Fitorja me Anglinë në ndeshjen e parë në kampionatin botëror ka rritur optimizmin te Italia për triumfin në Brazil, por trajneri Prandeli përpos vlerësimit për lojën shprehet se rruga është e gjatë për në finale.

“Serioziteti në stërvitje dhe vuajtja në fushë, këto na bëjnë një skuadër të madhe. Po t’i marrim kokë më kokë, nuk kemi lojtarë aq të fortë sa Anglia, por ne u treguam të zotë duke shfrytëzuar çdo hapësirë. Pak skuadra e kanë kualitetin tonë në mesin e fushës me klasin e Pirlos.

Ishte një ndeshje epike që do ta kujtojmë gjatë gjithë jetës, kundër një prej ekipeve më të forta në Botëror. Anglia është vërtet e fortë, tani ka një stil më modern dhe efikas” tha ai. Më pas Prandeli ka folur edhe për mungesën e kapiteni Buffon, i cili nuk mundi të ishte në fushë.

 “Koha nuk ishte e mjaftueshme për rikuperimin e Buffon. Sirigu gjithsesi u tregua mjaft i zoti dhe jo më kot ka luajtur si protagonist në Champions League” deklaroi ai.



d.b/shqiptarja.com