Spekulimeve se ish numri 2 i qeverisë Arben Ahmetaj nuk ka asnjë post në PS për shkak të ndonjë paralajmërimi hetimi për inceneratorët apo shpalljeje “non grata”, Edi Rama iu përgjigj duke thënë se janë përralla dhe gënjeshtra. Sipas tij, nuk ka asnjë gabim nga Arben Ahmetaj, ndonëse brenda një muaji u shkarkua edhe si zv.kryeministër por edhe si drejtues i qarkut të Vlorës.
Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Rama foli para gazetarëve duke thënë se përdoren lloj lloj shpifjesh që nuk kanë asnjë lidhje. Kryeministri mbajti të njëjtin qëndrim si dje duke thënë se organizimet në PS bëhen për zgjedhjet vendore 2023.
“Këto janë përrallat që thashë edhe dje. Ju jeni në të drejtën tuaj të tregoni përralla duke kërkuar pas çdo vendimi e hapi, qëllime që nuk ekzistojnë. Natyrisht që është diçka që nuk do të ndodhte 10 vite më parë, por ndodh që për hir të lirisë së mediave, të spekulohet deri në ekstrem me lloj lloj shpifjesh e gënjeshtrash që vijnë nga qëllimi për të bërë lajm apo shpifur. Nuk di çfarë të them. Zoti i paftë të gjithë dhe të kujdeset për të gjithë. E vërteta e ka akoma më të vështirë të përçajë në këtë rrugë ku sundon gënjeshtra. Ne jemi në të drejtën tonë të bëjmë ndryshime organizative, i kemi bërë gjithmonë. Këto nuk kanë lidhje fare, kush jam unë në fund të fundit.
Se si organizohet një skuadër, është e drejta e skuadrës, nuk është e tifozëve dhe spektatorëve. Pse duhet të ketë bërë patjetër diçka që të lëvizë nga një pozicion. Pse nuk është më thjesht se kaq? Për arsye se secilit i duhet gjetur një pozicion ku të japi maksimumin në një betejë të re, bëhen dhe riorganizime dhe do bëhen dhe të tjera. Çfarë do të thoni prape pastaj, çfarë bëri ky, çfarë bëri ai?! Jo! do të shikojmë sipas nevojës së kësaj ndeshje. Organizimi bëhet për zgjedhjet vendore. Nuk ka lidhje fare me gjithë këto përrallat e tjera”, tha Rama.
Një ditë më parë, Rama bëri me dije se në mbledhjen e kryesisë së PS u mor vendimi që Blendi Klosi të zëvendësojë Arben Ahmetajn në Vlorë. Këto ndryshime, Rama i quajti "pa peshë", por në funksion të organizimit të partisë.