien e një gjyqi në arbitrazh me CEZ, ndonëse prej dy vitesh pretendon se Shqipëria do të fitonte përballë CEZ-it në gjykatat ndërkombëtare. “Nisur nga kjo situatë ju propozoni:

1. Njohjen e borxhit të keq prej 16.85 %.
2. Mbajtjen e tarifave për konsumatorët të pandryshueshme.
3. Mbajtjen në nivelin 2.2 lekë / kwh të tarifës së KESH. Për sa më sipër, bazuar në kuadrin ligjor respektiv, rekomandimet dhe korrespondencat e fundit me Bankën Botërore, minimizimin e riskut të ekspozimit të vendit ndaj proceseve gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare si dhe për të garantuar furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike, Ministria e Financave, në cilësinë e garantorit mbështet skemën e propozuar nga ana juaj për tejkalimin e kësaj situate”, thuhet në letrën e Bodes.

Bode, duke iu referuar një letre të ish-kreut të ERE, bën një përshkrim të situatës dhe të raporteve me CEZ. “Me letrën tuaj nr. 281/2, datë 30 Mars 2012, ju na informoni për disa probleme që kanë lidhje me situatën e vështirë me të cilën po përballet sektori elektroenergjetik dhe që konsistojnë në gjendjen e vështirë financiare të kompanisë CEZ, e cila sipas CEZ ishte rezultat i disa vendimmarrjeve të ERE të bëra në kundërshtim me marrëveshjen e mbështetjes qeveritare, kuadrin rregullator dhe deklaratën rregullatore. Gjendjen e vështirë financiare të KESH jo vetëm për shkak të situatës hidrologjike, por edhe për shkaqe të marrëdhënieve kontraktuale jo funksionale ndërmjet tij dhe CEZ (CEZ nuk paguan energjinë e marrë nga KESH që nga shkurti 2011 në vlerën 8.2 miliardë lekë)”, thotë Bode.

Nën presionin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ERE, me vendim Nr. 99, datë 20.09. 2011, i ka njohur rritjen e borxhit të keq CEZ për vitet 2008, 2009 dhe 2010, në masat 14%, 14% dhe 13%. “Nivelet aktuale të borxhit të keq, me korrektimet e mësipërme, për vitet 2008, 2009, 2010 janë respektivisht 14 %,14 % dhe 13 %. Borxhi i keq do të llogaritet si përqindje mbi shumën e të ardhurave të furnizuesit publik me pakicë sipas pikës 5.2 të deklaratës Rregullatore”, thuhet në vendimin e ERE. Vendimi i ERE ka ardhur pas një letre të drejtuesve të CEZ drejtuar ish-këshilltares së ish-kryeministrit Berisha, znj. Suzana Goxholli. Menjëherë pas letrës, në lëvizjeve janë vënë organet e kontrolluara asokohe nga Berisha. Ndërkaq, në kohë kur CEZ negocionte me qeverinë “Berisha” dhe ERE urdhërohej që t’i njihte një borxh edhe më të madh, CEZ kishte filluar lëvizjet me disa kompani për të mbledhur borxhin e keq, duke i ndarë përgjysmë paratë e mbledhura. Pjesë e këtyre kompanive ishte edhe e famshmja DIA. Skandali mes CEZ dhe kompanive në fjalë, ka krijuar dyshime të forta, se nga afera me borxhin e keq kanë përfituar të gjitha palët, në dëm të shtetit shqiptar.

dokumenti bode
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet në SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet në SPAK