Në letër CEZ thekson se punonjësit e saj janë ndaluar në mënyrë arbitare dhe në kundërshtim me ligjin nga strukturat e policisë, por dhe janë kërcënuar që të lidhin energjinë elektrike në ujësjellësat. Më tej CEZ sqaron se punonjësit janë duke kryer detyrën e tyre ligjore dhe se punonjësit e policisë kanë vepruar pa bërë më parë asnjë verifikim paraprak në lidhje me ligjshmërinë e procedurave të ndërprerjes së energjisë elektrike për këto subjekte debitore.
“Nga stukturat tona, jemi informuar se në mënyrë arbitrare punonjësit tanë janë penguar nga ana e strukturave të policisë së komisariateve të lartëpërmendur, për të kryer detyrën e tyre funksionale dhe ligjore. Ata janë kërcenuar se duhet detyrimisht të lidhin energjinë elektrike për ujësjellësat e në disa raste janë shoqëruar në komisariat me arsyetimin se sipas tyre nga ana e Shoqërive të Ujeësjellësave janë depozituar kallëzime penale ndaj CEZ Shpërndarje. Në vijim të këtyre veprimeve të paligjshme të punonjësve të Policisë së Shtetit, punonjësit e CEZ Shpërndarje po ndalohen për të kryer detyrën e tyre duke u shoqëruar e mbajtur në komisariate apo ambiente të tjera në kundërshtim të plotë me parashikimet e Ligjit 9749, date 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit".
Duke pasur parasysh se punonjësit tanë janë duke kryer një detyrë funksionale të ligjshme, në mënyrë që të ndjekim procedurat përkatesë ligjore ndaj këtyre veprimeve arbitrare, kërkojme informacion si më poshtë:
1. A është rregjistruar procedim penal nga organet e prokurorive ndaj punonjësve të CEZ Shpërndarje sh.a, referuar kallëzimeve penale të shoqërive të Ujësjellës Kanalizime sh.a.
2. Për cilat shkaqe janë kryer veprimet e shoqërimit të punonjësve tanë në komisariatet e policisë.
3. Ju lutem na informoni në mënyrë të detajuar lidhur me punonjësit respektive të policisë së shtetit që kanë proceduar me shoqërimin/ ndalimin/ pyetjen e punonjësve tanë, si dhe kërkojmë të na dërgoni një kopje të fletës së rregjistrit të shoqërimit të shtetasve për datën 16.11.2012.
Shprehim gadishmërinë tonë të plotë për t’ju vendosur në dispozicion të gjithë informacionin e nevojshëm në lidhje me ekzistencën e detyrimeve të energjisë elektrike dhe procedurave të ndjekura për ndërprerjen”, shkruhet në letrën e CEZ.
Sipas CEZ, veprimet e punonjësve të policisë së shtetit “jane në kundërshtim me misionin e tyre pasi përcjellin mesazhin e gabuar në opinionin e gjerë publik, atë të mospagimit të energjisë elektrike dhe moszbatimin e ligjit e detyrimeve kontraktore, ndërsa nga ana tjetër inkurajojnë personat fizike apo juridike të shkelin ligjin dhe dispozitat nënligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë”.
(eç/shqiptarja.com)