Një zjarr do të ishte përhapur shumë shpejt brenda bodrumit të lokalit, duke shkaktuar shpërthime dhe zjarre të tjera që e kthyen atë sallë të barit “Le Constellation” në një djegëse flakëruese. Pa lënë asnjë mundësi shpëtimi për dhjetëra e dhjetëra vajza dhe djem që po festonin Vitin e Ri. Kjo do të ishte dinamika e tragjedisë në Crans-Montana që në orën 1:30 të 1 janarit 2026 shkaktoi vdekjen e 47 personave, ndërsa 100 të tjerë mbetën të plagosur.

Kështu e përshkroi ngjarjen këshilltari i Shtetit, Stéphane Ganzer, për televizionin zviceran. Hetuesit janë duke punuar për të identifikuar saktësisht shkaqet e katastrofës, duke mbledhur dëshmitë e atyre që ishin në vendngjarje. Sigurisht, nuk bëhet fjalë për një sulm terrorist: Prokurorja e Përgjithshme Beatrice Pilloud gjatë konferencës së parë për shtyp e përjashtoi plotësisht këtë hipotezë.

Por çfarë shkaktoi atë zjarr shkatërrues? Dhe si mund të përhapej flaka kaq shpejt nga bodrumi në katin e parë të lokalit, duke zënë njerëzit brenda? Një nga hipotezat e para ishte përdorimi i fishekzjarrëve ose raketave të vogla brenda lokalit, siç deklaroi ambasadori italian në Zvicër, Gian Lorenzo Cornado, si dhe qirinj shkëlqyes ndezur nga kamarierët mbi shishe shampanje, por mbi këto pika autoritetet hetuese nuk kanë dhënë konfirmime.

Një tjetër çështje për të kuptuar rëndësinë e katastrofës dhe numrin e viktimave është ajo e masave të sigurisë brenda lokalit, një bodrum, dhe materialeve të përdorura pas rindërtimit të fundit: ndoshta sistemet kundër zjarrit nuk u aktivizuan në kohë? Dhe pse të rinjtë mbetën të bllokuar? A ishte vërtet vetëm një dalje dhe për më tepër e ngushtë, siç del nga disa dëshmi? Çdo hipotezë po vlerësohet me kujdes.

Dëshmitë e të pranishmëve ndihmojnë të kuptohet dinamika e ngjarjes. Një dëshmitar, Jeoffroy D’Amecourt, e mohon hipotezën e fishekzjarrëve: për Radio-Televizionin Zviceran ai tregoi se kishte dëgjuar «një shpërthim shumë të fortë, rreth orës 1:30 të natës dhe nuk dukej aspak i shkaktuar nga një fishekzjarr, zëri ishte krejtësisht i ndryshëm». Por është gjithashtu e vërtetë se shpërthimi, ose më saktë, shpërthimet e shumta, ndodhën kur zjarri tashmë kishte filluar. E sigurt është se flaka përfshiu menjëherë ambientin e mbushur me të rinjtë që po festonin: të paktën 200 persona në një lokal jo shumë të madh. Nënkryetarja e Asconës, Michela Ris, e cituar nga mediat zvicerane, deklaroi: «Njohës të mi më thanë se disa djem dhe vajza dolën nga lokali të gjakosur, disa pa rroba, ishte një masakër e vërtetë».

Mes dëshmive që ndihmojnë për të rikonstruktuar dinamiken janë ato të dy vajzave franceze të përfshira në zjarr: ato treguan për BfmTv se zjarri kishte nisur nga disa qirinj ditëlindjeje ndezur nga kamarierët mbi shishe shampanje pak para mesnatës. «Një prej tyre u afrua shumë pranë tavanit, i cili mori flakë. Brenda pak sekondash gjithçka ishte në zjarr, tavani ishte prej druri».

Një dëshmi tjetër e një turisti konfirmoi praninë e yjeve shkëlqyes ndezur mbi shishe: një prej tyre, tregon ai, mbahej në dorë nga një vajzë ulur mbi shpatullat e një djali dhe shkëndijat ndezën menjëherë një pjesë ose një trarë të tavaneve të rrejshme – ndoshta prej druri ose materiali tjetër të ndezshëm – duke u përhapur shpejt në ambient.

Pastaj është çështja e ambientit të ngushtë: «Dera e daljes ishte shumë e vogël për të gjithë të pranishmit. Disa thyen një dritare për t’u shpëtuar», treguan më pas dy vajzat për televizionin francez, duke shpjeguar se shpëtimi arriti «brenda pak minutash». U konfirmua nga dëshmi të tjera fluksi kaotik i largimit nga lokali tashmë në zjarr dhe xhamat e thyer për të krijuar një rrugëdalje përballë një daljeje të vetme dhe të ngushtë. Në konferencën për shtyp të mbajtur në mbrëmje, prokurorja Pilloud nuk dha gjykime, por konfirmoi se shkallët e daljes ishin të ngushta.

Për të përshkruar dinamiken e zjarrit, autoritetet kantonale i treguan mediave zvicerane se brenda lokalit në Crans-Montana kishte ndodhur një «flashover», pra një «fenomen shumë i rrezikshëm ku zjarri përhapet papritur dhe me forcë në ambientet e mbyllura duke shkaktuar një ose më shumë shpërthime». Me këtë term nënkuptohet kalimi i shpejtë nga një zjarr lokal në një zjarr të përgjithshëm.

Një zjarr mund të fillojë, për shembull, nga një pajisje në një dhomë dhe nëse nxehtësia grumbullohet nën tavan, gazrat e djegies shpërndahen në hapësirë dhe temperatura rritet shumë shpejt deri në qindra gradë. Ky efekt mund të shkaktojë ndezjen e menjëhershme dhe të njëkohshme të materialeve të tjera të djegshme, si ato në tavanin e rremë, duke përhapur flakët me shpejtësi. Në atë moment, mbijetesë është praktikisht e pamundur./Corriere della Sera