Pas një rrugëtimi që zgjati gati një shekull, një prej objekteve më të njohura të trashëgimisë arkeologjike shqiptare rikthehet në vendin ku u zbulua. “Dea e Butrintit” ekspozohet tashmë në Butrint, duke u vendosur sërish pranë kontekstit historik dhe arkeologjik të cilit i përket.

Në një intervistë per Report tv, arkeologia Erjona Goxharaj rrëfen historinë e zbulimit të veprës gjatë gërmimeve të arkeologut italian Luigi Maria Ugolini afro 100 vitë me parë.

"Që nga periudha kur është zbuluar në 1928 në Teatrin e Butrintit ka pasur një kalvar të gjatë odiseje.  Duke qenë se ishe afër një statuje me veshje femre mendohej se i përkiste një figure femërore ose një perëndie lokale por duke bërë studimet e mëvonshme u zbulua se ishte një figurë mashkullore e Perëndisë Apollon, një lloj fizionomie femërore dhe kur afrohesh afër sheh tipare mashkullore si pjesa e mjekrës dhe mollës së Adamit” thotë Goxharaj. 

Ajo sjell detaje mbi atë që përfaqëson kjo vepër e njohur prej dekadash me emrin “Dea e Butrintit”.

'Dea është pjesë e një grupi statujash në Teatrin e Butrintit që lidhet me Augustin, Livian etj. Ky teatër nuk ishte vetëm për festa por ishte i lidhur me anën sociale’ shpjegon ajo

Pavarësisht emërtimit që e ka shoqëruar për shumë vite, vepra identifikohet si një paraqitje e perëndisë Apollon dhe përbën një dëshmi të rëndësishme të artit dhe historisë së Butrintit.

Rikthimi i saj ne Butrint ka një domethënie të veçantë edhe për mënyrën se si vizitorët do ta njohin qytetin antik. Ekspozimi në Butrint i jep mundësi publikut ta shohë veprën pikërisht në mjedisin historik ku ajo u zbulua dhe ta lidhë atë drejtpërdrejt me historinë e sitit.