Duke paraqitur në Pragë rezultatet financiare të grupit për tremujorin e tretë të vitit, Daniel Benes, drejtor i përgjithshëm i Grupit, tha se deri në fund të vitit do të punohet për të gjetur mënyrën e largimit nga vendi. Nga ana e tij, drejtori financiar i grupit, Martin Novak, deklaroi se shitja e kompanisë në Shqipëri do të sillte përmirësim të fitimit neto, duke qenë se do të ulte shumë humbjet e realizuara.
Sips zyrtarëve të lartë të kompanisë, të cituar nga agjencia ekonomike e lajmeve Bloomberg, ka qenë rezultati negativ i filiales me bazë në Tiranë ajo çka ka shkaktuar mosarritjen e objektivave të parashikuar financiare për këtë vit. Gjatë tremujorit të tretë 2012, fitimi arriti në 6.61 miliard korona (260 milionë euro), por nuk arriti objektivin prej 7.99 miliardë koronash (314 milionë euro), pikërisht prej deficitit të krijuar në shpërndarjen e energjisë elektrike në Shqipëri.
LICENSA
Enti Rregullator i Energjisë deklaroi dje zyrtarisht se ka nisur të verifikojë bilancin e CEZ-it për të parë shkaqet e gjendjes së vështirë financiare të kompanisë. "Përderisa ne jemi shprehur me një tarifë të përcaktuar me kompaninë e shpërndarjes është parë, që kompania me këto të ardhura që mund të ketë ose me këto elementë që janë marrë parasysh në përcaktimin e tarifës në kompanitë shpërndarëse, mund të jetë funksionale dhe duhet të jetë funksionale. Duhet një monitorim nga se kompania ka patur vështirësi financiare dhe cilat janë ato shpenzime që kompanisë i kanë sjellë vështirësi financiare", tha drejtori Juridik i ERE-s, Eduard Elezi. Kreu i Zyrës Juridike të Entit tha se, pas përfundimit të kontrolleve, Bordi i Komisionerëve do të marrë edhe vendimin përfundimtar në lidhje me licensën e kompanisë.
"Nuk është detyrë e Entit të ndjekë apo mbikëqyrë lëvizjet e fluksit të parave të një licensuari, qoftë kjo edhe shoqëria CEZ- shpërndarje. Ajo që kërkohet nga ERE është monitorimi i realizimit faktik i shpenzimeve të të licensuarit, përfshirë shpenzimet operative dhe ato për investime dhe krahasimi i tyre me ato të parashikuara në tarifë", tha Elezi.
SITUATA
ERE bëri të ditur se aktualisht nuk po importohet energji elektrike për furnizimin e konsumatorëve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të paguajnë faturat. Eduard Elezi deklaroi se nuk po importohet energjia për të cilën ka nevojë vendi. Duke theksuar se Enti Rregullator i Energjisë është gjithmonë në mbrojtje të konsumatorëve dhe vepron krejtësisht e pavarur, Elezi u bëri apel qytetarëve që të paguajnë energjinë pasi ky është shkaku i ndërprerjeve aktuale.
(sg/shqiptarja.com)
