Çfarë duhet të dini për makinat
taksat dhe të rejat e tregut 

 Këto 20 vitet e fundit, dinamizmi i shkëmbimeve ekonomike, ka sjellë një rritje të konsiderueshme të mjeteve rrugore që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë. Si rrjedhojë,  kjo ka krijuar edhe një treg të rëndësishëm, përsa i përket shitblerjes së mjeteve rrugore.  Aktualisht, në bazë të të dhënave të organeve të Transportit,  rezultojnë se në qarkullim ka 306,473 mjete dhe tendenca është në rritje. Kjo, duke u bazuar te numri i automjeteve që kanë bërë kontrollin teknik, në bazë të legjislacionit. Nga këto, pjesa më e madhe janë autoveturat.

Një çështje shumë e rëndësishme që lidhet  me mjetet rrugore janë aksidentet. Përsa i përket kësaj,  Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka hartuar një paketë me 58 masa. Zbatimi i tyre lidhet edhe me ndryshime legjislative. Ndërkaq, përsa i përket aksidenteve rrugore, sipas moshës së mjetit, fatalitetet më të mëdha ndodhin kur mosha e mjetit tejkalon 7 vitet. Përpos kësaj, 7 % e automjeteve të përfshira në aksidente, janë ato që nuk e kanë kryer kontrollin teknik vjetor të detyrueshëm.
“Shqiptarja.com” ka ndjekur me shumë hollësi të gjitha këto çështje të Transportit dhe tashmë, duke u thelluar në gamën e gjerë të problematikave të kësaj fushe,  sjell për lexuesin në këtë speciale.



Distributorët: Ja çfarë duhet bërë për tregun e makinave të reja

Numri i makinave në qarkullim sa vjen e rritet, duke shprehur qartë se ekziston një kërkesë e rëndësishme në treg për makinat. Por si është gjëndja aktuale e distributorëve të makinave. Për të sqaruar këtë çështje kemi kontaktuar Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqata e Distributorëve Ligjorë të Makinave të Reja, Shpëtim Luku
“Të ushtrosh biznesin e shitjes dhe servisit të makinave të reja është një gjë e bukur. Është një punë pasionante, një punë e dobishme, një punë profesionale. Është një mundësi që të jepet për të qenë partner i shtëpitë e mirënjohura  automobilistike në botë. Dhe për më tepër, ky partneritet të mundëson njësimin e mentalitetit e praktikave të punës, konform partnerit tënd, cfarëdo qoftë ai: gjerman, japonez, korean, Italian etj. E thënë shkurt është një punë që ia vlen”, - thotë ai
Por kohët e fundit tregu i makinave të reja  po përjeton një periudhë të vështirë. Gjatë 3 viteve të fundit, shitjet e makinave të reja kanë rënë ndjeshëm. “Deri përpara 3 viteve, të 15 përfaqësitë ligjore ishin stabilizuar në një total shitjesh prej 3400-3500 makina në vit.  Nuk ishte një shifër tejet impresionuese, por krahasuar deri më tani, duket një shifër që tashmë ia vlen të lakmohet si objektiv i ardhshëm, sepse tre vitet e fundit shitjet kanë rënë në afro 1500 makina në vit në total”, - shpjegon z. Luku. Ndryshimi ka ndodhur në momentin e heqjes së taksës së importit të automjeteve të përdorura (nën ndikimin e BE-se) si një element i një politike kushtëzuese dhe modifikimit të saj, duke e shtrirë për të gjitha llojet e makinave. Në këtë mënyrë, mund të thuhet se tregu i makinave të përdorura, u favorizua nga ndryshimi i legjislacionit. Si rrejdhojë,  sipas z. Luku, të ardhurat e Shtetit nga shitja e makinave të përdorura u 4-fishua, por fitimi tashmë sigurohej nga të gjitha mjetet e qarkullimit. Problemi për tregun e makinave të reja,  fillon gjatë periudhës përpara zgjedhjeve të qershorit 2013, kur qeveria e kaluar përgjysmoi taksën që duhet paguar për importin e makinave. Kjo gjë, pati efekte negative për distributorët e makinave të reja, duke qenë se shitjet kanë pësuar rënie. “Të gjitha konçensionarët së bashku, kanë realizuar një xhiro biznesi në total për vitin 2012 prej afro 40 milionë euro me një fitim në total prej afro 1.5 milionë euro”, - thekson z. Luku. 

Tregu i makinave të reja ndër vite
Distributorë ligjorë: 15
Para 3 viteve: 3400 – 3500 shitje/vit
Aktualisht: 1500 shitje/vit
Xhiro e përbashkët për 2012: 40 milionë euro
Fitimi individual: Afro 1.5 milionë euro
 
Importi i makinave të vjetra ndër vite
Para 3 viteve: 12 – 14 mijë autovetura/vit
Aktualisht: 40 mijë autovetura/vit

Propozimet
Duke pasur parasysh fuqinë blerëse të shqiptarëve, ka disa nisma që mund të ndërmarrë shteti, në mënyrë që tregu i makinave të reja të rimëkëmbet dhe gjithashtu që distributorët e makinave të reja, të rrisin cilësinë e shërbimeve ndaj klientëve. Ja çfarë propozon Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Distributorëve Ligjorë të Makinave të Reja:
 
Autoriparimi, të zbatohet ligji, që të normalizohet tregu
E para që duhet të bëhe, është bërja i zbatueshëm i ligjit nr 9573 “Për autoriparimin,  shitblerjen, depozitimin e mjeteve rrugore me motorr, të rimorkiove dhe të pjesëve të këmbimit të dala jashtë përdorimit…”. Ndonëse janë mbushur 7 vite që kur është aprovuar ky ligj, mospajisja e tij me amendamentet përkatëse e ka bërë atë të pazbatueshëm, qoftë edhe për një ditë të vetme. Për rrjedhojë edhe situata në të tre objektet e veprimtarisë së këtij ligji, sikurse janë autoriparimi, shitblerja dhe depozitimi është anarkiste. Me shitblerje makinash merret kushdo, pavarësisht nëse ka liçencë profesionale e tatimore apo jo. Me veprimtari autoriparimi merret kushdo që mendon se ka aftësi të merret me atë punë, pavarësisht nëse është kompetent apo jo. Edhe me të ashtuquajturat varreza makinash merret çdokush që i mbushet mendja se duhet të bëjë një punë të tillë. Nëse ligji përkatës do të ishte në proçes zbatimi, që në kohën kur ai është aprovuar, atëherë sot me siguri do të flisnim për një treg të rregulluar nga pikëpamja teknike dhe fiskale.

Të  eliminohet taksa për konçensionarët për shitjen e dytë të makinave
Shumëkujt i ka bërë përshtypje fakti që ndryshe nga homologët e tyre në Europë, konçensionarët në Shqipëri nuk e kanë ngritur në sistem praktikën e kthimit të makinave të reja pas pak vitesh përdorimi, në këmbim të marrjes së një makine të re. Arsyeja nuk është se nuk duan, por nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Sepse rikthimi i makinave të përdorura, pas pak vitesh përdorimi, i detyron konçensionaret që t’i shesin sërish këto mjete me TVSH. Çka do të thotë se, krahasuar me një mjet të njëjtë të ardhur nga importi, çmimi me të cilin e nxjerr konçensionari në treg është më i lartë. Eliminimi i kësaj barriere,  pra heqja e TVSH-së për shitjen e dytë, ose aplikimi i saj vetëm për diferencën mes çmimit, që e ka vlerësuar kompania makinën e kthyer me çmimin, që ajo ia shet blerësit, do të bënte të mundur krijimin e stokut të makinave të përdorura nga vetë konçensionarët. Ndërkohë, zgjerimi e gamës së makinave me TVSH të rimbursueshme, për automjete të reja të blera në konçensionare, mund të jetë një tjetër hap i nevojshëm për t’u ndërmarrë. Deri tani, TVSH-ja e rimbursueshme aplikohet vetëm për mjete pune, ndërkohë që për nevoja pune blihen edhe mjaft autovetura, por që ligji aktual nuk i parashikon në kontigjentin përfitues. Ish drejtuesit e Ministrisë së Financave e konsideronin të arsyeshme një kërkesë të tillë, por kishin frikë se mos krijonin një “shteg” abuzimi nga ana e pronarëve të kompanive. Ndërkohë që raporti mes përfitimit që do të vinte nga ndonjë abuzim dhe kostos që paguan ky grup biznesi nga mosveprimi, është shumë herë më e madhe në favor të alternativës së dytë.
 
Autoservisi, të liberalizohet tregu, filozofia e konkurimit perëndimor
Veprimtaria e një konçensionari nuk është vetëm shitblerja e makinave, por edhe servisi i tyre. Madje kjo e fundit duhet të jetë faktikisht edhe pika më e fortë e tyre. Statistikat tregojnë se ata konçensionarë, që e kanë pikë të fortë autoservisin, kanë siguruar edhe rezultatin më të mirë financiar. Dhe e kundërta. Në këtë kuptim, është e arsyeshme që edhe veprimtaria e kolaudimit të automjeteve, veprimtari që sot është në kushtet e një shërbimi monopol, të liberalizohet, e pjesë të tij të bëhen edhe serviset e konçensionareve të makinave të reja. E sigurt është se, nëse ndërmerren hapa të tillë, realiteti do të jetë ndryshe dhe nuk do të jetë e nevojshme të flitet për kërkesa që shkojnë në kundërshtim me filozofinë e konkurimit dhe integrimit në BE.

LEXONI ME SHUME 
Ja harta e 143 pikave të rrezikshme në rrugët tona 
Sa është numri i mjeteve rrugore dhe sa prej tyre qarkullojnë
Sigurimet, pse u rritedhe u ul tarifa e TPL-së
Taksa e karbonit, si ishin efektet në fillim


 (Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com 5 mars 2014)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Mbante armë zjarri dhe municion luftarak në banesë, arrestohet një person

Tiranë/ Mbante armë zjarri dhe municion luftarak në banesë, arrestohet një person