Ish-ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit apeloi për gjetjen e gjuhës së përbashkët mes shqiptarëve për të ecur përpara dhe për të lënë pas konfliktet dhe sherret mes tyre. "Pse kur Grekët e Maqedonasit e gjekërkan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi me e gjet gjuhën me njëri-tjetrin.

A jemi të gjithë shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi? Pse e kemi kaq të vështirë dhe turpërojmë veten tonë lart e poshtë. Pse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara
?" ngriti pyetjen Bushati (lexo ketu te plotë).

Pas fjalimit të Bushatit, ka reaguar Astrit Patozi, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike. Ai vlerëson Bushatin duke e cilësuar si 'një xixëllonjë, që mund ta thyejë sadopak terrin e marrëzisë së Rilindjes, që, për fat të keq, nuk e vetmja sot në Shqipëri'.

"Për kë foli dhe kë gezoi më shumë sot Ditmir Bushati? Edhe mua më pelqeu fjala e Ditmir Bushatit sot në parlament, pavarësisht se e kam pasur dhe e kam kundërshtar politik. Sepse e shikoj, gjithësesi, si një xixëllonjë, që mund ta thyejë sadopak terrin e marrëzisë së Rilindjes, që, për fat të keq, nuk e vetmja sot në Shqipëri.

Një shenjë e zbehtë ndoshta se në partitë tona të shndërruara në gazerma ushtarake mund te fillojnë e të flasin, apo qoftë edhe të belbëzojnë, ata që janë më kurajozë dhe më mendjehapur.

Por po shoh se shumë më tepër se unë qenkan gëzuar ata, të cilët vetëm një muaj më parë e quanin atë Ditëziu i krimit në Shkodër dhe zëdhënës të bandës së Bajrave. Të ketë ndryshuar Ditmiri thua, apo janë bërë më të dhembshur dhe mirëkuptues ata?" shkruan Patozi në rrjetet sociale.